Mickoski turrej kundër shqipes, eurodeputetët i heqin “gjuhën dhe identitetin maqedonas” - NACIONALE

Mickoski turrej kundër shqipes, eurodeputetët i heqin “gjuhën dhe identitetin maqedonas”

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Draft-rezoluta për Maqedoninë e Veriut i ka rezervuar një goxha befasi Qeverisë së Hristijan Mickoskit. Disa muaj pasi Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar shfuqizimi i disa neneve për Ligjin për Gjuhën, duke shënjestruar shqipen, në draft-rezolutën e përgatitur nga Thomas Weitz janë hequr pikat 3 dhe 7 ku përmendeshin “gjuha dhe identiteti maqedonas.” Për një gjë të tillë janë pajtuar të tri forcat kryesore në Parlamentin Evropian. Përveç kësaj, raporti i Weitzit ka ngritur shqetësime serioze për përqafimin e projektit të “botës serbe” nga disa përfaqësues të Qeverisë në Shkup, ashtu sikurse Maqedonisë së Veriut i është kërkuar të hapë arkivat për shërbimet e fshehta të periudhës së Jugosllavisë si një mënyrë për t’u shkëputur nga e kaluara totalitare.

3 korrik 2025
– Parlamenti Evropian është në prag të heqjes së shprehjeve ‘identitet maqedonas’ e ‘gjuhë maqedonase.’

Siç shkruan mediumi bullgar BGNES, tri forcat më të mëdha politike në Parlamentin Evropian – Partia Popullore Evropiane, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, si dhe Evropa e Ripërtërirë – janë pajtuar që t’i heqin këto formulime nga draft-raporti për Maqedoninë e Veriut.

Një shumicë eurodeputetësh pritet t’i mbështesin këto ndryshime gjatë javës së ardhshme.

Se njoftimi i mediumit bullgar ka të ngjarë të jetë i vërtetë është dëshmuar nga reagimi i sotëm i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Në një paraqitje për mediat, ai ka thënë se paralajmërimet e tij për “inxhinierinë politike” po dalin të vërteta.

Sipas tij, heqja e gjuhës dhe identitetit maqedonas nga raporti është bërë në një mënyrë talibane e që, sipas tij, është një dëshmi tjetër se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë nuk është zgjidhje e problemit.

“Sot kemi një realitet të hidhur: gjuha dhe identiteti maqedonas po fshihen nga dokumentet zyrtare evropiane në mënyrë talibane,” ka thënë Mickoski.

“Është po aq keq të fshihet gjuha dhe identiteti maqedonas, sikur ato të ishin ‘moderne.’ Është njësoj e rëndë, por duhet të theksuar se për herë të parë gjuha dhe identiteti maqedonas kaluan në selinë e demokracisë evropiane në Bruksel.”

Kryeministri i shtetit fqinj më tej ka akuzuar qeverinë e mëparshme, duke përmendur me emra ish-ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski si dhe ministrin e Integrimit Bojan Mariçiq.

Përndryshe, draft-rezoluta për Maqedoninë e Veriut, e përgatitur nga eurodeputeti austriak Thomas Weitz, ka shigjetuar vërejtje serioze për qeverinë e Mickoskit.

Një nga shqetësimet kryesore që ka zënë vend në këtë draft është edhe ai për ‘botën serbe’, për të cilën është thënë se po e vë në pikëpyetje sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve fqinje.

Në pikën 80 të draft-raportit shprehet “shqetësim për projektin e së ashtuquajturës ‘botë serbe’ dhe që disa përfaqësues në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kanë avokuar dhe promovuar këtë koncept; dënon pjesëmarrjen në takime që përpiqen të themelojnë sfera ndikimi që e prekin sovranitetin e shteteve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.”

Në një vend tjetër, raporti për Maqedoninë e Veriut ka kërkuar distancimin e vendit nga e kaluara e vet komuniste përmes hapjes së arkivave.

Kësisoj, në pikën 80-të të raportit është nënvizuar “nevoja për hapjen e arkivave të shërbimeve të fshehta jugosllave (UBDA dhe KOS), të ruajtura në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, ashtu sikurse edhe nevojën që këto arkiva të hapen në nivel rajonal me qëllim të tejkalimit të së kaluarës totalitare.”

Në draft-raport, vëmendje ka marrë edhe fakti që “Maqedonia e Veriut mbetet cak i operacioneve armiqësore për ndikim të huaj”, duke përmendur në mënyrë eksplicite sesi tabloidet dhe mediat në gjuhen serbe funksionojnë si bartëse rajonale të narrativave të Kremlinit. /Nacionale/


Lajme të ngjashme