A u bë Albin Kurti “kosovocentrik”: S’e përmend bashkimin kombëtar, Kosovës i referohet si republikë
Ditë më parë, Albin Kurti shpalosi platformën e tij me të cilën u kërkoi besimin aktivistëve të VV-së edhe për një mandat në krye të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty Kurti foli për gjithçka, përveç bashkimit kombëtar me Shqipërinë, e madje nuk e përmendi asnjëherë as vetë emrin e shtetit shqiptar.
Ndryshe nga hera e kaluar, kur në vitin 2018 Kurti fliste për bashkimin me Shqipërinë, kësaj radhe shefi i ezkekutivit e bëri edhe një kapërcim. Në platformën e tij, ai iu referua Kosovës me termin republikë.
Madje, ai kërkoi nga shkolla politike e partisë së tij të dekonstruktojë thashethemet se "LVV është kundër shtetit të Kosovës dhe se është për bashkim kombëtar". Përkundër kësaj, “Salla e Kuqe” ishte “ngjyrosur” tërësisht me flamurin kuq e zi, ndërsa ai i Kosovës ishte flamur “i munguar”.

Njohësit e çështjeve politike në Ballkan thonë se Kurti nuk e kishte kurrë pjesë të platformës partiake bashkimin kombëtar, duke potencuar se kjo ide përdorej vetëm për t’i bërë hije pavarësisë së Kosovës.
Nuk e besonte Bashkimin Kombëtar
Antropologia nga Tirana, Armanda Hysa thotë se Kurti asnjëherë nuk e ka besuar realisht bashkimin kombëtar.
Hysa, në një përgjigje për gazeten Nacionale, tha se Kurti e ka përdorur idenë e bashkimit kombëtar për çështje elektorale.
“Mendoj se Kurti edhe po ta ketë për zemër bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, asnjëherë nuk e ka besuar se do ta realizojë në realitet, por me një popull të martirizuar jo vetëm për liri, por edhe për flamur e Shqipëri, e ka ditur se Bashkimi do të zërë vend fuqishëm. Në fakt, VV nuk ka pasur kurrë ndonjë gjysëm programi realist për këtë çështje, ama fatkeqësisht ka bërë veprime që kanë çuar në një ndarje fiktive mes "kosovaristëve" dhe "shqiptaristëve", mes të tjerash edhe përmes veprimeve përçmuese për flamurin dhe himnin e Kosovës kur ka qenë në opozitë”, tha Hysa.
Në vazhdim ajo thotë se idenë e bashkimit kombëtar, Kurti e ka përdorur për ta mbuluar kundërshtimin që i ka bërë planit të Ahtisarit, që ishte garanti i vetëm i pavarësisë së Kosovës.

Me tej, antropologia thotë se Kurtit i ka mbetur vetëm ta reklamojë shtetësinë e Kosovës.
“I gjendur përballë realitetit të qeverisjes, dhe realitetit që ia shkërmoq ato iluzione, Kurtit i duhet të reklamojë legjitimitetin e mëvetësisë së Kosovës në radhë të parë besimtarëve partiakë të tij, në një mënyrë elegante, pa pranuar se besimet e nxitura prej tij në opozitë së paku nuk ishin realiste”, përfundon ajo.
Edhe politologu Shkodran Ramadani thotë se Kurti nuk e kishte seriozisht idenë e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale thotë se LV e ka përdorur idenë e bashkimit kombëtar, pasi që më shpalljen e pavarësisë nuk kishte relevancë politike si Lëvizje.
“Nuk kemi të bëjmë thjesht me një ndryshim të qëndrimeve, por me fundin e mashtrimit sa i përketë bashkimit kombëtar. Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti asnjëherë nuk e kanë pasur seriozisht idenë e bashkimit kombëtar. Që nga fillimi e kanë ditur që kjo gjë nuk mund të bëhet, por vetëm kanë dashur që ta përdorin si instrument për t’i denigruar kundërshtarët politik, të cilët i kanë shpallur tradhtarë, që e kanë braktisur idenë e bashkimit dhe për ta ngritur vetën si patriot- atdhetarë, dhe si mbrojtësit e idealëve e kombit shqiptar.”, theksoi z.Ramadani.
Tutje, Ramadani thotë se Vetëvendosje vetëm e ka penguar dhe dëmtuar idenë e bashkimit.
“Megjithatë, me kalimin e kohës, ata e kanë braktisur një gjë të tillë dhe mund të themi që përvec që e kane braktisur e kane dëmtuar dhe penguar si ide. E kanë penguar, kur para disa vitesh u hapë ideja e shkëmbimeve të tërritorëve, kur përflitej që Serbia dhe Kosova mund të merrën vesh për shkëmbim territoresh, kësisoji komunat me shumicë serbe të verit do të kalonin në Serbi dhe komunat shqiptare do t’i bashkoheshin Kosovës, pra Lugina e Preshevës.”, vlerësoi Ramadani.
Tutje, analisti Ramadani deklaroi se dëmtimi që i ka bërë idesë së bashkimit është jashtëzakonisht i madh.
“Pastaj, jo vetëm që kanë hequr dorë, por edhe e kanë dëmtuar, sepse në rast se tani një parti politike, qoftë e re apo e vjetër, premton që do ta realizojë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të gjithë do të talleshin. Askush nuk do t’iu besojë dhe do të këne vetëm përbuzje, sepse askush më nuk beson se pas gjithë këtij mashtrimi të LV mund të dalë ndonjë parti politike, e cila njëmend e con idenë e bashkimit kombëtar deri në fund. Një gjë e tillë nuk ka qenë kurrë e mundur dhe as kerkesë reale”, tha Ramadani.
Kujtojmë që të dielën, pra me 25 shtator, përfundon procesi i zgjedhjeve të brendshme në LVV, e ku kandidat i vetëm për kryetar është Albin Kurti, që e udhëheq këtë parti që nga themelimi, me përjashtim 3 vite kur kryetar ishte Visar Ymeri.


