"Në disa forma...": Kurti i kthehet tinëz bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në fjalimin për Demaçin
Marrëdhënia e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, me idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë është tashmë e trazuar. Mendimet e tij nuk janë më krejt lineare si dikur, pasi tash herë e citon Kushtetutën e Kosovës, e cila “e ndalon bashkimin”, e herë e paraqet bashkimin si “intencë historike” të shqiptarëve. Kësaj ideje, pra bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Kurti i është kthyer sërish në një fjalim për Adem Demaçin, veprimtar i çështjes kombëtare, pikërisht në 5-vjetorin e vdekjes së tij. Çka tha Kurti në fjalimin për Demaçin?
Në fjalimin e tij për Demaçin, që ishte më shumë manifest për të kaluarën heroike të veprimtarit, shkrimtarit e patriotit Demaçi, Kurti foli edhe për bashkimin kombëtar. Më saktë, foli përmes Demaçit, përmes qëndrimeve të Demaçit, për bashkimin kombëtar. Pra ishte një kthim tinëzar te ideja e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kurti e citoi një qëndrim të Demaçit në gjykatën e ish-Jugosllavisë, që fliste për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, i cili, nëse pengohet, “atëherë nuk do të ketë paqe në Ballkan". Duke e komentuar këtë deklaratë, Kurti theksoi se ky qëndrim u vërtetua në luftën e fundit dhe po vërtetohet në disa forma edhe sot e kësaj dite.
“Gjatë këtij procesi, ai kishte deklaruar që, po citoj: “Nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi dhe nëse e pengojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, atëherë nuk do të ketë paqe në Ballkan”, mbaron citati. Vërtetësia e këtij paralajmërimi do të provohej dyzet vjet më vonë dhe në disa forma vazhdon të vërtetohet edhe sot e kësaj dite” – deklaroi Kurti.
Megjithatë, Kurti nuk tregoi e as nuk shpjegoi se në cilat forma po materializohet qëndrimi i Demaçit sot. Sidoqoftë, Kurti viteve të fundit ka pasur qëndrime të ndryshme për bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nga Lezha e Shqipërisë, ai kishte thënë një herë se bashkimin kombëtar nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës, ndonëse një projekt i tillë është “intencë historike”.
“Fatkeqësisht, kushtetua e Kosovës ka një kundërthënie: neni 1.1 thotë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për qëndrime, siç është ai evropian. Në Kosovë nuk kemi ligj për referendum dhe nuk e ndryshojmë kushtetutën, por pa dyshim se kjo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve” – vlerësonte Kurti në Lezhë të Shqipërisë.
Pesë muaj më parë, Kurti e kishte shpalosur sërish bindjen e tij rreth bashkimit kombëtar. I pyetur për bashkimin kombëtar, Kurti vlerësoi se një projekt i tillë është ideal i rilindësve.
“Ky ideal është ideal i rilindësve tanë. Nuk besoj se është një ideal që e përzgjedhim ne, besoj se është një intencë historike që na ka përzgjedhur ne. Ne jemi në shërbim të tij, padyshim. Duhet të forcohet dhe të bashkëpunojnë sa më shumë që janë dy shtete, por jo dy kombe” – tha kreu i Qeverisë.
