“Projekt madhor”, “E paske zbutë krizën”, qytetarët tallen me vendimin e Qeverisë për shërbimin e ujit nga çezma - NACIONALE

“Projekt madhor”, “E paske zbutë krizën”, qytetarët tallen me vendimin e Qeverisë për shërbimin e ujit nga çezma

4 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Një vendim interesant ka dalë nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e cila është mbajtur sot gjatë ditës. Një nga 23 vendimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, preku edhe gastronominë. Më saktësisht, ekzekutivi obligoi të gjitha lokalet e gastronomisë të shërbejnë klientët e tyre me ujë nga çezma. E pas këtij vendimi, plasi gallata në rrjete sociale.

Në fakt, përveç hajgareve në adresë të Qeverisë, qytetarët shkruan edhe komente koxha kritike.

Dhjetëra qytetarë komentuan në faqen e gazetës Nacionale në Facebook, duke treguar mendimin e tyre për këtë vendim të Qeverisë.

Shumë nga ta, ironizuan me ekzekutivin.

Një projekt madhor për zhvillimin e vendit”, ishte një nga komentet sarkastike.

Kjo qeveri për qesi cikrrima është, se për tjetër këta nuk janë të aftë”, shkroi një tjetër komentues.

Një komentues i dha të drejtë ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kishte kritikuar ashpër Qeverinë Kurti.

Mirë e ka pasë Ramushi që u ka thanë...NJË SHPI BUDALLË”, komentoi.

Auu po e paske zbutur koxha fort krizën!!??”, ironizoi një tjetër komentues.

Ndërsa një tjetër shkroi se “është ka punon kjo Qeveri e kënaqi popullin”.

Arian Henci, pronar i njërës nga kafiteritë më të frekuentuara në Prishtinë, ka shkruar një status, ku ka ironizuar me këtë vendim.

Veç në pifshin me grushta se bardak, limon e akull harrone”, ka shkruar ai.

Ndërsa Shoqata e Gastronomëve e ka mirëpritur këtë vendim. Por, Petrit Kllokoqi, kryetar i kësaj shoqate, ka thënë se IKSHPK duhet të ofrojë analizat e nevojshme laboratorike.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për me shërby ujë është i drejtë dhe duhet respektuar. Ne si gastronomë, lusim IKSHPK-në, që të na sigurojë me analiza laboratorike, që ky ujë që do t’u shërbehet qytetarëve të jetë ujë i pijshëm”, theksoi Kllokoqi për Klan Kosova.

Çka vendosi Qeveria në mbledhjen e fundit?

Vendimi më i rëndësishëm i mbledhjes mund të konsiderohet emërimi i bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke e ditur se që një kohë ky bord ishte jofunksional.

Dhë një vendim tjetër ka të bëjë me fushën e arsimit. Në këtë mbledhje u miratua Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili rregullon ofrimin e edukimit cilësor, gjithëpërfshirës në të gjitha format deri në moshën 6-vjeçare.

Po ashtu është ndryshuar dhe plotësuar vendimi për sanksionet ndaj Rusisë, si shkak i luftës mbi Ukrainën.

Njëkohësisht Qeveria ka miratuar projektligjin për antidopingun, që përcakton rregullat themelore dhe mekanizmat që luftojnë përdorimin e substancave dhe metodave të dopingut në sport, duke synuar mbrojtjen e shëndetit të sportistëve.

Në lidhje me këtë çështje, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se një gjë e tillë bëhet që qytetarët të kenë ujë të shëndetshëm dhe të sigurt për pije.

Me qëllim që të vendosim standardet normative të ujit për konsum njerëzor dhe në mënyrë që të mbrohet shëndeti i njerëzve që uji të jetë i pastër dhe i shëndetshëm në objektet e gastronomisë: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i objektit nuk mund t‘ua ndalojë qytetarëve që të furnizohen me ujë nga rubineti; në rastet kur objekti i gastronomisë nuk furnizohet me ujë nga ujësjellësi publik, pronari i lokalit duhet ta respektojë nenin 7 dhe 8 të udhëzimit administrativ 10/2021 për ujë të destinuar për konsum njerëzor dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK dhe të njëjtën ta ekspozojë në lokal”, tha ministri Latifi.

Kujtojmë që objektet e gastronomisë duhet të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga Institutit i Shëndetësisë Publike dhe ta ekspozojnë atë në lokale.

Lajme të ngjashme