Ndalimi i pagës për mësimdhënësit: A po e shkel ligjin Qeveria Kurti?
Pushteti tashmë e ka ndarë mendjen. Në mënyrë uniforme ka vendosur t’i ndëshkojë mësimdhënësit grevistë, duke mos ua ekzekutuar vetëm atyre pagën për këtë muaj, duke u thirrur në Ligjin për Greva. Edhe në mëngjesin e 4 tetorit, ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci, ritheksoi se nuk do të ketë paga për mësimdhënësit, duke i lënë fajtore komunat, të cilat, sipas saj, nuk e dërguan listën e grevistëve.
Sidoqoftë, juristët mendojnë se një gjë e tillë është e jashtëligjshme, duke paralajmëruar se në rast se ndodh ndonjë padi për mosekzekutim të pagës në gjykatë, shteti do ta paguajë edhe kamatën ligjore.
E kundërligjshme
Durim Berisha, jurist i njohur e ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurtit në Qeverinë Kurti 1, vlerëson se ndalesa e pagës, që parashihet sipas Ligjit për Greva, është një normë e vdekur tashmë, pasi që e njëjta nuk është zbatuar kurrë më parë.
“Së pari duhet theksuar se dispozita për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Greva, e cila e parasheh ndalesën e pagës për grevistët, nuk është zbatuar asnjëherë. Për këtë arsye, ajo, sipas parimeve juridike, konsiderohet normë e vdekur”, vlerësoi ai.

Në përgjigjen e tij për gazetën Nacionale, Berisha theksoi se mësimdhënësit kanë kontratë me drejtoritë komunale për arsim, e të cilat kanë pavarësi juridike.
“Pastaj, marrë parasysh faktin se mësimdhënësit kanë të themeluar marrëdhënien e punës me komunat, saktësisht Drejtoritë Komunale për Arsim, e komunat kanë subjektivitet të pavarur juridik, pezullimin e të drejtës në pagë ka kompetencë ta bëjë vetëm punëdhënësi, në këtë rast komuna. Qeveria si organ kolegjial apo ministritë nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, pasi nuk janë punëdhënësi i mësimdhënësve. Për më tepër, në asnjë dispozitë të Ligjit për Greva, Këshilli Grevist nuk obligohet t'i dorëzojë listat e pjesëmarrësve në grevë. Ndalja e pagave duhet të bëhet me vendim individual për secilin punëmarrës dhe nuk mund të bëhët në mënyrë paushalle për të gjithë.”, shtoi ai.
Ndërsa Ehat Miftaraj, drejtor ekzkeutiv i IKD-së, shkroi se mosekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin.
“Mosekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin. Është persekutim ndaj grevistëve. Përndryshe, secili grevist që paraqet Padi në gjykatë, përveç pagës, pastaj do të kompenzohet edhe për shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore. Me fjalë tjera, nga një pagë që mund të jetë 480 euro për një muaj, shteti do të paguajë dikund 1.500 Euro. Në fund, faturën e paguan taksapaguesi”, shkroi dje z. Miftaraj.
Ndryshe, Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, paralajmëroi dje padi ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, në rast se nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënësit.

Që në mëngjesin e 4 tetorit, zonja Nagavci rikonfirmoi nëpërmjet një statusi në Facebook se nuk do të ketë paga për mësimdhënësit për shkak se punëtorët e sektorit publik “kompensohen për punën e bërë”.
“Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë.”, shkroi, ndër të tjera, Nagavci.
“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë”, vazhdoi ajo.
Të hënën, Rrahman Jasharaj, në një përgjigje për gazetën Nacionale, theksoi se në rast se nuk do të ketë paga për mësimdhënësit, atëherë do të merren veprime të tjera.
“Procesi mësimor ka filluar, por për momentin e keqja më e madhe është se qeveria nuk i ka alokuar pagat për shtatorin për sistemin arsimor, përderisa i ka alokuar pagat për shërbyesit civilë, me të cilët ishim bashkë në grevë. Ne do të presim deri me 5 tetor, kur është edhe kufiri ligjor që duhet të bëhet bartja e pagave. Nësë kjo nuk bëhet, atëherë shihet qartë se është edhe një përpjekje e qeverisë për të krijuar situata të pakëndshme. Nësë ndodh kjo, ne e shohim si sulm ndaj nesh. Me këtë veprim joligjor qeveria sikur po thotë që paska pasur dëshirë që greva të vazhdojë”, tha Jasharaj për Nacionalen.


