“Mjerim”, “S’ka haber”, Vjosa Osmani kritikohet për deklaratën se Erdogan mund ta bindë Vuçiqin për Kosovën - NACIONALE

“Mjerim”, “S’ka haber”, Vjosa Osmani kritikohet për deklaratën se Erdogan mund ta bindë Vuçiqin për Kosovën

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Presidentja Vjosa Osmani ka habitur me një deklarim të saj opinionin publik. Gjatë një interviste për TRT Ëorld, Osmani vlerësoi lartë figurën e presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan, duke theksuar se ai mund ta bindë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Tutje, shefja e shtetit theksoi se Erdogan mund të jetë i rëndësishëm edhe në çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, e të cilat sipas Osmanit nuk po i respekton Vuçiq.

Por, njohësit e politikës nuk besojnë që Erdogan mund të luajë një rol të tillë, e të cilën ia përshkroi zonja Osmani.

Skeptikë

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka qenë shumë kritikues ndaj deklaratës së fundit të zonjës Osmani.

Duke përmendur raportimin e gazetës Nacionale, z.Krasniqi e cilësoi si mjerim politik idenë e Osmanit se Erdogan mund ta bindë Vuçiqin rreth njohjes së pavarësisë së shtetit kosovar.

Nëse citimi nuk është i saktë, presidentja Vjosa Osmani duhet ta demantojë e ta saktësojë çka ka thënë. Nëse ka thënë kështu, ky është mjerimi i mendimit politik të saj. Si është e mundshme të shprehë mendim kaq naiv, kaq joserioz?! Qëndrimi serb për Kosovën nuk varet nga një individ, cilidoqoftë ai. Çështja e Kosoves ndër serbë është çështje religjioze-ortodoksia, ideologjike-pansllavizmi, historike- antiotomanizmi/antiturqizmi, gjeopolitike-antiamerikanizmi dhe antiNATO, ultranaziste- si urrejtje instiktive kundër shqiptarëve.”, theksoi z.Krasniqi.

Ndërsa, njohësi i politikës ndërkombëtare, Albinot Maloku, e vlerësoi Turqinë si një nga vendet mbështetëse të Kosovës. Por, përkundër mbështetjes, z.Maloku theksoi se nuk ka asnjë rast në të cilin shteti turk ta ketë kushtëzuar Serbinë për çështjen e Kosovës.

Nuk mbahet mend një rast të kemi pas sinjale ose veprime konkrete ku Republika e Turqisë të ketë kushtëzuar raportin e saj me Serbinë për shkak të Kosovës. Ballkani për Turqinë nuk e përfshinë veç Kosovën dhe raporti i Turqisë me Ballkanin ka vazhduar të jetë i interesit të veçantë. Rasti i fundit është prezenca e Ministrit të jashtëm turk Cavushollu në punimet e Ballkanit të Hapur në Serbi, të cilin Kosova me të drejtë e refuzon. Pra, është në interesin e Turqisë paqja në Ballkan e assesi kushtëzimi i raportit ndaj ndonjë vendi për kusur të vendit tjetë.”, deklaroi z.Maloku për Nacionalen.

Maloku beson se deklarata e Osmanit rreth Erdoganit e Turqisë ka për burim mungesën e informacionit për historinë.

Të mendosh e pohosh se Turqia e posaqërisht presidenti Erdogan do ti bëjë presion presidentit serb Vuçiç apo Serbisë që ta pranoj Republikën e Kosovës, do të thotë se nuk e ke haberin e historisë së raportit të diplomacisë turke ndaj Ballkanit.”, shtoi Maloku.

Çka tha Osmani?

Komandatja supreme i ka vlerësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, të cilës Osmani i referohej si Türkiye, që është edhe emri zyrtar i shtetit turk në OKB.

Në pyetjet se cila janë raportet mes saj dhe presidentit turk Vjosa Osmani, ka theksuar se ka raporte të shkëlqyera me Erdoganin.

(Marrëdhënia me Erdoganin) Do të thoja se janë të shkëlqyera. Të dyja, edhe marrëdhënia mes Kosovës dhe Turqisë, dhe marrëdhënia ime dhe bashkëpunimi im me Presidentin Erdogan janë në nivelin më të lartë. Dhe dëshiroj të falëndëroj Turqinë dhe Presidentin për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë vendit tonë”, tha Osmani.

Për më shumë, zonja Osmani tha se Erdogan mund të luaj një rol të rëndëisshëm në bindjen e Vuçiqit për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Unë besoj që presidenti i Turqisë Recep Taip Erdogan mund të ketë një rol të rëndësishëm në bindjen e Vuçiqit që rruga e vetme për stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor është që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Sepse kjo është zgjidhja që bjen një paqe të qëndrueshme”, ka thënë Osmani ndër tjerash.

Kujtojmë që kryeministrit Albin Kurti, kohë më parë, e kishte refuzuar me një gjuhë diplomatike gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme