Gati gjysma e mësuesve i dalin kundër Kurtit, votojnë për vazhdimin e grevës - NACIONALE

Gati gjysma e mësuesve i dalin kundër Kurtit, votojnë për vazhdimin e grevës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Greva mund të pezullohet, të paktën pas votimit të rreth 11 mijë anëtarëve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Por një përqindje tjetër e madhe, afër 10 mijë, u shprehen kundër një gjëje të tillë. Të njëjtit, rrjedhimisht janë edhe kundër kryeministrit Albin Kurti dhe refuzimit të tij që t’i pranojë kërkesat e tyre.

SBAShK-u mbrëmjen e së premtes ka konfirmuar se rreth 21 mijë anëtarë të sindikatës, duke përfshirë këtu edhe mësimdhënës, kanë marrë pjesë në votimin e propozimit të tyre, që të pezullohet greva.

11 mijë e 809 ose 54.88 për qind kanë votuar pro pezullimit të grevës, ndërkaq 45.12 për qind, apo 9 mijë e 707, dolën kundër kësaj kërkese.

Kjo përqindje e madhe, hedhë poshtë deklaratat e kryeministrit Kurti, i cili në vazhdimësi ka akuzuar kryesuesit e kësaj sindikate, sidomos Rrahman Jasharajn, se po e shantazhojnë.

Kërkesat s’u realizuan

Kështu po konsiderojnë shumë anëtarë të sindikatës, të cilët kanë komentuar në komunikatën e publikuar më herët, ku thonë se nuk pati asnjë marrëveshje, derisa dikush pretendon se rreth 70 për qind e anëtarësisë, ishin pro vazhdimit të grevës.

Ndërkaq, një person tjetër, ka kërkuar që të publikohen rezultat nëpër të gjitha shkollat.

“Të dhënat nuk do koment që janë të manipuluara duke ditur faktin që në të gjitha komunat janë deklaruar pro grevës. Për të qenë transparent SBASHK-u duhet publikuar të gjitha rrezultatet me emra të shkollave për secilën komunë se si kanë votuar e pastaj të shohim se a janë të vërteta rrezultatet”, ka thënë një tjetër komentues.

Dikush tjetër po thotë se kryeministri Albin Kurti po i shkel në qafë sindikalistët, dhe për këtë arsye, po ndalet greva.

“Keto rezultate nuk jane te verteta, njejte sic nuk eshte e vertete edhe pezullimi, sepse ma kurre nuk keni me hi ne greve sa te eshte Albini kryeminister. Turp!”, është shprehur një komentues.

Ekzistojnë edhe dhjetra komente të tilla në postimin e SBAShK-ut, ku kryesisht, anëtarët po shprehen kundër pezullimit të grevës.

Të nderuara anëtare, të nderuar anëtarë të SBASHK-ut ju drejtohemi sonte duke ju shprehur respektin për qëndrimin...

Posted by Sbashk Republika e Kosovës on Friday, September 30, 2022

Kurti kundër SBAShK-ut

Në fund, siç shihet në rezultatet e votimit, nuk ishte SBAShK-u kundër Qeverisë, por mësimdhënësit. Sidoqoftë, kryeministri problemin e pati me të parët, sidomos me kryesindikalistin Rrahman Jasharaj.

Kurti pretendonte se Jasharaj u soll në mënyrë private me të, duke i thënë “ndihmom si vëlla”

“Ndihmom si vlla, na ndihmo të dalim nga kriza si vlla ami 100 euro. Nuk bën kështu. Nuk mundesh me u sjell me Qeverinë e Kosovës në mënyrë private. Këto janë kohërat e kaluara, marrëveshjet që janë bërë në të kaluarën kanë qenë private unë nuk bëj ashtu. Unë kam ofruar pako për përballje me inflacionin, edhe ajo do të realizohet. Edhe një herë po them: 50 euro që i merr mësimdhënësit jo derisa të kalon Ligji i Pagave por përballje me inflacionin është rritje më e madhe. Çështja është diku tjetër, komplet opozita e mbështet grevën e s’është çudi që deputeti që e përkrah këtë grevë është ai më shumë shurdhues”, shtoi Kurti.

Veç kësaj, ai vazhdoi sulmet edhe më tutje, kur i quajti “sindikalistë të PAN-it që koha iu ka ndaluar në qershorin e vitit 2017”.

“Kurs kundër Qeverisë së progresit e shpresës, prej sindikalistëve të PAN-it të cilëve iu ka ndaluar sahati më 5 qershor të vitit 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it dhe duan t’i bëjnë shërbim PAN-it në opozitë, duke bërë grevën armë kundër Qeverisë”, ka thënë Kurti.

Vlen të përmendet se Jasharaj mori sulme edhe nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke nisur këtu nga Elvis Hoxha, i cili deklaroi rrejshëm se kryesindikalisti ka qenë pjesëtarë i një partie serbe.

Lajme të ngjashme