Edhe Bekim Jashari përfshihet në krimin në Skënderaj - NACIONALE

Edhe Bekim Jashari përfshihet në krimin në Skënderaj

4 vjet më parë

nga Gazeta Nacionale

Që nga vikendi, tema kryesore është një krim në Skënderaj. Detaje të reja po vazhdojnë të dalin në dritë nga plagosja e dy policëve nga djali e vëllai i Nuredin Lushtakut, ish-gjeneral i UÇK-së e ish-nënkryetar i Skënderajt. Së fundmi, në këtë krim është përfshirë edhe Bekim Jashari, ish-kryetari i komunës së Skënderajt e njeri i afërt i Lushtakut.

Në seancën ku do të vendosej për paraburgosjen e të të dyshuarve për plagosjen në Skënderaj, janë mësuar edhe detaje të reja.

Sipas deklaratave të Lushtakut, kuptohet se policët që ishin viktimë e dhunës, u çarmatosën. Madje, njëra nga armët e policëve përfundoi në duart e Bekim Jasharit, djalit të heroit Hamëz Jashari.

Pas përleshjes që përfundoi me plagimin e policëve, raporton Koha.net, arma e policit Enver Berisha përfundoi në duart e Jasharit. Ai tutje e dorëzoi në Polici.

Prokuroria ka thënë se Nuredin Lushtaku kishte shkuar me dy vëllezërit e tij, pas thirrjes nga djali i tij, që veçse kishte pranuar një gjobë trafiku.

Çfarë ndodhi në Skënderaj?

Ish-nënkryetari e ish-deputeti i PDK-së kishte dalë në vendngjarje për t’i qëruar hesapet.

Nga kjo përplasje, dy zyrtarë policorë mbetën të lënduar. Si i dyshuar kryesor u ftua pikërisht Nuredin Lushtaku.

Lushtaku, në një deklarim për Kallxo.com tha se ai nuk ka gjuajtur në drejtim të policëve, porse të njëjtit janë plagosur mes vete.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagosë unë kë, as nuk e kanë plagosë vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagosë policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia.

Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tutë kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagosë na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagosë askënd, nuk kemi përdorë armë”, kishte deklaruar gjatë ditës Lushtaku.

I njëjti pas deklaratës është liruar në procedurë të rregullt.

Megjithatë, këto zëra i mohoi Inspektorati Policor i Kosovës.

Përmes një komunikate konfirmoi se pas konsultimit me autoritetet relevante arritën në përfundim se asnjë prej zyrtarëve policorë nuk ishte i dyshuar.

“Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë, hetimet lidhur me këtë incident do t'i vazhdojë Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Ajo që është e rëndësishme, të dy policët janë në gjendje të mirë, pra jashtë rrezikut për jetë, teksa janë duke u kuruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për këtë foli edhe mjekja kujdestare në Klinikën e Ortopedisë, Vjosa Binqe.

Binqe tha se gjendja e pacientit të plagosur në këmbë është stabile dhe po merr trajtimin e duhur.

“Polici ka arritur është pranuar në ora 3:28 domethënë në mëngjes, gjendja e tij është stabile, analizat janë në normë, sa i përket lëndimit, ka pësuar lëndim në shputën e majtë, domethënë është një plagë tejshpuese me armë zjarri, është trajtuar, është vendosë imobilizimi me gips, është dhënë terapia e cila jepet për këtë gjendje, antibiotikë, mbrojtje antitetanike, analgjetikë, për momentin gjendja e tij është stabile dhe nuk ka ndonjë pengesë”, tha ajo për RTK-në.

Në anën tjetër, Arbër Lushtaku, djali i Nuredin Lushtakut, bashkë me xhaxhain e tij Arif Lushtakun (vëllai i Nuredin Lushtakut) tashmë janë dorëzuar në Polici, gjegjësisht në stacionin "Jugu".

Ata dyshohen gjithashtu për pjesëmarrje në rastin e mbrëmshëm në Skënderaj.

Kujtojmë gjithashtu se njëri prej policëve të plagosur është Mërgim Geci, i cili nuk ka lidhje me familjen e ish-deputetit të LDK-së, Ganisë.

Ky i fundit, e pranoi për Nacionalen se nuk është i tyre.

“Jo, jo, jo, nuk është i joni. S’kemi na as në TMK, as në FSK, as në polici, asnjë hiç. Njo e kemi pasë në polici edhe ky ka dalë në penzi. S’osht i joni, Gec tjetër është ai”, ka thënë Gani Geci.

Lidhur me këtë rast ka folur edhe nënkryetari aktual i komunës, Sami Lushtaku.

Në një prononcim për Nacionalen gjatë orëve të ditës, ai pohoi se nuk ka informacione nga vendi i ngjarjes, porse lajmin e mësoi nga mediat.

Po, lajmin e pashë në media, por në të vërtetë nuk kam informacione se çfarë ka ndodhur”, tha Lushtaku.

Lajme të ngjashme