"Na ndihmo si vëlla": A e keqpërdori Kurti të folurën dashamirëse të Rrahman Jasharajt? - NACIONALE

"Na ndihmo si vëlla": A e keqpërdori Kurti të folurën dashamirëse të Rrahman Jasharajt?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rrahman Jasharaj ka marrë një mori goditjesh të ulëta në javët e fundit – duke u lidhur me Serbinë, ShIK-un, kërkesa arbitrare, cilësinë e dobët në arsim etj. – por kjo e fundit që i bëri kryeministri mund të jetë më e ulëta.

“Na ndihmo kryeministër, si mik, si vëlla,” – është një prej fjalive që Rrahman Jasharaj i ka thënë kryeministrit Albin Kurti në takimin që ka pasur me të në mëngjesin e sotëm.

Kjo iu konfirmua Nacionales edhe nga Ali Sefaj që ishte pjesëmarrës në takim.

Por, Kurti e shfrytëzoi edhe një mënyrë të tillë të shprehjes dashamirëse nga z. Jasharaj për ta lidhur me nënkuptime nepotiste megjithëse kërkesat ishin për punëtorët e sektorit publik që ai përfaqëson.

Çka tha Kurti?

“Më thoshin, na ndihmo si vëlla. Si vëlla të ndihmoj privatisht. Por, unë jam kryeministër. Dhe ka kalu koha kur kryeministrit bëhen vëllezër. (Ka kalu koha) Kur kryeministri të ndihmon si vëlla. 80% të punëtorëve në Kosovë janë të sektorit privat, ata e mbushin buxhetin. 20% janë të sektorit publik.” - u shpreh Kurti.

Por, një qëndrim i tillë po konsiderohet si një abuzim i ulët me mënyrën se si shprehet z. Jasharaj.

Politologu Shkodran Ramadani e ka quajtur “abuzim me mirëbesimin e palës tjetër” deklaratën e Kurtit, duke u shprehur si vijon:

“Nuk ka qenë rastësisht pjesë e slloganit të Revolucionit Francez: “Liri, Barazi, Vëllazëri”, ngjarje e cila dikur në shkollat e Vetëvendosjes admirohej si një nga më të rëndësishmet në historinë e gjatë të përpjekjeve të njerëzimit për barazi. Mirëpo, duke abuzuar me mirëbesimin e palës tjetër, kryeministri fjalës së bukur “vëlla” i dha vetëm konotacionin e shëmtuar nepotist, që dorën në zemër ka lulëzuar nën qeverisjen e tij, si asnjëherë më parë.”

Analisti i mirënjohur Imer Mushkolaj ka ironizuar me Kurtin duke e asociuar këtë ironi me njërin prej deputetëve të pushtetit, Mirsad Shkretën, të cilit i ishin gjetur 50 mijë euro të një “baxhanaku” në banesë.

“Në vend që t’i thotë “na ndihmo si vëlla”, Rrahmani ka mujtë me i thonë Albinit “na ndihmo si baxhanak”. Nashta kish me pasë ma shumë efekt” – shkroi ai.

Vëllai në fjalor

Përveç vëllait që përshkruan “djalin kundrejt fëmijëve të tjerë që kanë prindër të njëjtë”, fjalori përshkruan edhe vëllain “me të cilin na lidhin kushtet shoqërore, idealet e qëllimet e përbashkëta”.

“Shok mendimi e ideje, shok lufte; shok a mik shumë i ngushtë. Vëllezër klase. Vëllezër armësh. Jemi vëllezër. E kam vëlla e shkuar vëllait, e kam shok e mik shumë të dashur, si vëlla e më të afërm se vëllanë.”

Por, edhe në përdorimin e gjerë në gjuhën shqipe fjala “vëlla” nuk përshkruan thjesht lidhjen e gjakut por edhe afërsinë shoqërore mes dy individëve.

Në fjalorin etimologjik, thuhet që nga Proto-Indo-Evropianishtja vëlla përshkruan “njeriun, njerëzit” që nënkupton “përkitjen te i njëjti grup njerëzish”.

Është më se e qartë se ndihma e kërkuar nga z. Jasharaj nuk ka asnjë lidhje me dukurinë e shëmtuar të nepotizmit dhe se një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare përdor fjalën "vëlla" pa nënkuptuar qëllime dashakëqija nepotiste.

Takimi mes Kurtit dhe Jasharajt raportohet të mos ketë qenë i frytshëm pasi Greva e Përgjithshme vazhdon të mbetet në fuqi.

Lajme të ngjashme