Ministrja Hajdari: Jam 24 orë në takime, mos më pengoni
Zëvëndëskryeministri Besnik Bislmi, duket se e ka një konkurrent brenda kabinetit qeveritar kur vjen puna tek proklamimi i agjendës së tyre. Por përderisa për Bislimin po flet kryeministri Albin Kurti, duke e paraqitur si një njeri që nuk po e zë as gjumi duke punuar, kolegia e Bislmit, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, nuk e pret hiq shefin e saj që ta lavdërojë.
Madje ajo nuk përton aspak të flas për vetën, në vetën e tretë, kur nuk dëshiron të përgjigjet.
Kësisoj, minsitrja Hajdari, kur u thirr nga Nacionale për të marrë një qëndrim për skandalin e blerjes së grurit për rezerva të shtetit, ajo zgjodhi që në vend të përgjigjes të mbajë ligjërata mbi atë sesi dhe kur duhet penguar një zyrtare shteti.
“Zotëri, ministrja është në takime, dhe asnjëherë nuk është mirë që ta pengoni ministren në takime”, tha Hajdari duke folur për vetën në vetën e tretë.
Kur Nacionale insistoi që të marrë një përgjigje të thjeshtë: nëse gruri i blerë nga Minsitria ka arritur në rezervat e shtetit, minsitrja Hajdari vazhdonte të fliste për atë sesi është “non-stop” e zënë. Nacionale e pyeti nëse ka ndonjë kohë të përshtatshme për të folur, por Hajdari duket se është në garë për t’ia kaluar kolegut Bislmi.
“Jam nonstop në takime”, tha Ministrja, teksa gazeta e pyeti nëse “non-stop” nënkupton 24 orë në ditë, ajo pa hezitim e pohoi.
“Po non stop 24 orë”, tha Hajdari.
PSE NACIONALE KËRKON SQARIM NGA MINISTRIA?
Po bëhen gjashtë ditë që ku Nacionale publikoi lajmin se mbi blerjet sekrete te grurit për rezerva të shtetit nga ana e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë. Në këtë tekst Nacionale zbuloi sesi Ministria e drejtuar nga Rozeta Hajdari, ka blerë grurë gjatë muajit mars dhe prill me çmime gati dyfish më të lartë sesa çmimi në tregun vendor dhe bursën ndërkombëtare.
Lexojeni të plotë hulumtimin.
Një ditë më vonë, Nacionale botoi edhe hulumtimin ku argumentohet sesi Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ka blerë grurë për rezerva të shtetit, nga një kompani gati fantome në Turqi e cila merret me industrinë e ndërtimit.
Lexojeni tekstin e plotë:
Për këtë kompani, a folur edhe kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, i cili tha se mullistët kosovarë nuk e njohin kompaninë në fjalë.
Nacionale ka më shumë se 1 javë që kur ka dërguar pyetje në adresë të MINT për të marrë përgjigje mbi disa pyetje të thjeshta:
1. Cila ka qenë procedura e zgjedhjes së importuesit për blerjen e grurit?
2. A keni bërë blerje të tjera nga kjo kompani, pra sa është sasia ose çmimi që kjo kompani ka importuar grurë në Kosovë pas kontraktimit nga ana e MINT?
3. Mbi çfarë baze bëhet përzgjedhja e kompanive nga ana e MINT për importim të grurit?
4. Sa grurë ka blerë MINT brenda vendit, pra nga prodhuesit vendorë dhe me çfarë çmimi?


