Zjarri në ndërtesën e IML-së, zjarrfikësit i thonë Nacionales se janë djegur disa 'tuba me letra' - NACIONALE

Zjarri në ndërtesën e IML-së, zjarrfikësit i thonë Nacionales se janë djegur disa 'tuba me letra'

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa 'tuba me letra' në tre rafte janë djegur brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi për Gazetën Nacionale, ku ka njoftuar se zjarri që kishte kapluar disa 'tuba të letrave' ka shkaktuar tym të dendur.

“Informata është marrë në ora 20:44 për zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ishin duke u djegur disa tuba të letrave në 3 rafte dhe ishte krijuar tym i dendur. Është bërë shuarja e zjarrit dhe është bërë ventilimi i tymit nga ajo hapësirë.” – ka bërë të ditur Gashi.

Ai tutje ka njoftuar se duhet hapur hetime të mëtutjeshme për shkaktarët e zjarrit.

Për hetime të mëtutjeshme për shkaktarët e zjarrit, merren Inspektoret, për hulumtimin e shkaqeve të zjarrit.” - ka thënë Gashi për Nacionale.

Kujtojmë se Ministria e Drejtësisë ka njoftuar për një shpërthim zjarri në ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Përmes një njoftimi në Facebook, ministria ka njoftuar se intervenimi i zjarrfikësve ka qenë i menjëhershëm dhe se nuk janë shkaktuar dëme.

Është bërë e ditur gjithashtu se përveç Policisë, në vendin e ngjarjes ndodhet zv.ministri i Drejtësisë Blerim Sallahu.

Nacionale ka kontaktuar Policinë dhe Zjarrfikësit e Kosovës për më shumë detaje rreth rastit, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.


Më shumë sfond: Rreth dy javë më parë Gazeta Nacionale mësoi për gjetjen e një pjese të mostrave të ish-aktivistit të ndjerë të VV-së, Astrit Deharit, të cilat ishin zhdukur nga ky Institut në dhjetor të vitit të kaluar.

Lidhur me zhdukjen e mostrave të Deharit atë kohë ishin suspenduar katër zyrtarë. Në mesin e tyre edhe drejtoresha e Laboratorit, Flutura Goga, për të cilën Nacionale kishte raportuar se punonte pa licencë, diçka që ishte konfirmuar edhe nga Inspektorati Shëndetësor. Megjithatë të katër zyrtarët më pas ishin kthyer në punë me një vendim të Komisionit të Ankesave në kuadër të IML-së.

Lajme të ngjashme