Me 55% PËR dhe 45% KUNDËR, anëtarësia e SBAShK-ut vendos për fillim të mësimit - NACIONALE

Me 55% PËR dhe 45% KUNDËR, anëtarësia e SBAShK-ut vendos për fillim të mësimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbi 50 për qind të mësimdhënësve në Kosovë janë shprehur pro pezullimit të përkohshëm të grevës, derisa një përqindje tjetër, mjaftë e madhe, u deklaruan kundër një vendimi të tillë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se ka përfunduar votimi i mësimdhënësve, mundësi kjo që e patën për dy ditë.

SBAShK-u në komunikatën për media ka bërë të ditur se sindikalistët qëndruan dinjitozë ndaj qasjes së Qeverisë, të cilën e konsideruan të gabuar.

“Na fyen e linçuan, por ari nuk përlyhet. Ju ishit dhe mbeteni luftëtarë të dritës kundër errësirës. Të vazhdojmë rrugëtimin Bashkë e në SBAShK”, kanë thënë nga SBAShK-u.

Tutje në komunikatë është konfirmuar se në votim kanë marrë pjesë 21 mijë e 516 anëtar të SBASHK-ut, ose mësimdhënës, që i bie 86.91 për qind.

Ndërkaq, 3 mijë e 288 nuk kanë marrë pjesë fare në deklarim.

Përfundimisht, pro pezullimit të përkohshëm të grevës janë deklaruar 11 mijë e 809 ose 54.88 për qind, ndërsa kundër, u deklaruan 9 mijë e 707 ose 45.12 për qind.

Të nderuara anëtare, të nderuar anëtarë të SBASHK-ut ju drejtohemi sonte duke ju shprehur respektin për qëndrimin...

Posted by Sbashk Republika e Kosovës on Friday, September 30, 2022

S’ka ende vendim zyrtar

Vendimi zyrtar për pezullimin ose jo të grevës nuk është shpallur ende.

SBASHK-u në këtë komunikatë thekson se vendimi do t’i dorëzohet Këshillit Grevistë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, dhe pas kësaj, shpallet vendimi.

“Këto shënime do t'i dorëzohen Këshillit Grevist të BSPK-së për t'i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së SPAK dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën, e cila është shpallur nga BSPK”, thuhet në fund të komunikatës.

SBASHK-u gjatë kësaj jave mroi vendim që t’u jep mësuesve dy ditë kohë që të vendosin vetë nëse duan të pezullohet greva deri në janar dhe mësimi të fillojë nga 3 tetori.

“Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut po kërkon nga anëtarësia mendim për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”, kishte deklaruar Rashit Kushaj i SBASHK-ut për Nacionale.

Sulmet e Kurtit ndaj sindikatës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vazhdimësi ka sulmuar SBAShK-un.

Në një replikë ndaj deputetit Memli Krasniqi, Kurti dje tha se sindikatat e kanë arsyetuar grevën me rritjen e çmimeve.

Por sipas tij, çmimet janë rritur për të gjithë, e jo veç për mësimdhënësit.

“E dyta, deputeti Krasniqi tha që ky është një problem specifik. Nuk është problem specifik. Unë i kam takuar shumë herë BSPK-në e SBAShK-un, dhe ata thoshin që janë rritur çmimet. Por, çmimet nuk janë rritur specifikisht për mësuesit dhe arsimtarët. Nëse në vetëshërbime do të shkruante që çmimet vlejnë vetëm për mësues dhe arsimtarë ky do të ishte problem. Çmimet janë rritur për të gjithë, dhe për të gjithë është Pakoja për inflacion. Ata janë kategori e veçantë, por problemi nuk është specifik”, tha ai.

Të dielën që lamë pas, Kurti i konsideroi sindikalistët si të PAN-it, në këtë rast, të partive opozitare.

“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, kishte thënë Kurti.

Lajme të ngjashme