Skandal: Blerja sekrete e grurit nga Qeveria e dëmton Kosovën për 1.7 milion euro - NACIONALE

Skandal: Blerja sekrete e grurit nga Qeveria e dëmton Kosovën për 1.7 milion euro

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Në kohën e krizës ekonomike, Qeveria e Kosovës kishte vendosur të mbushte hambarët e shtetit me grurë. Për këtë arsye, i bleu të paktën 10,000 tonë me grurë. Por, del se blerjen sekrete të grurit e ka bërë me çmime abuzive që dëmtuan buxhetin për 1.7 milion euro.

Vullnet Krasniqi dhe Shkëlqim Beqiri

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka përdorur arsyetimin “sekret shtetëror” për të mos dhënë përgjigje në lidhje me skandalin. Është fjala për blerjen e grurit për rezerva shtetërore gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti, 2022.

Nacionalja ka zbuluar se Qeveria Kurti II, në muajin mars i bleu 3 mijë tonë grurë nga një furnitor i brendshëm. Çmimi për një ton ishte 549 euro. Por, për kompanitë vendore që kishin blerë grurë në po të njëjtin muaj, çmimi mesatar kishte qenë 334 euro.

Kjo nënkupton se Qeveria ka blerë një ton grurë me çmim 215 euro më shtrenjtë sesa kompanitë vendore.

Ndërkohë, në muajin prill, Qeveria e kishte lëshuar dorën edhe më shumë. Ishin blerë plot 7 mijë tonë grurë me çmimin 546 euro për ton. Por, çmimet mesatare nëpër vende të huaja ishin 163 euro më lirë, ose 383 euro.

Nacionale posedon edhe një nga faturat që Ministria e Tregtisë që tregon për blerjen e grurit në sasi prej 23 mijë e 740 kilogramëve të blerë nga Turqia me çmim prej 48 centë/kilogrami.

Detaje sekrete

Gjatë ditës së sotme, MINT, e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, kishte thirrur në takim ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin, dhe kryetarin e Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahun. Pas takimit, mbajtën edhe një konferencë të përbashkët.

Në këtë konferencë, Hajdari foli si gardiane e paepur e çmimeve stabile të produkteve bazë sikurse mielli ose buka si produkt i saj. Por ajo nuk foli asgjë për rezervat e shtetit me grurë, për çka, Nacionale ka më shumë se një javë që ka informuar Ministrinë dhe ka kërkuar nga ta llogari për blerje me çmime gati dyfish më të larta të grurit të bërë në muajt mars dhe prill. Nuk dihet sesa tonë të tjera janë blerë pas prillit.

Në konferencë, ishte edhe kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, i cili para disa ditësh i tha Nacionales për këtë temë se “nuk e përjashton mundësinë që shteti të ketë blerë grurë me çmime më të larta sesa ato të tregut”, por në konferencë me ministren, vetëm dha një garanci që “Kosova ka stabilitet të brendshëm” sa i përket rezervave të grurit.

Por Zejnullahu, si kryemullist, nuk la pa përmendur panikun e muajve shkurt dhe mars, si pasojë e luftës në Ukrainë, pas invazionit të Rusisë atje.

“Duke e ditë situatën e mëhershme të muajit shkurt dhe mars ku arritëm të mbajmë nën kontroll ose të vërtetojmë se kemi stoqe të mjaftueshme, mendoj se kjo do të vazhdojë edhe këtë vit”, tha Zejnullahu.

Por nëse kryemullisti dhe ministrja janë të sigurt për këtë stabilitet, sipas të dhënave dhe dokumenteve që ka siguruar Nacionalja, del se ky stabilitet është arritur pikërisht gjatë muajve mars dhe prill. Por, stabiliteti i ka kushtuar rëndë kuletës së shtetit.

ÇKA KA NDODHUR?

Më 23 shkurt 2022, një ditë para se të niste invazioni i Rusisë në Ukrainë, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 10 milionë euro për “rritjen e rezervave shtetërore”.

Teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdonte me intensitet të lartë në muajin mars, Qeveria e Albin Kurtit bash në atë muaj, përmes Ministrisë së Tregtisë kishte nisur të blinte grurë për rezerva shtetërore.

Në mars, Ministria ka blerë 3 mijë tonë grurë, nga një furnizues vendor.

Dokumentet që ka parë Nacionale kallëzojnë se Qeveria ka blerë nga furnitori i brendshëm “Euro Ver” fiks 3 mijë tonë, me një çmim total prej 1 milion e 647 mijë euro. Ose me 549 euro = 1 ton grurë. Në ndërkohë që çmimi mesatar në tregun vendor për një ton gjatë marsit ka qenë rreth 334 euro.

215 eurot më shumë për një ton, nënkuptonin se ishte dëmtuar buxheti i shtetit për 645 mijë euro.

Në muajin prill, Minsitria e drejtuar nga Hajdari, bleu 7 mijë tonë grurë. Por vendosi që ta importojë direkt nga kompanitë e huaja, dhe vlera e gjithë kësaj ishte 3 milionë e 822 mijë euro.

Një ton grurë e ka paguar 546 euro teksa çmimi real mesatarisht ka qenë 383 euro. Pra 163 euro më shtrenjtë.

Në total, Qeveria ka shpenzuar mbi 1 milion e 141 mijë euro më shumë sesa çmimi ekzistues në atë muaj në vende të ndryshme.

BLERJA “SEKRETE” E MARSIT – 645 MIJË EURO MË SHTRENJTË

Nacionale, duke pasur qasje në disa dokumente të blerjeve të grurit në muajin mars, ka gjetur se kompania prej së cilës Qeveria ka blerë 3 mijë tonë grurë, është “Euro-Ver” një fabrikë e vjetër e grurit në Prugovc të Prishtinës, pronë e vëllëzërve Selmani.

Por përkundër faktit se fabrika në profilin e saj në Facebook thuhet se funksionon qysh prej vitit 1984, por në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit (ARBK) figuron e regjistruar vetëm prej 23 janarit 2022, ose një muaj e pak para se të bënte biznes ‘sekret’ me shtetin.

Kompania në fjalë, figuron të jetë pronë e Bajram, Sali dhe Ali Selmanit, dhe kur Nacionale kontaktoi pronarin kryesor, Bajram Selmanin, ai ia konfirmoi gazetës se i ka shitur shtetit grurë, por ai e përdori termin “sekret shtetëror” kur Nacionale e pyeti për sasinë dhe çmimin.

“Zotëri, ky është sekret shtetëror, vetni në ministri”, tha Selmani.

Ai u shpreh i nervozuar me insistimin e gazetës për të kërkuar edhe një shpjegim pse kompania e tij dhe vëllezërve të tjerë është e regjistruar si kompani tek në janar, ndërsa në mars ka bërë tregti me shtetin. Selmani sërish vendosi ta lë “sekret” këtë çështje.

“S’po du me të tregu, nuk du me folë për këtë punë”, tha Selmani.

BLERJA “SEKRETE” E PRILLIT – 48 centë kilogrami i grurit ose 1 milion ma shtrenjtë

Fiks 7 mijë tonë grurë kanë hyrë në Fondin e Rezervave të shtetit në muajin prill. Dokumentet që ka parë Nacionale tregojnë se si shteti ka blerë një ton grurë, me çmim prej 546 euro. Ndërkohë që çmimi total për 7 mijë tonë, kap vlerën prej 3 mlionë e 822 eurove.

Vetëm në një faturë të lëshuar nga Dogana e Kosovë për Ministrinë e Tregtisë, më 20 prill të këtij viti, shihet se Ministria ka paguar 11 mijë e 477 euro për 23 mijë e 740 kilogramë grurë, nga kompania turke “Yafe Turizm”.

Që i bie se ka paguar 48 centë kilogramin e grurit (480 euro toni), teksa çmimet eksportit në atë kohë, sipas të dhënave të shtetit turk, nuk kanë qenë më shumë sesa 37 centë.

Kur i shtohet kësaj edhe vlera e transportit dhe shpenzimet e shpedicionit, shuma totale e çmimit për një ton shkon rreth 550 euro. Në të njëjtën kohë, në tregun e Kosovës me pakicë do të mund të blihej grurë me çmim më të lirë sesa ky që shteti e ka blerë me shumicë jashtë vendit.

MINISTRIA S’KA FJALË

Teksa ministrja Hajdari dhe kabineti i saj nuk i janë përgjigjur asnjë pyetjeje dhe kërkesave të Nacionales për sqarime në lidhje me blerjet me këto çmime të larta, udhëheqësi i Divizionit për Rezerva Shtetërore brenda Ministrisë së Tregtisë, Hafiz Gara, as nuk pohoi e as nuk mohoi raportimin.

Gara mundohej të jepte ligjërata që nuk kishin të bënin me raportimin mbi “arsyet pse lëvizin çmimet nëpër tregjet ndërkombëtare” dhe se çka ndodh me çmimet “kur mbyllen tregjet”.

Deri në prill, maj, kanë qenë tjera çmime. Kur ka ndonjë situatë të rëndë për shembull, kur ka mbyllje tregu, mund të variojnë çmimet”, thoshte Gara, duke ngulmuar që kjo t’i pranohej si përgjigje.

I pyetur specifikisht pse dallonte aq shumë çmimi, Gara duket se nuk e kuptoi pyetjen dhe u përgjigj në krejt tjetërçka:

Nuk është 200 euro hiç, mirëpo për muajin mars dhe prill dallon çmimi dukshëm prej qershorit, korrikut dhe gushtit”, u përgjigj Gara, duke mos dhënë asnjë shifër tjetër.

Sidoqoftë, ai dha shpresë se çmimet do të uleshin në muajin shtator.

Ndoshta edhe në shtator merret me çmim ma të lirë”, tha Gara.

KRYEMULLISTI NUK E PËRJASHTON MUNDËSINË E “GRURIT TË SHTRENJTË”

Në anë tjetër, kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës ka thënë ky çmim mund të ketë ndodhur për shkak të situatës emergjente në të cilën ka qenë Kosova, pasi sipas tij, në vend ka pasur mungesë të rezervave.

Ka qenë dicka emergjente, nuk e ka bë një punë pasi rezervat kanë qenë në pikën zero.

Ka mujtë me qenë se nuk ka pasur në treg dhe është rritë çmimi, dhe kur është rritë çmimi, ka mujtë me ndodhë që Qeveria ka importuar në atë kohë grurë vetëm me siguru rezerva. Mundet me qenë se ka qenë gjendje emergjente e ajo ka me ndiku në çmim”, ka thënë Zejnullahu.

Në një përgjigje para një jave, MINT ka lënë të kuptohet se Kosova ka rezerva të mjaftueshmë të grurit.

Në bazë të Planit Strategjik për furnizim me produkte të rezervës shtetërore, Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave ka planifikuar që në rast të kërkesës për ndonjë intervenim të mundshëm emergjent, atëherë kur e lejon ligji, DRSHM do të veprojë sipas kërkesave. Duke respektuar procedurat ligjore, duke i koordinuar aktivitetet me ministritë e linjës, do t’i përmbushim nevojat”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Lajme të ngjashme