Raporti i Parlamentit Evropian: ‘Bota serbe’ po përkrahet në Maqedoni - NACIONALE

Raporti i Parlamentit Evropian: ‘Bota serbe’ po përkrahet në Maqedoni

10 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Ajo që dikur ishte marrë disi me kursim, tani po del e vërtetë. Projekti i ‘botës serbe’ po zë vend në Maqedoninë e Veriut, duke bërë për vete edhe përfaqësues të lartë qeveritar. Shqetësimi për një rrëshqitje të Shkupit drejt projektit nacionalist serb ka zënë vend edhe në draft-rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila do të diskutohet në Strasburg të martën e ardhshme. Paradoksalisht, VLEN-i, ose partnerët shqiptarë të Mickoskit, nuk kanë ngritur asnjëherë një shqetësim të tillë, madje as nuk e kanë shqyrtuar qëndrimin e mëtutjeshëm në këtë qeveri.

2 korrik 2025
– ‘Bota serbe’ vazhdon të shkaktojë përplasje goxha serioze mes maqedonasve dhe bullgarëve.

Kjo vjen një javë pasi mediumi bullgar ‘Bgnes’ paralajmëroi se në draft-rezolutën e Parlamentit Evropian, përgatitur prej eurodeputetit Thomas Weitz, ka vërejtje serioze për ‘botën serbe’ në Maqedoninë e Veriut.

I pari kishte qenë korrespodenti i këtij mediumi në Bruksel, Dimitar Ruskov, i cili njoftoi për shqetësimet e ngritura në raportin e eurodeputetit austriak.

Parlamenti Evropian: ‘Bota serbe’ po avokohet nga Qeveria në Maqedoni


Sipas mediumit bullgar, drafti i këtij raporti – për të cilin do të diskutohet në Strasburg më 8 korrik – shpreh shqetësime se projekti për ‘botën serbe’ vë në pikëpyetje sovranitetin dhe stabilitetin e shteteve fqinje.

Kështu, pika 80 e raportit shpreh, “shqetësim për projektin e së ashtuquajturës ‘botë serbe’ dhe që disa përfaqësues në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kanë avokuar dhe promovuar këtë koncept; dënon pjesëmarrjen në takime që përpiqen të themelojnë sfera ndikimi që e prekin sovranitetin e shteteve të tjera dhe stabilitetin e rajonit.”

Shkëputje nga e kaluara komuniste

Në një vend tjetër, raporti për Maqedoninë e Veriut ka kërkuar distancimin e vendit nga e kaluara e vet komuniste përmes hapjes së arkivave.

Kësisoj, në pikën 80-të të raportit është nënvizuar “nevoja për hapjen e arkivave të shërbimeve të fshehta jugosllave (UBDA dhe Kos), të ruajtura në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, ashtu sikurse edhe nevojën që këto arkiva të happen në nivel rajonal me qëllim të tejkalimit të së kaluarës totalitare.”

Mediat serbe, amplifikuese të narrativave të Kremlinit

Në këtë raport, të paktën në draftin e tashpërtashëm, është ngritur shqetësimi edhe për avancimin e narrativave të caktuara.

“Maqedonia e Veriut mbetet cak i operacioneve armiqësore për ndikim të huaj, përfshirë përpjekjet për të përçarë fabrikën sociale të vendit dhe shfrytëzuar sentimentin antievropian, veçanërisht përmes tabloideve dhe mediave në gjuhën serbe që funksionojnë si amplifikuese rajonale të narrativave të Kremlinit.”

Në raport është përkujtuar se Maqedonia e Veriut ka dëbuar 13 diplomatë rusë mes viteve 2018 dhe 2023 për veprime që nuk ishin të përputhshme me statusin e tyre diplomatik, çka sugjeron praninë e rrjeteve për ndikim të fshehtë.

Edhe Kina aktive në Maqedoninë e Veriut

Aty është ngritur shqetësimi se edhe Kina po përpiqet të zgjerojë ndikimin e saj përmes kontrollit të informacionit, diplomacisë së investimeve, dhe klauzave shtrënguese për sa u përket marrëveshjeve për hua në infrastrukturë.

Raporti tërheq vërejtjen se strukturat diplomatike kineze kanë financuar përmbajtje me pagesë nëpër mediat maqedonase.

Sipas një analize të vitit 2023, entitete të lidhura me shtetin rus përdorin mediat serbe për të shpërndarë narrativë armiqësore kundër NATO-s, se gjoja BE po i bën trysni Maqedonisë së Veriut për “të hequr dorë prej identitetit të vet.”

Draft-rezoluta shpreh shqetësimin se Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera kandidate për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor janë të prekura nga ndërhyrjet e jashtme dhe fushatat dezinformuese, përfshirë kërcënimet hibride, korrupsioni strategjik, rrjedhjet e padukshme financiare dhe praktikat shtrënguese të investimeve, që vijnë nga Rusia e Kina.

Mickoski shfajësohet: “Nuk e besoj raportin”

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski të mërkurën ka hedhur poshtë pretendimet për ndikimin e botës serbe.

“Nuk e kam parë këtë raport. Kur ta shoh, do ta komentoj. Unë absolutisht e hedh poshtë një gjetje të tillë dhe nuk besoj se këtë e përmban një raport zyrtar i Bashkimit Evropian, për shkak se do të ishte shumë naive,” ka thënë Mickoski.

Ai ka shtuar se nga kontaktet që ka me përfaqësues të lartë të BE-së nuk ka asgjë të përbashkët me ‘botën serbe’.

“Nëse dikur ishte një nismë e quajtur ‘Ballkani i hapur’, sot nuk ka një gjë të tillë. Kuptimi i saj ka humbur,” ka thënë më tej Mickoski.

Dodik erdhi pa therrë në këmbë midis Shkupit

Se ‘bota serbe’ ka gjetur hapësirë në shtetin fqinj, kjo dëshmohet nga plot raste.

Skandali më i rëndë ndodhi sivjet më 27 janar – me rastin e shënimit të së ashtuquajturës ‘Ditë e Shën Savës’ – kur Qeveria e Mickoskit u bëri nderet më të larta Milorad Dodikut dhe udhëheqësve të Republikës Serbe.

“Rroftë Maqedonia, rroftë Serbia, rroftë Republika Serbe dhe rroftë Rusia vëllazërore”, kishte thënë Dodiku në akademinë solemne që u mbajt në sallën e Teatrit Kombëtar në Shkup.

Ky miting filloi e mbaroi me madhërimin e autokratit rus, Vladimir Putin.

Serbia me ndikim të plotë në Maqedoni

Prania gjithnjë e më e dukshme e Serbisë në Maqedoninë e Veriut, dhe përkrahja e saj për qeverinë e drejtuar nga VMRO-DPMNE, është pasqyruar edhe në mediat bullgare.

Në vjeshtën e vitit të kaluar,agjencia bullgare e lajmeve BGNES pati parlajmëruar se Serbia e Vuçiqit i është bashkuar një fushate të fortë antibullgare të nismuar nga qeveria e kryeministrit, Hristjan Mickoski.

Vetë presidenti autokrat serb nuk ishte kursyer nga goditjet në kurriz të Bullgarisë. Sipas tij, bullgarët janë të pezmatuar për shkak se Serbia është më e pëlqyer në Maqedoninë e Veriut.

“Marrëdhëniet me Malin e Zi janë diç më mirë sesa që ishin më parë, me Hungarinë dhe Maqedoninë e Veriut janë më të mirat në histori, kurse bullgarët janë të pezmatuar se ne jemi më të pëlqyer sesa ata në Maqedoninë e Veriut”, kishte thënë Vuçiq në nëntor të vitit 2023 për TV Pink.

Serbia ishte vënë në mbështetje të Maqedonisë së Veriut kur Sofja zyrtare kishte vënë veto në negociatat për anëtarësim në BE.

Edhe analisti bullgar Vladimir Vladimirov kishte vlerësuar se Bullgaria tashpërtash nuk gëzon kurrfarë ndikimi në Maqedoninë e Veriut.

“Serbia ka një ndikim të madh në vend”, kishte thënë ai duke veçuar se ky ndikim është edhe në nivelin social, politik dhe ekonomik.

“Partia fituese në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, është mjaft proserbe dhe proruse në orientimin e saj”, kishte thënë Vladimirov për mediumin bullgar ‘Fakti’. /Nacionale/

Lajme të ngjashme