Po rrezikohet siguria e kombit: Përplasja mes ministrit Peci dhe bujqve të Kosovës - NACIONALE

Po rrezikohet siguria e kombit: Përplasja mes ministrit Peci dhe bujqve të Kosovës

4 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Një përplasje mes bujqëve dhe ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit po ndodh tash e disa ditë. Bujqit kosovarë po thonë se rendimentet e grurit sivjet janë më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar për shkak të mos-shpërndarjes së subvencioneve me kohë, ndërsa Peci thotë se po shpërndahen të pavërteta nga ana e tyre.

Përplasja e bujqëve dhe ministrit Peci ka filluar bashkë me kohën e korrje-shirjeve në Kosovë.

Peci ka thënë se këtë vit Kosova ka sipërfaqe më shumë më të mbjellurat e grurit dhe rreth 33.04% më shumë se vitin e kaluar e që totali është rreth 91,436.11 hektarë bazuar në të dhënat e marra nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe nuk është ashtu siç po deklaron Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve.

Sa i përket rendimentit, sipas Pecit “nga tereni raportohet që rendimenti në shumicën e vendeve e tejkalon edhe mesataren prej 4000kg për hektarë”.

Bile, Peci i akuzoi ata se “diskutimi pa shifra për rendimentet e grurit, (është) rrezik për sigurinë kombëtare”.

Të gjithë ata që përmes deklaratave të tyre po vazhdojnë të shfrytëzojnë mediat duke pohuar të pa-vërtetat se në Kosovë ka vetëm 40 mijë hektarë të mbjellura me grurë; me siguri një veprim të tillë e bëjnë pasi që veç i kanë paraqitur “faktet” dhe të dhënat paraprakisht në prokurori (ndryshe mendja e shëndoshë nuk e kupton, se dikush mund të konsumojë vepër penale në mënyrë të vetëdishme) sepse kushdo që ka informacione që pretendon se numri i sipërfaqeve është vetëm 40 mijë i bie rreth 11 e 282 hektarë më pak dhe se dikush po tenton të manipulojë, duke dashur që kundërligjshëm të përfitojë më shumë se 5 milionë euro apo saktësisht 5.347.668 euro të taksapaguesve tanë”, ka shkruar Peci.

Me apo pa-vetëdije, diskutimi në këtë frymë pa të dhena të bazuara, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare. Angazhohem çdo ditë, që çdo cent i taksapaguesve të shkojë ku është i destinuar e që adresë të vetme të ketë bujkun meritor”, ka shkruar tutje Peci.

Mirëpo me këto shifra dhe me deklaratën e ministrit Peci se po rrezikohet siguria kombëtare, nuk po pajtohet Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve.

Kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve, në një bisedë për Nacionale ka akuzuar Ministrinë e Bujqësisë për vonesën e shpërndarjes së subvencioneve.

Tahiri thotë vonimi i subvencionëve ka ndikuar në uljen e rendimentit, pasi sipas tij, bujqit nuk kanë pasur mundësi financiare për ushqimin e grurit me plehëra artificiale në kohën e duhur.

Ai thotë se rendimentet e grurit po dalin 3 mijë kilogramë për hektarë dhe jo 4 mijë siç thotë ministri Peci.

Përgjegjës për sigurinë kombëtare është ministria e Bujqsisë që nuk po ua jep subvencionet bujqëve duke lënë grurin që po korret pa subvencionim dhe bujqit për mungesë të mjeteve financiare nuk e kanë ushqye grurin kështu që rendimenti po del nën 3000 kg për 1 ha. Dikush s’i ka qitë fare pleh e dikush e ka përgjysmue sasinë e plehit në pranverë dhe nuk ka se si të presim rendimente të gruri”, ka thënë Tahiri.

Nacionale ka biseduar me bujqit të cilët ende nuk janë subvencionuar për grurin. Ata janë shprehur të pakënaqur me mos-veprimin me kohë të ministrisë.

Ata thonë se nga mos-subvencionimi janë detyruar të hyjnë edhe në kredi për plehërimin e të mbjellurave pasi nuk kanë pasur kushte financiare që ta kryejnë këtë proces.

Kujtojmë se Ministria e Bujqësisë ka ngritur shumën e subvencionimit për të mbjellurat me grurë teksa janë ndarë 52 milionë euro për Programin e Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022.

Lajme të ngjashme