Mjekësia Ligjore nuk gjen qetësi: Çfarë dihet për zjarrin që i dogji “disa tuba me letra” - NACIONALE

Mjekësia Ligjore nuk gjen qetësi: Çfarë dihet për zjarrin që i dogji “disa tuba me letra”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore duket se nuk ka qetësi. Pas zhvillimeve lidhur me rastin Dehari, zhdukjes e gjetjes së mostrave, mbrëmë ka pasur edhe zjarr. Por, çfarë dihet deri më tash?

Mbrëmë në Institutin e Mjekësisë Ligjore kishte shpërthyer zjarri. Arsyet nuk dihen. Megjithatë, ajo që dihet është se janë djegur “disa tuba me letra”. Kështu kishte deklaruar komandanti i zjarrfikësve për Nacionalen.

“Informata është marrë në ora 20:44 për zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ishin duke u djegur disa tuba të letrave në 3 rafte dhe ishte krijuar tym i dendur. Është bërë shuarja e zjarrit dhe është bërë ventilimi i tymit nga ajo hapësirë.” – ka bërë të ditur Malë Gashi.

Ai tutje ka njoftuar se duhet hapur hetime të mëtutjeshme për shkaktarët e zjarrit.

“Për hetime të mëtutjeshme për shkaktarët e zjarrit, merren Inspektoret, për hulumtimin e shkaqeve të zjarrit.” - ka thënë Gashi për Nacionale.

Hetimet për detaje të tjera rreth rastit, po zhvillon edhe Policia e Kosovës.

“INCIDENT ZJARRI/Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prishtinë 25.03.2023, 20:20. Është raportuar se është përfshi nga zjarri objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore. Njësit policore si dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime.” – thuhet në raport.

Lajmin për zjarrin në IML e kishte bërë të ditur fillimisht Ministria e Drejtësisë nëpërmjet një komunikate për media.

“Në orët e mbrëmjes, jemi njoftuar që në ndërtesën e Institutit të Mjeksësisë Ligjore, ka shpërthyer një zjarr. Të menjëhershme kanë qenë intervenimet e zjarrëfikësve. Policia është në vendin e ngjarjes po ashtu edhe zv. Ministri, Blerim Sallahu. Sipas informacioneve qe kemi aktualisht nga vendi i ngjarjes, nuk ka dëme që janë shkaktuar nga zjarri. Personat përgjegjës tashmë po merren me shkaqet e shpërthimit të zjarrit”, thuhej në postim.

Nacionale ka tentuar të kontaktojë me udhëheqësit e Institutit të Mjekësisë Ligjore, megjithatë ata kanë qenë të paqasshëm.

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka qenë në krye të diskutimeve publike. Kjo lidhur me rastin e mostrave të Deharit.

Zhdukja e gjetja e një pjese të mostrave

15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Të gjitha këto mostra të Astrit Deharit ishin vërejtur se mungojnë në dhjetorin e vitit të kaluar. Megjithatë, Nacionale dje ekskluzivisht raportoi se mostrat e urinës dhe të lukthit janë gjetur sërish. Tashmë mungojnë 15 epruvetat e mostrave të gjakut.

Çudia doli të jetë se një pjesë e mostrave të Astrit Deharit u gjetën në një nga frigoriferët i cili nuk monitorohet nga kamerat e sigurisë. Kështu kanë bërë të ditura burime të sigurta për gazetën Nacionale.

"Komisioni per invertaizim i kanë gjetë tek një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Dje i kanë gjetë nga fundi i orarit të punës. Esenca është që frigoriferi nuk mbulohet prej kamerave. Një pjesë e mostrave janë gjetë, por jo të gjitha." - ka thënë burimi për Nacionalen.

Sipas sinjalizuesve të Nacionales brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë vetëm 3 persona të cilët kanë pasur qasje në pjesën ku janë gjetur mostrat e Deharit. Janë pikërisht disa nga zyrtarët të cilët ishin suspenduar me vendim nga ministrja Albulena Haxhiu, pasi ishin zhdukur mostrat.

Flutura Goga, Nardi Sheqergjiu, Anila Lakna e Ilirjana Shala ishin zyrtarët e suspenduar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, të cilët më pas u kthyen në punë.

Madje, Drejtoresha e Laboratorit ku u zhdukën mostrat e Deharit, e ku më pas edhe u gjetën një pjesë e tyre, ka punuar pa licencë për vite të tëra. Për këtë kishte raportuar ekskluzivisht gazeta Nacionale.

Burimet e Nacionales kanë konfirmuar se me gjetjen e mostrave janë njoftuar edhe organet e rendit, të cilat kanë zhvilluar hetime dhe kanë marrë xhirimet e kamerave të komplet objektit.

Megjithatë, për gjetjen e një pjese të mostrave të Deharit nuk ishte në dijeni familja dhe as avokati.

Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, në një prononcim për Nacionalen ka akuzuar prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu për posedimin e mostrave të djalit të saj.

“A e keni pyet prokurorin e rastit? A keni bisedu me to? Pyetne prokurorin e rastit se ai i ka pas, mostrat i ka marrë edhe i ka kthy. Kush ka pas me i pas tjetër, unë si kom marrë të shpia. Pyetne prokurorin ai ju tregon se ai e din ku jon kon mostrat, ai i ka marrë në pyetje njerëzit, ai e din krejt punën, neve askush nuk na ka lajmëru asgjë, nga ju e morëm vesh.” – ka thënë Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit për Nacionalen.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar kishte nxitur reagime të shumta në vend.

Ministrja e Drejtësisë kishte suspenduar katër zyrtar të IML-së për këtë çështje, ndërsa prokuroria kishte nisur hetimet, duke intervistuar njerëz.

Në muajin e kalua Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se një numër i konsiderueshëm i personave janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve, për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.

Drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë ku ishin zhdukur mostrat, Flutura Goga, kishte punuar në këtë laborator për vite të tëra pa licencë. Kjo ishte konstatuar nga Inspektorati Shëndetësor.

Inspektorati Shëndetësor ka gjetur se përpunimi i gjakut dhe urinës konsiderohet shërbim shëndetësor, e që sipas Ligjit për Shëndetësi kërkohet licencë. Në raportin e Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale, thuhet se Goga-Bajrami nuk ka poseduar licencë për kryerjen e këtyre punëve.

Lajme të ngjashme