Kryemullisti i Kosovës hedh dyshime mbi kompaninë nga e cila Kosova bleu grurë për rezerva - NACIONALE

Kryemullisti i Kosovës hedh dyshime mbi kompaninë nga e cila Kosova bleu grurë për rezerva

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po i mbush rezervat shtetërore me grurë të importuar. Në këtë situatë, ministrja Rozeta Hajdari nuk po i zgjedhë as kompanitë me të cilat po nënshkruajnë kontrata milionëshe e me çmime me të shtrenjta se sa në treg.

Ministria, përveç shmangies së çmimit nga ofertat konkurruese, ka shfrytëzuar edhe për të zgjedhur ofertuesit prej të cilëve e importon grurin.

Një faturë e siguruar nga gazeta Nacionale ku dokumentohet një nga blerjet e ministrisë, vë në dyshim nëse rezervat e shtetit po mbushen me grurë cilësor. Për rezervat e shtetit, ministria ka blerë grurë edhe nga një kompani ndërtimi në Turqi.

Kompania turke, “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticare” shkruhet në pjesën e faturës së lëshuar nga Dogana e Kosovës, ku kërkohet emri i eksportuesit të grurit për ministrinë. Kompania prej së cilës shteti ka blerë grurë për rezerva është kompani që merret me industrinë e ndërtimit dhe me tregti.

Kjo kompani është gati fantome edhe në listat e eksportuesve të Turqisë. Në portalin e eksportit të mbështetur nga qeveria turke “turkishexporter.net” kompania nuk figuron askund.

Kryemullisti: Nuk e njohim këtë kompani

Në anën tjetër, edhe për Shoqatën e Mullistëve kompania e përzgjedhur nga MINT del të jetë e panjofshme.

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosoës, Bashkim Zejnullahu, të shtunën, për gazetën Nacionale ka konfirmuar se nuk e njeh kompaninë turke.

Bile Zejnullahu thotë se mullistët e Kosovës nuk kanë bashkëpunimim me këtë kompani.

Me keqardhje. por nuk e njoh dhe besoj që nuk është një kompani që ne mullistët e përdorim për shit-blerje të grurit”, ka thënë ai.

Më tej, Zejnullahu konfirmoi se si shoqatë nuk janë pjesë e grupit negociues që është themeluar nga ana e MINT për blerje të grurit.

Ministrja Hajdari shfajson vetën për rastin ‘gruri’

Në krejt këtë dallavere, Ministrja e Industrisë Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, shfajësoi vetën duke thënë se nuk e dinte çmimin pasi ishte nuk ishte pjesë e komisionit që negocioi për blerjen e grurit.

Kur u pyet për çmimin e saktë me të cilin Ministria e ka blerë një ton grurë, ajo nuk foli me numra.

Ajo ka deklaruar se nuk e dinte çmimin, në një kohë kur çmimi i grurit është një nga temat kryesore të secilit ministër që ka për detyrë të mbushë rezervat e shtetit me grurë.

Unë nuk kam qenë pjesë e komisionit që ka negociuar çmimin. Nuk e mbaj mend direkt sepse ka negociuar grupi negociator nga rezerva shtetërore”, tha ministrja Hajdari, duke shtuar se “çmimi përcaktohet edhe për nga rendimenti dhe cilësia e grurit”.

Nuk është vetëm çmimi më i lirë por edhe rendimenti dhe cilësia që e përcaktojnë, pasi ruhet në rezerva”, tha ministrja, duke kritikuar furnitorët dhe fermerët vendorë se nuk e kanë grurin aq të mirë në cilësi. Për këtë arsye, sipas Hajdarit, shteti u detyrua të blejë grurë edhe nga importi.

Loja e ministrisë me mullistët vendorë

Fiks 7 mijë tonë grurë kanë hyrë në Fondin e Rezervave të shtetit në muajin prill. Dokumentet që ka parë Nacionale tregojnë se si shteti ka blerë një ton grurë, me çmim prej 546 eurosh. Ndërkohë që çmimi total për 7 mijë tonë, kap vlerën prej 3 milionë e 822 eurove.

Kalimi nga furnizimi me grurë nga furnitorët vendorë tek importi, sipas ministres Hajdari është bërë pasi kanë hasur në mungesë të grurit, por edhe të cilësisë tek mullistët vendorë.

Disa mullistë vendorë kanë kontaktuar Nacionalen gjatë të enjtes dhe të premtes, duke thënë se ministrja ka thënë disa të pavërteta. Përderisa blerjet e shtetit për rezerva ende vazhdojnë, ata nuk pranojnë të deklarohen me emra, duke u frikësuar se do të penalizohen.

Por, në kushte anonimiteti, iu ankuan gazetës se “grupi negociues i Departamentit të Rezervave” në kuadër të Minsitrisë të cilën e drejton Hajdari, ka vendosur që të favorizojë importin e grurit.

Gjatë dhe pas pandemisë, fjalët me ata të grupit të Ministrisë që kemi negociuar çmimin, kanë qenë që të blihet grurë nga mullistët vendorë, tani i ndërruan fjalët edhe kur vendosën me importu ma shumë, na jepnin arsye për cilësi të grurit”, tha një nga mullistët, furnitor i Qeverisë.

Ndërkohë, dilema për 10 milionë eurot e ndara për Fondin e Rezervave Shtetërore nga Qeveria e Kosovës, ka ngritur edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala i cili gjatë seancës me 30 qershor në Kuvend kishte thënë se 40 për qind e rezervave nuk kanë ardhë edhe pse janë paguar.

Po më intereson zyrtarisht 10 milionë euro a kanë ardhë, a ka fuqi juridike qoftë edhe më dyer të mbyllura me raportu, kush i ka pru, kush i ka marrë, sa ka pagu 1 ton grurë për rezerva shtetërore. Nuk kanë ardhë të gjitha, i keni pagu shtrenjtë, më shumë se 40 për qind nuk kanë ardhë të rezervave shtetërore pjesa tjetër duhet të sqaroni ku kanë mbetë mjetet që janë nda për rezervën shtetërore.”, ka thënë kryetari i Komisinit për Ekonomi në Kuvend.

Bile Shala kishte ngritur dyshime se Ministria kishte sanksionur një kompani me të cilën pastaj kanë bashkëpunuar për blerjen e grurit.

Lajme të ngjashme