“Në thelb s’na trajtojnë të barabartë me Serbinë”: Si e përgënjeshtroi Kurti krejt atë çfarë e jepte për fakt të kryer në dialog? - NACIONALE

“Në thelb s’na trajtojnë të barabartë me Serbinë”: Si e përgënjeshtroi Kurti krejt atë çfarë e jepte për fakt të kryer në dialog?

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Kosova ishte objekt në tryezën e Brukselit....tash është subjekt...është palë e barabartë”.

Dhe atë, sefte...

Kështu, përmbledhtazi, jepej rrëfimi i ri në të cilin është investuar në stërmasë, nisur nga “kampioni” i ri që do t’i merrte frenat e Dialogut Kosovë-Serbi në duar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; si ngasësi i aftë dhe i duhur i këtij procesi dhe i perceptuar publikisht ashtu. Jepej për fakt të kryer se tashmë kjo paradigmë ishte kthyer përmbys, dhe Kosova kishte nxjerr një kategori të “paparë” ndonjëherë në këtë proces – “dinjetin” e saj karshi Serbisë që i bëheshin “lëshime pas lëshime” prej kastës së vjetër dhe fascilituesve që thjesht miratonin atë që u koncesohej nga “pala objekt” kosovare. Ata s’dinin, ky dinte. Kjo pranohej thuajse si dy plus dy që bëjnë katër.

Këtë rrëfim e kemi dëgjuar me volumin më të madh, nëpër studio televizive edhe nga tele-analistë si një telenovelë mburrjeje dhe krenarie që jepet pa pagesë; për argëtim të pastër: free of charge.

Çuditshëm, këtij rrëfimi, i pari që ia dha premisat vetëpërmbysëse ishte kryeministri. Duke folur nga Estonia (një intervistë që s’e shpërndau në asnjë platformë) ai do t’i mëshonte këtij egalitarizmi të vetëshpallur. Tha se Perëndimi vetëm “nominalisht na trajton të barabartë me Serbinë, por jo edhe në thelb”. Goditëse? Pra, vetëm në emër, sipas Kurtit, koniston trajtesa e barabartë me Beogradit, por jo edhe në esencë.

Visar Ymeri, ish-kryetari i partisë që kryesohet sot nga Kurti, tash drejtues i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, në një bisedë me Nacionalen, këtë të thënë të re të Kurtit e sheh krejt në kundër-thënie me çfarë ka paraqitur Kurti kryeministër.

Ymeri vëren se “ka një periudhe jo të shkurtër Kryeministri Kurti na ka thënë vazhdimisht se prej se është bërë Kryeministër dhe po përfaqëson Kosovën në dialog, Kosova është palë e barabartë në tavolinë”.

Kështu ai aludonte se Kosova më parë nuk ka qenë. Faji për këtë mosbarazi ka qenë i KM’ve të mëparshëm. Dhe se ky ka arrit me e përmbys këtë rend të etabluar për një kohë të gjatë. Ndërsa tash po e thotë se megjithatë kjo qenka një barazi formale, thelbësisht e ndryshme prej trajtimit që duhej ta kishte Kosova. Dhe tash faji qenka i diplomatëve perëndimor”.

Megjithëkëtë, për Ymerin “ky ligjërim s’është i ri”, dhe i kthehet kritikave e qortimeve frekuente të krerëve të shtetit ndaj Perëndimit për qasjen e butë dhe ledhatuese karshi Beogradit. E ky ligjërim, sipas Ymerit “nuk i ka sjellë asnjë dobi vendit” por edhe “as avansim në tavolinën e dialogut”.

Përtej kësaj ligjërimi i tillë nuk është i ri. Në Vazhdimësi KM dhe Presidentja, e sëkëndejmi si kopje e zbehtë edhe Ministrja e Jashtme, kanë kritikuar perëndimin se janë tepër të butë me aleatin e Putinit në rajon, Vuçiqin, prej mosdijes dhe mosgadishmërisë. Ky ligjërim nuk i ka sjellë asnjë dobi vendit e as avansim në tavolinën e dialogut”, na tha Visar Ymeri.

Pa hyrë në atë nëse një pohim i tille i krerëve të shtetit është i vërtetë, ligjërimi i tillë dhe sjellja që vjen si pasojë, e ka futur Kosovën në sanksione. Sot krerët e Republikës sonë priten në Perëndim vetëm për t’u çortuar. Ose injorohen tërësisht. Dhe kërkesat e Kosovës e qëndrimet tona si shtet në raport me dialogun e zhvillimet rajonale mbeten të ngujuara brenda zyrave tona (sikur kryetari i Leposaviqit) pa pas mundësi të dëgjohen e aq më pak të kenë ndonjë efekt. Kjo do të kishte me qenë e dëmshme për Kosovën në secilën situatë. E veçanërisht në fazën më të rëndësishme të dialogut me Serbinë”, përfundoi ai.

Ndërkaq, filozofi dhe profesori univeristar Blerim Latifi, deklarimin e Kurtit se ekziston kjo “barazi nominale” por “jo thelbësore” e vlerëson si “të vërtetë”. Për Latifin, duke qenë se Bashkimi Evropian si institucion kolektiv njëzet e shtatë shtetesh nuk e ka njohur Kosovën në plotni për shkak të pesëshesh mosnjohëse është mjaftueshëm arsye për të konstatuar këtë pabarazi.

Po unë mendoj se kjo deklarate është e vërtetë. Kosova nuk trajtohet njëjtë nga drejtuesit e dialogut dhe kjo është rrjedhojë e faktit se Bashkimi Europian, si institucion kolektiv, ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës për arsyen e qartë se pesë shtete anëtare të tij refuzojnë ta bëjnë njê gjë te tillë”, tha Blerim Latifi për Nacionalen.

“Kjo mungesë e konsensusit të të gjithë anëtarëve të BE- së për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka determinu edhe konceptin bazë të dialogut, konceptin e normalizimit pa njohje reciproke. Zhagitjet, deshtimet dhe obstruksionet që kane ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në procesin e dialogut janë rrjedhoje e ketij koncepti”, përfundoi profesori Latifi.

Lajme të ngjashme