Kurti e publikon fjalimin e djeshëm me përmendjen e Adler-it, Frashërit e Nolit - me 55 gabime drejtshkrimore - NACIONALE

Kurti e publikon fjalimin e djeshëm me përmendjen e Adler-it, Frashërit e Nolit - me 55 gabime drejtshkrimore

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e publikoi të mërkurën fjalimin që e mbajti të martën në tubimin e partisë së tij. Fjalimi është i gjatë dhe nevojitet goxha kohë për ta lexuar tërësisht. Kryeministri përmendi shumë tema. Në tekst bëri shumë gabime drejtshkrimore – së paku 55, më shumë se përqindja e votave të partisë së tij në zgjedhjet e fundit.

Gabimet janë kryesisht te përdorimi i shkronjës “ë”, te trajtat e shkurtra, te përshtatja e emrit dhe foljes në numër, përshtatja e emrave me përemra pronorë dhe te shkrimi i gabuar i emrave, foljeve e i pjesëve të tjera të ligjëratës. Le t’i analizojmë gabimet me radhë:

1. E përdori mbiemrin në numrin njëjës, “e nderuara”, para emrave “familje Dehari, Xheladini, Balaj”.

2. E shkroi me shkronjë të vogël emrin e partisë “Guxo”. Ky gabim është përmirësuar në versionin e dytë të publikimit. Ndryshimi mund të vërtetohet në “Facebook”. Aty mund të lexohet versioni i parë i tekstit.

3. E përdori gabimisht foljen “humb” në vetën e tretë, në numrin njëjës: “...qeverisja jonë e humbet kontaktin...”.

4. E shkroi gabimisht togfjalëshin “popullsi e re” në fjalinë: “Ne jemi shoqëri e popullsi të re.”

5. Nuk e përshtati në gjini emrin “mosha” (femërore) me mbiemrin “vjeç”.

6. E përdori gabimisht përemrin vetor të gjinisë femërore, “ato”, për emrin e gjinisë mashkullore, “libra”.

7. E shkroi gabimisht në numrin njëjës mbiemrin e numrit shumës, “artistikë”, pas emrit në numrin shumës, “filma”.

8. E ngatërroi foljen “ndihen” me foljen “ndjehen”.

9. E shkroi gabimisht mbiemrin “të sigurt” pas emrit “ambient”, duke e shkruar me “ë” në fund - "të sigurtë".

10. E shkroi gabimisht përemrin pronor, “sime”, pas emrit të gjinisë femërore, “lirisë” – dy herë. E shkroi "lirisë time".

11. E shkroi gabimisht përemrin pronor, “sonë”, pas emrit të gjinisë femërore, “shoqërisë”.

12. E shkroi gabimisht emrin në numrin shumës, “njohuritë”.

13. E shkroi gabimisht, me “ë” në fund, foljen “i ngjan”.

14. E shkroi gabimisht, me “ë” në fund, foljen “ndodh”.

15. Nuk e përdori lidhëzën “së” në togfjalëshin “kurrikulës të gjitha niveleve”.

16. E shkroi gabimisht përemrin pronor, “tanë”, pas emrit të gjinisë mashkullore në numrin shumës, “aktivistë”, duke shkruar “aktivistë tonë”.

17. E shkroi gabimisht foljen “ngre” në vetën e tretë, në numrin njëjës të mënyrës lidhore. Shkroi “duhet ta ngrisë veten” në vend të “duhet ta ngrejë veten”.

18. E përdori gabimisht trajtën e shkurtër për numrin njëjës, “ta”, te folja që pasohet nga dy emra.

19. E shkroi gabimisht foljen “vij” në vetën e tretë të numrit njëjës, në mënyrën lidhore. Shkroi “sa të vie” në vend të “sa të vijë”.

20. Nuk e përshtati përemrin pronor, “tonë”, me emrin “ekonomisë”. Duhet të shkruhet “ekonomisë sonë”.

21. E shkroi gabimisht përemrin vetor “ata”, pas parafjalës “për”. Kur përdoret pas parafjalëve, ky përemër shkruhet “ta”“për ta”, jo “për ata”.

21. E shkroi gabimisht të ndarë në dy pjesë lidhëzës “saq딓sa që”.

23. Nuk e përshtati në numër foljen “futet” me emrat “ekonomia dhe shoqëria”. Folja duhet të jetë në numrin shumës.

24. E përdori gabimisht trajtën e shkurtër, “i”, para dy emrave. Duhet të përdoret trajta e shkurtër, “u”“u dedikohet gjyqësisë dhe prokurorisë”.

25. E shndërroi gabimisht në gjini mashkullore emrin e gjinisë femërore, “balanca”, duke e shkruar “balancit”. Duhet të shkruhet “balancës”.

26. E përdori gabimisht përemrin pronor, “tonë”, me emrin “Lëvizjes”. Duhet të shkruhet “Lëvizjes sonë”, jo “Lëvizjes tonë”.

27. E përdori gabimisht përemrin dëftor të gjinisë femërore, “kjo”, para emrit të gjinisë mashkullore, “ndryshim”.

28. E shkroi me “e” e jo me “ë” në fund emrin “hapësirë”.

29. E përdori gabimisht foljen në numrin njëjës, “do të shërbejë”, pas dy emrave, “rritja e shtrirja”. Folja duhet të jetë në numrin shumës.

30. E shkroi gabimisht emrin “entuziazëm”, duke e shkruar “entuziasmi”.

31. E shkroi gabimisht në gjininë femërore emrin e gjinisë mashkullore, “arkiv”.

32. E përdori në vend të gabuar lidhëzën “sesa”, aty ku duhet të shkruhen ndaras lidhëza “sa” dhe përemri pyetës, “sa” – “të mësojnë se sa i domosdoshëm...”

33. E shkroi - përsëri - gabimisht në gjininë femërore emrin “arkiv” duke shkruar “arkivën e tyre”.

34. E shkroi gabimisht foljen “mund”“mundet” -, kur është vendosur para foljes kryesore, “ta përcjellë”.

35. E shkroi gabimisht në rasën emërore përemrin vetor “ne”, kur duhet të shkruhet në rasën dhanore, “neve”“Kosovës dhe neve si aktivistë të Lëvizjes...”

36. E shkroi gabimisht emrin “plotësi”“në plotninë e saj”.

37. E përdori gabimisht trajtën e shkurtër për numrin njëjës, “e”, para tre emrave. Duhet të përdoret trajta e shkurtër për numrin shumës, “i” “i freskojnë, zhvillojnë dhe thellojnë diskutimin e brendshëm, mendimin dhe praktikën e Lëvizjes”.

38. E shkroi gabimisht trajtën e shkurtër “t’ju” para përemrit të vetës së tretë në numrin shumës, “atyre”.

39. E përdori gabimisht trajtën e shkurtër të numrit njëjës, “t’i”, para emrit në numrin shumës, “qëndrimeve”.

40. E përdori gabimisht trajtën e shkurtër të numrit njëjës, “i”, para emrit në numrin shumës, “marrëdhënieve”.

41. E shkroi gabimisht numërorin e gjinisë mashkullore, “tre”, para emrit që në numrin shumës shndërrohet në gjininë femërore, “rrafshe”.

42. E shkroi gabimisht emrin “mafie” në rasën gjinore. Shkroi “të mafias”, duhet të shkruhet “të mafies”.

43. E shkroi gabimisht mbiemrin në numrin shumës, “ndërkombëtarë”. E shkroi me “e” në fund, si të ishte mbiemër i gjinisë femërore – para emrit të gjinisë mashkullore, “partnerët”.

44. E shkroi gabimisht foljen “hap” në vetën e tretë të numrit njëjës – “Lëvizja jonë hapë pothuajse...”

45. Përsëri, e përdori gabimisht trajtën e shkurtër të numrit njëjës, “i”, para emrit në numrin shumës “lëvizjeve”.

46. E përdori gabimisht trajtën e shkurtër të numrit njëjës, “t’i”, para emrit në numrin shumës, “tendencave”.

47. E shkroi gabimisht në numrin njëjës mbiemrin “ndërkombëtar” prapa emrit në numrin shumës, “partnerëve”.

48. E përdori gabimisht në numrin njëjës foljen “kërkon” prapa dy emrave, “krijimi dhe mirëmbajtja”.

49. Përdori grup fjalësh pa kuptim: “i pari është dhe i dyti është Sekretariati për Zhvillim të Bashkëpunimeve.” Nuk përmendet sekretariati i parë, i cili përmendet më poshtë, në po atë paragraf.

50. E shkroi gabimisht togfjalëshin “Lëvizjes tonë”. Duhet të shkruhet “Lëvizjes sonë”.

51. E shkroi gabimisht ndaras mbiemrin “e pakursyer”“për mbështetjen e pa kursyer”.

52. E shkroi gabimisht foljen “vjen” në vetën e tretë të numrit njëjës – “kur vije puna”.

53. E shkroi gabimisht togfjalëshin “mundësisë tonë”. Duhet të shkruhet “mundësisë sonë”.

54. E përdori në vend të gabuar lidhëzën “se”, duke dashur që t’i përdorë pjesëzën “s” dhe trajtën e shkurtër “e”, që shkruhen me apostrof në mes, para foljes “tejkalojmë”.

55. E përdori pikën (.) në fund të dy fjalive dëshirore-thirrmore. Në fund të tyre duhet të përdoret pikëçuditja (!)./Nacionale

Lajme të ngjashme