Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëron se Putini mund të “shkojë në Ballkan” - NACIONALE

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëron se Putini mund të “shkojë në Ballkan”

6 muaj më parë

nga NACIONALE

James Miheal Johnson, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, ka folur për luftën në në Ukrainë dhe pushtimin rus. Në këtë kontekst, Johnson ka dhënë një mendim për hapat e radhës së Vladimir Putinit, president i Rusisë, në rast se pushtimi rus ka sukses në Ukrainë.

Sipas Johnsonit, Putini mund të marrë hapa drejt Ballkanit, duke paralajmëruar se mund të ketë një ballafaqim me Poloninë ose njërin nga aleatët tanë të NATO-s.

“Unë besoj se [presidenti kinez] Xi dhe [presidenti rus] Vladimir Putin dhe Irani vërtet janë një bosht i së keqes. Mendoj se ata janë në bashkërendim për këtë. Mendoj se Vladimir Putini do të vazhdonte që të marshonte nëpër Evropë, nëse do të lejohej. Mendoj se mund të shkojë në Ballkan më pas. Mendoj se ai mund të ketë një ballafaqim me Poloninë ose me njërin nga aleatët tanë të NATO-s” – ka vlerësuar ai, transmeton Nacionale.

Këtë deklaratë, Johnson e tha gjatë fjalës së tij për luftën në Ukrainë dhe nevojën për ndarjen e ndihmës ushtarake per shtetin ukrainas, që po përballet që nga shkurti i 2022 me pushtimin rus.

“Shikoni, historia na gjykon për atë që e bëjmë. Kjo është kohë kritike tash për tash, kohë kritike në skenën botërore. Unë mund të marr një vendim egoist dhe të bëj diçka që është ndryshe, por këtu po e bëj atë që besoj se është gjëja e duhur. Mendoj se ofrimi i ndihmës vdekjeprurëse Ukrainës tash për tash është i rëndësishëm në mënyrë kritike” – ka theksuar ai, transmeton Nacionale.

Tutje, Johnson vlerësoi se duhet bërë gjëja e duhur.

“Kjo nuk është lojë, nuk është shaka. Nuk mund të luajmë politikë me këtë, duhet ta bëjmë gjënë e duhur dhe unë do të lejoj një mundësi për secilin anëtar të Dhomës [së Përfaqësuesve] që të votojnë me ndërgjegjen dhe vullnetin e tyre për këtë dhe mendoj se kjo është mënyra se si ky institucion duhet të funksionojë dhe unë jam i gatshëm që të ndërmarr rrezik personal [për t’u shkarkuar] për këtë, sepse ne duhet ta bëjmë gjënë e duhur dhe historia do të na gjykojë” – vazhdoi Johnson.

Sjellim ndër mend që vetë Joe Biden, president i ShBA-së, kishte ngritur paralajmërime pak a shumë të ngjashme. Në një fjalim të mëparshëm, Biden kishte thënë se nëse Rusia nuk ndalet, atëherë “çfarë mendoni se do të ndodhë me vendet e Ballkanit?”

“Nëse ne ndalemi, dhe Rusia vazhdon të luftojë dhe mposhtet Ukraina, çfarë mendoni se do të ndodhë me vendet e Ballkanit? Çfarë do të ndodhë me Poloninë deri te Hungaria? Seriozisht, mendoni për këtë. E ndryshon dinamikën” – kishte thënë Biden kohë më parë, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Lajme të ngjashme