Ministri Çeku kundërligjshëm synon organizim të MKRS-së, shuan struktura e centralizion vendimmarrjen - NACIONALE

Ministri Çeku kundërligjshëm synon organizim të MKRS-së, shuan struktura e centralizion vendimmarrjen

2 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka nisur procesin rishikimit të Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, duke synuar ndryshimin rrënjësor të struktures aktuale të Ministrisë në kundështim me çdo praktikë dhe rregullativë që përcakton standartet organizative të strukturave në institucionet e administrates shtetërore.

Kështu, U.d. Sekretari i Përgjithshëm, Xheladin Krasniqi, me vendimin e datës 02.05.2024 ka krijuar Ekipin Punues për hartimin Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, duke emëruar veten kryesues të ekipit, ndërkohë që ka lënë jashtë ekipit punues të gjithë drejtuesit e departamenteve profesionale, ndërsa në ekip ka përfshirë anëtarë të jashtëm dhe zyrtarë që tashmë janë të transferuar në institucione tjera.

Pjesë e këtij ekipi është edhe Visar Salihu – arkitekt, i angazhuar nga Ministri si ekspert i jashtëm, i cili nuk ka fare përvojë në hartim legjislacioni dhe administratë.

Nacionale nga burime brenda MKRS-së mëson se në draftin e përgatitur nga kabineti i Ministrit Hajruallah Çeku, i cili tashmë i është dorëzuar ekipit punues për “hartimin” e kësaj rregullore, parashihet të shuhen një pjesë e madhe e Departamenteve sektoriale si Departamenti i Kulturës, Departamenti i Sportit, Departamenti i Rinisë, departamenti i Trashëgimisë Kulturore, ndërsa ndryshimi dhe ulja e nivelit hierarkik në njësi apo divizioneve për Departamentin për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, Departamentin Ligjor dhe Zyrën për të Drejtat e Autorit.

Me këto ndryshime Ministri Çeku synon të centralizojë tërë politkbërjen në një departament, ndërsa do të krijojë departamente tjera për mbështetje të projekteve dhe mbikëqyrje, duke kaluar vendimmarrjen nga departamentet sektoriale që ka aktualisht MKRS, në dy apo tre njerëz të dëgjueshëm.

Kjo shihet qartazi në planin për departamentet e reja të krijuara ku Ministri Çeku synon koncentrimin e tërë buxhetit të MKRS-së në vetëm dy departamente që janë ai për investime kapitale të Ministrisë dhe ai për grante tek shoqëria civile, sferë nga e cila vjen vet Ministri.

Me këtë plan, struktura organizative e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të jetë në kundërshtim me Rregulloren Nr.14/2023 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrive, më saktësisht me Shtojcën 8, ku kësaj ministrie i është përcaktuar portfolio e punës së saj që janë fushat e përgjegjësisë administrative: kultura, rinia, sporti dhe e drejta e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Nëse Ministri Çeku shpërbënë strukturat përgjegjëse të fushave kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore, pse duhet të ekzistojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit?

Nisma e Ministrit Çeku që synon ta realizojë me ndihmën e U.d Sekretarit të Përgjithshëm, Xheladin Krasniqi, që në këtë pozitë është emëruar kundërligjshëm, bie ndesh me një sërë ligjesh dhe akte nënligjore, të cilat rregullojë strukturat e veçanta të Ministrive.

Kështu Ligji Nr. 06/l -113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, në nenin 19 përcakton se “Departamenti përfshin së paku dy divizione me funksione të ndërlidhura”, duke nënkuptuar se departamenti mbulon një fushë të caktuar sektoriale, duke përfshi politikbërjen, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e projekteve, andaj koncentrimi i politikëbërjes dhe menaxhimit të projekteve në departamente të veçanta për të gjitha fushat nuk është në harmoni me legjislacionin në fuqi.

Synimi i Ministrit Çeku që të ulë nivelin e Zyrës për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, bie ndesh direkt me Ligji nr. 08/l-205 për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, I cili ka përcaktuar qartë organizimin e kësaj structure bazuar në rëndësinë e saj funksionale.

Në nënin 121 Statusi dhe detyrat e Zyrës, paragrafi 1 thuhet “ Zyra për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta funksionon në kuadër të ministrisë përkatëse për kulturë e cila ka programin/nënprogramin, ku mjetet për financimin e Zyrës sigurohen nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe financimet e tjera alternative në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Kjo nënkupton se në asnjë rast një strukturë e tillë nuk mund të organizohet në nivel Divizioni apo Njësie ekuivalente, derisa ky ligj mbetet në fuqi.

Ndërkohë që strukturat organizative si Departamenti për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave është i paraparë me Rregullore Nr.01/2011 për Departamentet për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në Kuadër të Ministrive, i cila në nenin 2 parasheh:

“Departamenti për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave Departamenti për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave (më tutje: Departamenti) themelohet në kuadër të çdo Ministrie dhe vepron nën mbikëqyrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë përkatëse”.

Ndërkaq, Departamenti Ligjor është e përcaktuar si strukturë e tillë me Rregullore Nr.13/2013 për Shërbimin Ligjor Qeveritar, e cila decidivisht në nenin 20, paragrafi 1 parasheh:

“Me qëllim të menaxhimit dhe koordinimit të të gjitha aktiviteteve legjislative, Departamentet Ligjore si struktura të veçanta organizative duhet të themelohen dhe të funksionojnë në kuadër të çdo Ministrie”.

Nga drafti me propozimet për ndryshimet e strukturave organizative të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, duket qartë se hartimi i tij është bërë nga zyrtarë jo kompetent që nuk e njohin legjislacionin në fuqi, ndërsa përmes Rregullores synojnë të realizojnë agjendat e tyre politike sipas tekeve personale.

Lajme të ngjashme