Uji i pijshëm: Institucionet i kanë borxh 300 mijë euro kompanisë së Ujësjellësit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të mbajtur të martën, ka obliguar që të gjitha lokalet e gastronomisë të shërbejnë klientët e tyre me ujë nga çezma. Mirëpo, sipas Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, thuhet se vetë Institucionet e Kosovës i kanë borxh 300 mijë euro për ujë.
Teksa tallja me vendimin e Qeverisë që obligon gastronomët të shërbejnë ujin për konsumatorët po vazhdon, në të njejtën kohë këta qytetarë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Herë për shkak të punimeve e herë për mungesë si pasojë e keqpërdorimit të ujit të pijshëm.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KRU Prishtina për Nacionalen ka thënë se vendimi i qeverisë për gastronomët është i mirëseardhur, por thekson se borxhi i gastronomëve por edhe i institucioneve është i lartë.
“Vendimi i fundit i Qeverisë së Republikës së Kosovës që, konsumatorëve të gastronomisë t’u ofrohet gotë me ujë nga çezmat/krojet e tyre, për ata që janë të kyçur në ujësjellës publik, është më se i mirëpritur nga ne. Ujësjellësin nuk e rëndon aspak uji për pije, derisa me ujë të pijshëm ata pastrojnë edhe gotat, pjatat, dhe përgatisin ushqime për konsumatorin e tyre”, ka komentuar ajo.
“Realisht borxhet përgjithësisht janë të mëdha, ka shumë gastronomë që janë shumë të rregullt në pagesa të shërbimeve të ujit, madje duke cilësuar që disa prej tyre janë edhe në parapagim, por prapë ka shumë prej tyre që edhe nuk janë të rregullt me pagesën e faturave të ujit”, shton ajo.
Sipas saj, borxhi total i bizneseve është mbi 7 milionë euro ndërkaq i institucioneve është rreth 300 mijë euro.
“Borxhi total i sektorit të bizneseve të vogla e të mëdha është mbi 7 milionë euro ( mbi 5 milion euro bizneset e vogla dhe mbi 2 milion euro bizneset e mëdha). Borxhi total i institucioneve është rreth 300 mijë euro” - nënvizon ajo.
Mjeku theksoi se sektori i amvisërisë ka probleme më së shumti për shkak të mospagesave të faturave
“Borxhi total i të gjitha kategorive, për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit është afro 50 milionë euro. Borxhi total i sektorit të amvisërisë për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milion euro”, ka thënë ajo.
Pse ndalet uji pas orës 00:00?
Zëdhënësja e KRU thotë se një nga arsyet pse ka ndalje të ujit në orët e vona të mbrëmjes është për shkak të akumulimit të ujit në rezervuare.
“Kohëve të fundit janë rritë keqpërdorimet e ujit të pijshëm, me ç’rast disa pika të larta furnizuese po e ndjejnë mungesën e ujit. Mungesa e ujit mund të ndjehet më shumë gjatë natës ngase ne duhet akumuluar ujin në rezervuare, në mënyrë që gjatë ditës të kemi më shumë ujë për konsumatorin”, ka thënë ajo.
Ajo paralajmëron se nëse vazhdojnë këto temperatura dhe rënia e nivelit të ujit në liqenin e Batllavës dhe Badocit atëherë do të ketë reduktime më shumë.
“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është minus 1.52 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit minus 7.90 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes . Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë. mNivelin e ujit në liqenin e Batllavës e kemi mjaft mirë derisa në gjendje jo të mirë është liqeni i Badocit. Nëse vazhdon ky trend i keqpërdorimeve që po ndodh tani, duke e pasë parasysh edhe rënien e nivelit të ujit në liqenin e Badocit dhe po ashtu nëse mbretërojnë edhe këto temperatura të larta, ne do të detyrohemi që për zonat e shërbimit pas pak kohe, të aplikojmë edhe reduktime të planifikuara të ujit”, ka thënë ajo.
Kujtojmë që objektet e gastronomisë duhet të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga Institutit i Shëndetësisë Publike dhe ta ekspozojnë atë në lokale.
Përndryshe mungesa e ujit po vërehet edhe në qytete të tjera të Kosovës.


