Bashkimi Kombëtar: Kurti gjithnjë e më i matur në deklarime, si një kosovarocentrist i vërtetë - NACIONALE

Bashkimi Kombëtar: Kurti gjithnjë e më i matur në deklarime, si një kosovarocentrist i vërtetë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se e ka pranuar se projekti i Bashkimit Kombëtar për të cilin ka avokuar për kohë të gjatë, është një rrugë pa krye që minon problemet e shtetësisë së Kosovës që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Prej që e ka marrë pozitën e kryeministrit, Kurti duket i bezdisur sa herë që pyetet për Bashkimin Kombëtar.

E gjithë kjo, derisa aktivistit të zëshëm të Vetëvendosjes, Hysamedin Ferajt, vazhdon t’i shkruajë në intron e profilit të tij në Facebook: “Unë mendoj se Bashkimi kombëtar duhet bërë sot!”

Për fat të mirë, kryeministri Kurti është shfaqur më modest dhe më i matur në deklarimet e tij publike. Në Lezhën emblematike për popullin shqiptar, Kurti kishte kujtuar se Kushtetuta e Kosovës e ndalon bashkimin me një shtet tjetër.

Fatkeqësisht kushtetua e Kosovës e ka një kundërthënie. Neni 1.1 thotë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime siç është ai Evropian. Në Kosovë nuk kemi ligj për referendum dhe nuk e ndryshojmë Kushtetutën, por pa dyshim se kjo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve”, kishte thënë Kurti.

Kryeministri edhe në mbledhjet e përbashkëta mes dy Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, u pyet për bashkimin kombëtar teksa me një cinizëm të theksueshëm kishte thënë se “s’mund të vendosim data e mënyra”.

Mua më duket që ka më shumë një moskuptim sesa keqkuptim tek çështja e bashkimit të shqiptarëve. Ai nuk është një gjësend të cilin e zgjedhim apo e përzgjedhim. Pra ai është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Prandaj nuk mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”, kishte thënë Kurti.

Tash së fundi, në intervistën e tij për gazetën greke Kathimerini, Kurti sa herë është pyetur për bashkimin kombëtar, është përgjigjur duke folur për pensionet, arrestimet dhe punë të tjera të qeverisë së tij.

Në katër pyetje për bashkimin me Shqipërinë, Kurti nuk e ka dhënë asnjë përgjigje të prerë.

Kujtojmë që Kosova tash e një vit po pret që të fitojë njohjen e Pavarësisë së saj nga Greqia, gjë për të cilën ka shprehur optimizëm edhe vetë kryeministri.

Më poshtë keni pyetjet e gazetës greke dhe përgjigjet e kryeministrit Kurti:

Pyetje: Projekti juaj politik është që ju dëshironi të bashkoni Kosovën dhe Shqipërinë dhe të mos u jepni asnjë autonomi serbëve të Kosovës. E saktë?

Kurti: Unë kam qenë kryeministër i Kosovës për një vit dhe këtë vit pensionet janë rritur për 11%, pensionet e invaliditetit për 33%. Ne kemi dhënë subvencione për nënat dhe fëmijët e rinj dhe nuk bëjmë diskriminim sipas përkatësisë etnike apo fetare. Ne duam bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë por jo në dëm të minoriteteve. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndryshme por jo dy kombe të ndryshme. Problemi është kur Beogradi hidhet dhe dëshiron të minojë shtetësinë dhe institucionet tona. Atëherë është e natyrshme që ne të dëshirojmë të jemi më të fortë, sepse Serbia është shumë më e fortë se ne.

Pyetje: Çfarë ju bën të mendoni se serbët e Kosovës do të ishin mirë nëse vizioni juaj për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë do të realizohej?

Kurti: Në këtë mandat u zgjodha kryeministër me biletën e punës dhe të drejtësisë. Dhe mendoj se të gjithë serbët në Kosovë duan punë dhe drejtësi, nuk mendoj se më kundërshtojnë mua si kryeministër. Unë kam një ministër serb, serbët janë të përfaqësuar në të gjitha institucionet, por Beogradi u bën shumë presion që të mos jenë besnikë ndaj Republikës së Kosovës. Ne e luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin si askush tjetër në rajon. Kemi arrestuar 270 zyrtarë shtetërorë dhe publikë për korrupsion këtë vit, dhe kjo e bën qeverinë tonë më të pëlqyeshme edhe për minoritetet. Unë nuk jam vetëm kryeministri i shqiptarëve, jam kryeministër i të gjithëve. Kosova është gjithnjë e më e suksesshme.

Pyetje: Por ju dëshironi ta shpërbëni atë në një vend më të madh?

Kurti: Ne duam të forcojmë vendin tonë. Referendumi për bashkim me Shqipërinë nuk lejohet sipas kushtetutës sonë. Kushtetuta jonë ishte gjithashtu e rregulluar ndërkombëtarisht, ajo ka një nen që nuk na lejon të bashkohemi me një vend tjetër. Dhe është e vështirë të ndryshosh.

Pyetje: Pra, pse thoni se do të votoni pro në një referendum për bashkim?

Kurti: Siç thashë, ne jemi një komb, dhe është e pamundur të harrojmë se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë na është imponuar nga Serbia dhe Jugosllavia. Është një kufi që nuk është i yni. Dhe kur Serbia sulmon Kosovën, ne nuk reagojmë vetëm si Kosovë, ne reagojmë si popull shqiptar, sepse Serbia ka një aleat shumë të ngushtë në Moskë dhe është më e madhe se ne, kështu që ne reagojmë në një mënyrë që na afron më shumë mbrojtje të suksesshme.

Deri në deklarimet tjera të Kurtit për çështjen e bashkimit me Shqipërinë, ju mund të lexoni shkrime të tjera në Nacionale.

Lajme të ngjashme