'Demokracia' në VV: Askush s’guxoi t’i dilte kundër Kurtit, pritet rizgjedhja e tij - NACIONALE

'Demokracia' në VV: Askush s’guxoi t’i dilte kundër Kurtit, pritet rizgjedhja e tij

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje sot mban zgjedhjet. Gjatë ditës, në 43 qendra votohet për kryetart të VV-së, e ku kandidat i vetëm është Albin Kurti, që e udhëheq këtë parti që nga themelimi, përjashtimisht 3 vitet kur në krye të VV-së ishte Visar Ymeri. Për shkak të mungesës së kundërkandidatit, rezultati i garës është tashmë i parashkruar: Kurti do ta udhëheq edhe për një mandat Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, VV sot do të zgjedh për herë të parë edhe një kryetare të forumit të gruas së VV-së, e ku përsëri është vetëm një kandidat. Albulena Haxhiu, aktualisht ministre e Drejtësisë, është e vetmja në garë për forumin e gruas, një organizim që dikur VV e përçmonte dhe e tallte.

Njëkohësisht VV sot zgjedh edhe kryetarin e të rinjve të VV-së, e ku përsëri është veç një kandidat, Behar Jashari.

“Ju ftojmë që bashkë e në numër sa më të madh, përmes parimit një anëtarë-një votë, të merrni pjesë në këto zgjedhje ku votohet në 43 qendra për Kryetar të LVV, për Kryetare të GVV dhe Kryetar të RVV në nivel të përgjithshëm dhe në 26 qendra edhe për organet e njëjta në nivel të qendrës.”, thuhej në njoftimin e LVV-së për zgjedhjet.

Prapaskenat

Mungesa e demokracisë së brendshme është reflektuar pothuajse në secilën qendër të VV-së në zgjedhjet e këtij viti.

Sikurse në nivel qëndror, ku në të gjitha organet ishte veç një kandidat, edhe në degët e VV-së nëpër komuna ishte nga një kandidat.

Në Prishtinë, ku është qendra më e madhe e VV-së, i vetmi kandidat është z.Arben Vitia, ish-ministër i shëndetësisë.

Në Mitrovicë, Gjilan, Podujevë, Lipjan, Viti, Ferizaj, e në degë të tjera, u karakterizua me përjashtime, eliminime e “spastrime” të kandidatëve të padëshiruar nga qendra.

Nga gara në Ferizaj u eliminua Valon Ramadani, deputet i Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga gara për degën e Rahovecit e Vitisë, u përjashtuan Visar Korenica, e Nijazi Isaku respektivisht.

Siç ka shkruar Nacionale vazhdimisht përgjatë javëve të fundit, dhjetra kandidat të VV-së janë eliminuar, e posaçërisht ata që ishin kundër projekt-kodit civil, i cili parasheh bashkëjetesën civile të seksit të njëjtë.

“Çfarë mendoni për projekt-kodin civil?” – ishte pyetje që u paraprinte eliminimeve nga gara.

Megjithatë, Kurti u krenua me demokracinë në VV, duke e quajtur ditën e diele (25 shtatorin), ditë demokracie për partinë e tij.

“25 shtatori i kësaj të diele është ditë e demokracisë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Zgjedhje të brendshme për struktura të reja.”, shkroi ndër të tjera z.Kurti.

Platforma e Kurtit

Ditë më parë, Albin Kurti shpalosi platformën e tij me të cilën u kërkoi besimin aktivistëve të VV-së edhe për një mandat në krye të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty Kurti foli për gjithçka, përveç bashkimit kombëtar me Shqipërinë, e madje nuk e përmendi asnjëherë as vetë emrin e shtetit shqiptar.

Ndryshe nga hera e kaluar, kur në vitin 2018 Kurti fliste për bashkimin me Shqipërinë, kësaj radhe shefi i ezkekutivit e bëri edhe një kapërcim. Në platformën e tij, ai iu referua Kosovës me termin republikë.

Madje, ai kërkoi nga shkolla politike e partisë së tij të dekonstruktojë thashethemet se "LVV është kundër shtetit të Kosovës dhe se është për bashkim kombëtar". Përkundër kësaj, “Salla e Kuqe” ishte “ngjyrosur” tërësisht me flamurin kuq e zi, ndërsa ai i Kosovës ishte flamur “i munguar”.

Por, Kurti foli edhe për ndërtimin e një aktivisti të lexuar, e për pasurimim me libra të bibliotekave të VV-së nëpër Kosovë.

“Tash, ne e dimë se jo pak aktivistë tonë janë si nxënësit a studentët që dëgjojnë në klasë por nuk mësojnë aq shumë në shtëpi dhe përgjithësisht shkruajnë pak. Shkrimi e mundëson thellimin, strukturimin dhe sistematizimin e të menduarit. Nuk ka organizim politik pa mendim, ide, botëkuptim dhe ligjërim të organizuar, pra pa tekst.”, foli z.Kurti para aktivistëve të cilët e duartrokitën.

Kurti para aktivistëve shpalosi 10 pika me të cilat synon ta fuqizojë partinë e tij.

“1) Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja; (2) Rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave; (3) Krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore, e botëkuptimore; (4) Forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj; (5) Promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat; (6) Përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për Zgjedhjet lokale 2025; (7) Përgatitja e Platformës politike për mandatin e dytë të Qeverisjes; (8) Rritja e rrjetit të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë; (9) Angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes; (10) Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit e brenda kombit tonë. Le t’i marrim me radhë.”, theksoi Kurti.

Lajme të ngjashme