Krismat e mesnatës: Gjithçka që ndodhi në sulmin e policëve në Skënderaj - NACIONALE

Krismat e mesnatës: Gjithçka që ndodhi në sulmin e policëve në Skënderaj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pak minuta para mesnatës, dy auto-ambulanca do të niseshin me nguti drejt një pike kontrolli në Skënderaj ku dy zyrtarë policorë kishin mbetur të plagosur. Emri i njërit prej personave që dyshohet të ketë shtënë në drejtim të policëve, ai i Nuredin Lushtakut, e bëri edhe më të rëndë gjithë ngjarjen. Çka ndodhi?

Njëri zyrtar policor ishte plagosur me armë zjarri në këmbë, kurse tjetri ishte lënduar me mjete të forta sipas një njoftimi nga ana e Policisë së Kosovës.

Se cilat mjete të forta ishin përdorur, nuk është specifikuar, megjithatë dihet se të dy policët janë jashtë rrezikut për jetë dhe po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

E gjitha kishte ndodhur për shkak të një gjobe trafiku të dhënë ndaj ngasësit të veturës, i cili nuk dihet se cili ishte.

Sinjali mëson se ngarja kishte ndodhur në rrugën “Fadil Rrustemi” dhe ngasësi ishte Arbër Lushtaku. Por, kjo gazetë pretendon se vetëm pasi është gjobitur ngasësi kanë ardhur Nuredin Lushtaku me vëllezërit e tij "për t'u hakmarrë". Ata nuk kanë cituar ndonjë dëshmitar të rastit por megjithatë janë thirrur në burime.

Sipas asaj që ka thënë Policia e vendit në orët e para të mëngjesit të sotëm, dy persona janë arrestar dhe dy persona të tjerë janë në kërkim nga Policia. Mes të arrestuarve ishte edhe ish nënkryetari i komunës së Skënderajt gjatë administratës së Bekim Jasharit, z. Nuredin Lushtaku.

Avokati i Nuredin Lushtakut, z. Artan Qerkini, më vonë gjatë ditës për portalin Koha do të deklaronte se Lushtaku ishte liruar nga ndalimi policor dhe se ai nuk dyshohej të kishte shtënë drejt policëve.

Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por ata kanë qenë të paqasshëm derisa kujdestari i mbrëmshëm ka thënë se i ishte dhënë urdhër të mos fliste jashtë orarit të punës.

Por, Nacionale ka marrë vesh emrat e dy policëve të plagosur. I pari është Mërgim Geci derisa i dyti është Enver Smakiqi. Ky i dyti besohet të ketë qenë pjesë e Njësisë Speciale në të kaluarën, por që është ulur në pozitë për arsye të panjohura.

Sa i përket Gecit nuk ka ndonjë informacion. Ish deputeti i LDK-së, Gani Geci, e ka mohuar se ai është anëtar i familjes së tij. “Nuk është i joni,” – është shprehur Geci.

Inspektoriati policor i Kosovës, ndërkohë, ka deklaruar se nuk ka asnjë polic të dyshuar për rastin.

Por, nëse nuk shtiu Nuredin Lushtaku në drejtim të policëve, atëherë kush?

Gazeta insajderi ka mësuar se i biri i Nuredinit, Arbëri, ndodhej në arrati. Ndërsa, kujtojmë se në njoftimin e Policisë shkruhej se polici i dytë ishte plagosur me “mjete të forta”, për çka mund të jetë i dyshuar pikërisht Nuredin Lushtaku.

Në lidhje me ngjarjen nuk ka reaguar fare ish kryetari i komunës së Skënderajt, z. Bekim Jashari, që ishte edhe shefi i Lushtakut gjatë mandatit të tij katër vjeçar.

Në anën tjetër, në rrjete sociale është përdorur ky rast që edhe një herë të shpërthejnë paragjykimet dhe sulmet ndaj vlerave të luftës dhe ish ushtarëve të UÇK-së.

Lajme të ngjashme