Bekim Jashari asnjë fjalë për Nuredin Lushtakun, por si kryetar komune i uronte ditëlindjen me video - NACIONALE

Bekim Jashari asnjë fjalë për Nuredin Lushtakun, por si kryetar komune i uronte ditëlindjen me video

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Plagosja e dy policëve në Skënderaj ka tronditur mbarë Kosovën për shkak se i përfshirë në rast ishte Nuredin Lushtaku, një ndër njerëzit e fortë të Drenicës që ka shërbyer si nënkryetar në administratën e Bekim Jasharit. Ky i fundit ka pasur një raport jo vetëm profesional me të dyshuarin, por madje edhe shumë miqësor.

Gazeta Nacionale ka provuar gjatë ditës së djeshme që të merrte një prononcim në lidhje me rastin pikërisht nga z. Bekim Jashari por ky i fundit nuk e ka hapur telefonin.

Ai nuk ka postuar asgjë as në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Sidoqoftë, postimet e tij për kohën sa ishte kryetar i Skënderajt ishin të shumta dhe shumica dërrmuese prej tyre – qindra sosh prej kur e nisi mandatin – nisnin me togfjalëshin “bashkë me nënkryetarin”.

Jashari përshkruante aktivitetet që kishte kryer, shumica dërmuese prej të cilave del se janë bërë nën praninë e nënkryetarit të tij, tashmë i dyshuar për plagosjen e një zyrtari policor.

Skënderaj duket se po e vazhdon këtë ‘traditë’ të nënkryetarëve të ‘fuqishëm’ me Sami Lushtakun, që konsiderohet si figurë më e pushtetshme madje edhe se kryetari i tij, Fadil Nura.

Për të ilustruar lidhjen profesionale e personale të z. Bekim Jashari me z. Nuredin Lushtaku mund të shërbejë edhe videoja e postuar nga i pari me rastin e ditëlindjes së të dytit më 27 shkurt.

Nuk dihet nëse z. Jashari e kishte edituar videon personalisht apo e kishte porositur dikë tjetër për ta kryer një detyrë të tillë. Sidoqoftë, ajo që bie në sy është edhe përshkrimi që shoqëron videon:

“I nderuar shoku im dhe i babushit tim, bashkëluftetar i Komandantit Legjendar Adem Jashari, ti që qëndrove afër nesh, në luftë dhe në paqe, urime ditëlindja, shëndet e gëzime.

Bashkë me ty dhe shumë tjerë do të vazhdojmë rrugën tonë të drejtë, në shërbim të qytetarëve të komunës sonë.

Na priftë e mbara!”

Një praktikë e tillë e urimit publik të ditëlindjes nga kryetari për nënkryetarin nuk është hasur deri tash në vendin tonë.

Sidoqoftë, afërsia e tyre personale e profesionale mund të detektohet edhe nga shumë e shumë aktivitete të kryera së bashku. Mund të shohim Përparim Ramën (kryetar i Prishtinës) pa Alban Zogajn (nënkryetar) apo Shaqir Totajn pa nënkryetarët e tij, por nuk mund të shihej askund Bekim Jashari pa nënkryetarin e tij.

Edhe në postimin e fundit të bërë nga z. Bekim Jashari, më 29 qershor (të mërkurën e kaluar) i pranishëm ishte Nuredin Lushtaku që përkujtonte betejën e Hadës.

Lajme të ngjashme