Si i mëshoi shkelm nga Estonia Kurti krejt asaj që dikur e jepte për fakt të kryer? Mehmetaj dhe Ramadani e quajnë "mashtrues tipik" - NACIONALE

Si i mëshoi shkelm nga Estonia Kurti krejt asaj që dikur e jepte për fakt të kryer? Mehmetaj dhe Ramadani e quajnë "mashtrues tipik"

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Kaloi thuajse në heshtje një deklaratë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë gjatë vizitës së tij në Estoni për median “Delfi” ku u mëshoi mbarë aleatëve perëndimore se, në fakt, Kosovën ata vetëm në emër e trajtojnë të barabartë me Serbinë, por “jo edhe në thelb”. Kjo, krejt në kundërthënie edhe me vetë atë çfarë profesonte kaherë Kurti, prej asobote opozitar e deri tash pas afro 3 vite në pushtet – se para tij “Kosova ishte objekt në tryezë, e jo subjekt” ndërsa tash, me ardhjen e tij, “Kosova është subjekt...dhe palë e barabartë”. Por, krejt këtij rrëfimi të tij të ndërtuar me investim kolosal qe më shumë se tri vite – Kurti do t’i mëshonte shkelm kur tha se “Perëndimi nominalisht na trajton të barabartë me Serbinë, por jo edhe në thelb”.

Për gazetarin dhe opionistin Lirim Mehmetaj, një deklaratë e tillë e bërë nga Kurti, “përveç se është një deklaratë e dobët në kaq shumë nivele dhe për nga formulimi i ngjan ndonjë komenti të ndonjë militanti të Facebook-ut, është edhe e padobishme si deklaratë dhe e nxjerr atë mashtruese tipik”. Pse? Mehmetaj vëren në rend të parë se po të njëjtën deklaratë edhe Vuçiq e bëri sot në Shkup kur tha se Bashkimi Evropian gjithmonë mbështet Kosovën: “Pra, këta kanë nivel të njëjtë; populistë mashtrues dhe të padobishëm për ofrimin e opsioneve konkret për zgjidhje”.

Gazetari i kthehet në retrospektivë krejt asaj që dikur Kurti me kollajllëkun më të madh ia përshkruante përgjigjen kur jemi te relacionet Kosovë-Serbi në raport ndërkombëtarët. Mehmetaj këtu zbulon kundërthëniet mes të kaluarës dhe të tashmes së deklarimeve të Kurtit.

E dyta, ju kujtohet kur Albin Kurti thoshte se në raport me ndërkombëtarët krejt çfarë i duhet Kosovës është një politikan që di mirë ta prezantojë dhe ta mbrojë qëndrimin e Kosovës. Ai thoshte se ndërkombëtarët janë neutralë dhe se ata krejt çfarë bëjnë është prezantojnë qëndrimet e Beogradit në Prisshtinë dhe qëndrimet e Prishtinës në Beograd. Tash si na u bë që perëndimorët s’qenkan neutralë? Si u bë që tash faji nuk qenka te politika në Kosovë, por tek burokratët e Brukselit?”, tha Mehmteaj për Nacionalen.

E treta, ai thoshte se ndërkombëtarët i bëjnë presion vetëm atij politikani që kanë me çfarë ta shantazhojnë, rrjedhimisht këtij nuk do t’i bëjnë, sepse na qenka i pastër. Tash, çfarë ndodhi? Përse po na thuhet se presion ka Kosova? A është ky i korruptuar, prandaj edhe i shantazhueshëm, apo s’paska qenë kurrë ashtu siç thoshte atëherë kur ishte në opozitë?”, vazhdon ai.

Për sociollogun Shkodran Ramadani, “vajtimi” i tillë për trajtim të pabarabartë, u sabotua edhe ashtu në rend të parë nga vetë zëvenëdisi i Kurtit, Besnik Bislimi, i cili ditë më parë në një intervistë për median serbe “Danas” tha se Kosova hoqi dorë nga përfshirja e njohjes në Marrëveshjen Bazë të arritur në shkurt dhe mars. Për më tepër tha se "ishte lëshim i madh nga ana e Kosovës". Këtu ai e sheh edhe krejt këtë “thelbin” për çka foli Kurti.

E para, nëse Kurti thotë që ‘në thelb na trajtojnë si të pabarabartë’, atëherë duhet ta pranojë që Marrëveshja e Ohrit është e padrejtë ndaj Kosovës. Sepse çdo thelb që nuk përfshin marrëveshjen - dmth boshtin e situatës – atëherë në fakt nuk është thelb, por diçka më e parëndësishme. Mirëpo, në këtë propagandë Kurti është sabotuar nga zëvendësi i tij, i cili tha që: ‘Kemi heqë dorë nga njohja formale,’ gjë që e bën marrëveshjen të padrejtë ndaj Kosovës”, tha Ramadani për Nacionalen.

“Pra, problemi nuk është që ne thjesht po trajtohemi si të barabartë, por fakti që Qeveria e Kosovës ka pranuar me vullnetin e vet një marrëveshje ku Kosova pranon marrëveshje të dëmshme për të. Këtë e pranoi edhe vetë këshilltari i Kurtit, Marc Weller në një rrëfim të gjatë”.

Ramadani shprehte se “Kurti po manipulon kur thotë që ‘po kërkojmë zbatim të marrëveshjes, por Seria po e pengon atë”, ku vëren se në vetë Marrëveshjen e Ohrit dhe në Shtojcën e saj të Zbatimit thuhet se “Kosova menjëherë nis procesin e themelimit të Asociacionit”.

BE-ja e ka përsëritur disa herë që ‘zbatimi i marrëveshjes nisë me themelimin e Asociacionit’. Ndërkohë, që tash Kurti po tenton t’i ikë përgjegjësisë që e mori vetë”, na tha Ramadani.

Gazetari Mehmetaj vlerëson se me atë çfarë kemi të bëjmë këtu është me “politikan të paaftë, ose më mirë thënë, një njeri i paaftë, që mungesën e punës tenton ta zëvendësojë me llafe ordinere”.

Edhe ai e di sa janë deklarime të kota, sa i përket kontributit për zgjidhje, por synimet e tij janë dy: E para, ky ka fituar përshtypjen që nëse shfaqet jo konstruktiv, njëjtë si Vucic-i, Perëndimi do ta ledhatojë për ta zbutur dhe kështu do t’i mundësojë kompromise (lexim fatal ky, sepse historia ka parë që fituesi është gjithmonë pala konstruktive, kujtojmë këtu Rambujenë, Procesin e Vjenës, shpalljen e koordinuar të njëanshme të pavarësisë etj) dhe e dyta, ai i dërgon mesazh votuesit të tij të cilin e konsideron analfabetë funksionalë”, na tha Mehmetaj.

Shpresa këtu është që të shtyhet kështu sa më gjatë, dhe të futemi në ciklin e ri zgjedhor pa iu dashur të fillojë zbatimin e Asociacionit. Shpreson që ta lërë Asociacionin për mandatin e dytë dhe fushatën e zgjedhjeve të ardhshme ta përdorë kartën e ‘rezistuesit të palodhur’”, përfundoi Mehmetaj.

Ramadani në deklaraën e Kurtit vëren edhe një “mashtrim tjetër kardinal të Kurtit”, me të cilën, sipas tij, ky i fundit është ngjitur në pushtet.

Sa ishte në opozitë, e thoshte vetëm një gjë: 'Që faji për padrejtësitë ndaj Kosovës duhet qëndron mbi supet e politikanëve vendorë e jo në Bruksel e Washington. Sapo të vimë ne në pushtet, kjo punë zgjidhet. Mjafton të na jepni 51% dhe ne e bindim BE-në e ShBA-në që Kosova të merr njohjen formale, pa e bërë Zajednicën.' Megjithatë, sot jemi në një pikë ku Kosova ka bërë saktësisht të kundërtë: ka pranuar Zajednicën, pa njohje nga Serbia”, na tha ai.

Krejt në fund Ramadani konstaton se “Tash dalin e vajtojnë nëpër paraqitje ndërkombëtare dhe japin këshilla që nuk i merr seriozisht askush, përveç asistentëvë të tij personalë”.

Lajme të ngjashme