“Ndërrimi i targave në RKS absolutisht normal, edhe zjarrëvënësit po i konvertojnë”: Jabllanoviq flet për regjistrimet e veturave
Regjstrimi ose konvertimi në targa “RKS” është gjë “absolutisht normale dhe private”, thotë Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, në një intervistë me Nacionalen në dritën e një numri të madh qytetarësh serbë që po kthenin veturat e tyre në targa të Republikës së Kosovës.
Muaj më parë piktura ishte krejt tjetër kur raportohej në baza thuajse ditore për djegie të veturave të serbëve që synonin ta bënin këtë konvertim në komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Por, për Jabllanoviqin, ndonëse thotë se “nuk kam prova” ka diçka tejet goditëse për thënë.
“Shumë prej serbëve që digjnin veturat e serbëve tash po ndërrojnë targat (në RKS)”, na tha zoti Jabllanoviq
Pyetur nga Nacionale se “a po thoni që Lista Serbe i paska braktisur këto metoda frikësimi, shantazhimi, djegie të veturave: Që njerëzit tash të mund të regjistrojnë veturat e tyre pa qenë të shtyrë me këso frikësime?”, Jabllanoviq pajtohet.
“Fatmirësisht, mund të pajtohem me juve. Ka pjesë të vërteta në këtë që po thua. Çka është edhe më qesharake, dhe e shoh si paradoks; është që besoj se shumë prej serbëve që digjnin veturat e serbëve tash po ndërrojnë targat”, shtoi ai.
Në pyetjen tjetër, megjithatë, se këta serbë (108 sosh vetëm ditën e djeshme) që po kthejnë veturat në targa RKS, “apo e njohin shtetin e Kosovës” Jabllanoviq i shmanget një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“E po, në targa të veturës aty s’keni nacionalitet – se a po e pranoni një shtet ose jo...”, tha ai.
Nacionale këtu e ndërhyi me një pohim faktik se “Por, ama është RKS; është Republikë” ndërsa ai i kthehet njëlloj të “whataboutism”-i për të shënuar dimensione tjera të një pohimi të tillë.
“Por, në të njëjtën kohë kemi shumë politikanë dhe biznesmenë në Prishtinë që flasin shumë gjëra qesharake në media, por në shtëpitë e tyre kanë pasaporta të Serbisë pa viza. Si po udhëtojnë ata në Evropën Perëndimore? Pra, të jem krejt i qartë, babai im kishte targa RKS nga viti 2017. Asgjë të çuditshme s’kishte aty. E bleu atë veturë, pagoi targat, ato targa janë të tij”, tha ai.
“Nëse themi që regjistrimi i veturës do të thotë që ju njehni dikë (një shtet) ose nuk e njihni atëherë mund të themi që deri në vitin 1999 të gjithë e njohën Serbinë si shtet të tyrin. Por, nuk është e vërtetë. Duhet të pranojmë çka është realiteti. Dhe çfarë është mënyra më e lehtë për njerëzit”.
Një pjesë nga intervista me Jabllanoviq (Me video publikohet në Nacionale Videos):
Nacionale: Çka më rroku si tejet interesante është ajo që po shoh shumë njerëz të konvertojnë targat. Kohë më parë kishim lajme për djegie të veturave. Por, tash s’është më kështu. Po shohim që qytetarë vullnetarisht po heqin ato dhe i po i zëvendësojnë me RKS. Si e shihni këtë zhvillim?
Jabllanoviq: Ishte tepër gabim që disa serbë digjnin vetura tjerëve që zgjidhnin të shfrytëzojnë mundësinë të ndërrojnë targat prej KM në RKS. Absolutisht është çështje private. Nëse dikush mendon se ka shans më të mirë për të udhëtuar dhe të vozis veturën më lehtë, është absolutisht normale që të merr ato targa (RKS). Unë jetoj në Leposaviq tërë jetën, por adresa ime është në Serbinë Qendrore. Ae dini pse? Sepse për mua është më e lehtë. Sepse kam pasaport që s’më nevojitet vizë. E në të njëjtën kohë kam edhe pasaportë të Kosovës. Por, e kam vetëm sepse kisha mundësinë ta kem; por, nuk mund të udhëtoj me të. Është e njëjtë edhe me targat kjo.
Nacionale: Mirëpo, ju po thoni që është gjë normale, gjë private. A nuk ishte private dhe normale edhe para 6 muaje?
Jabllanoviq: Sigurisht. Edhe atëherë ishte gjë private. Mirëpo duhet të jemi të qartë që disa njerëz që nuk janë zgjedhur kurrë nga ky komunitet; e kam fjalën për ata të Listës Serbe ata e marrin mbi vete të drejtën që të jenë zotëruesit e jetës dhe vdekjes. Nëse ata thanë që ishte kundër politikave tona, kundër perspektivës sonë të përkohshme që dikush të zëvendësojë targat KM; a kemi edhe po aq liri sa të pranojmë që dikush mundet që pa asnjë pasojë të të djeg veturën? Ishte, pra, normale: edhe para 5-6-7 muajve por Lista Sebre në ato kohë mendonin ndryshe, dhe tash po dërgojnë tjetër sinjal. Nëse ju kujtohet, isha veç unë dhe partia ime që dërguam mesazhe në media që ne dënojmë dhe nuk pranojmë mënyrën që dikush të djeg prona private.
Nacionale: Pra, a po thoni që Lista Serbe i paska braktisur këto metoda frikësimi, shantazhimi, djegie të veturave: Që njerëzit tash të mund të regjistrojnë veturat e tyre pa qenë të shtyrë me këso frikësime?
Jabllanoviq: Fatmirësisht, mund të pajtohem me juve. Ka pjesë të vërteta në këtë që po thua. Çka është edhe më qesharake, dhe e shoh si paradoks; është që besoj se shumë prej serbëve që digjnin veturat e serbëve tash po ndërrojnë targat.
Nacionale: Mirëpo, kjo është ironike apo jo?
Jabllanoviq: Po, është ironike. Njerëzit lokalë që jetojnë këtu nuk kanë fuqi për të sjellë vendime që janë në emër tonë. Vendimet në emrin tonë gjithmonë vjen i sjellë dikush nga Beogradi ose nga komuniteti ndërkombëtar ose Prishtina. Dhe kjo është shumë gabim.
Nacionale: Por, këta njerëz që po i kthejnë në targa të Republikë së Kosovës (RKS) a po e pranojnë Kosovën si shtet të tyrin?
Jabllanoviq: E po, në targa të veturës aty s’keni nacionalitet – se a po e pranoni një shtet ose jo.
Nacionale: Por, ama është RKS; është Republikë...
Jabllanoviq: Por, në të njëjtën kohë kemi shumë politikanë dhe biznesmenë në Prishtinë që flasin shumë gjëra qesharake në media, por në shtëpitë e tyre kanë pasaporta të Serbisë pa viza. Si po udhëtojnë ata në Evropën Perëndimore? Pra, të jem krejt i qartë, babai im kishte targa RKS nga viti 2017. Asgjë të çuditshme s’kishte aty. E bleu atë veturë, pagoi targat, ato targa janë të tij. Nëse themi që regjistrimi i veturës do të thotë që ju njehni dikë (një shtet) ose nuk e njihni atëherë mund të themi që deri në vitin 1999 të gjithë e njohën Serbinë si shtet të tyrin. Por, nuk është e vërtetë. Duhet të pranojmë çka është realiteti. Dhe çfarë është mënyra më e lehtë për njerëzit.