Maqedonia e VMRO-DPMNE-së e bën mysafir nderi Dodikun
Pa u bërë fiks një vit kur Talat Xhaferi ishte bërë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qeveria e re e VMRO-DPMNE-së i ka bërë nderet më të larta Milorad Dodikut dhe udhëheqësve të Republikës Serbe. Ngjarja e së hënës në Teatrin Nacional të Maqedonisë, për nder të Ditës së Shën Savës, ka bërë bashkë ministra të Vuçiqin, ambasadorin rus si dhe krerët e dy partive kryesore maqedonase.
Col Mehmeti
Vetëm me lëshim kumtesash partiake kanë filluar e mbaruar reagimet në Maqedoni të Veriut pas pranisë së politikanit më kundërthënës serb në rajon, Milorad Dodik.
Midis Shkupit, udhëheqësi i Republikës Serbe, i cili në vazhdimësi kërcënon me zhbërjen e Bosnjës, ka afishuar thirrje kundër BE-së dhe kundër NATO-s.
“Rroftë Maqedonia, rroftë Serbia, rroftë Republika Serbe dhe rroftë Rusia vëllazërore”, ka deklaruar Dodik në akademinë solemne të mbajtur të hënën në sallën e Teatrit Kombëtar të Maqedonisë së Veriut për nder të kremtës së Shën Savës.
E organizuar nga Qendra Kulturore Serbe, e hëna, që përkon edhe me Ditën e komunitetit serb në Maqedoninë e Veriut, ka përfunduar me madhërimin e autokratit rus, Vladimir Putin.
“Putini dhe udhëheqja e tij bënë gjithçka për të mbrojtur interesat kombëtare dhe shtetërore ruse në kohën e duhur”, ka deklaruar midis Shkupit presidenti i Republikës Serbe.
Mohohet gjenocidi në praninë e zyrtartëve të lartë të shtetit
Fjalimi i tij ka kaluar edhe me mohime të gjenocidit në Bosnjë, duke thënë se “populli serb nuk i ka bërë pis duart në luftën civile”.
“Ne jemi të bindur se serbët në Ballkan sot kanë dy shtete – Republikën Serbe dhe Serbinë”, ka qenë pohimi tjetër i tij.
Siç njoftojnë mediat nga shteti fqinj, ngjarja nuk është mbyllur me kaq.
Një video e afishuar në platformën sociale ‘X’ paraqet Dodikun në një mbrëmje me muzikë serbe në një restaurant në Shkup, kurse pranë tij ka qenë edhe kryetari i Shoqatës së Basketbollit të Maqedonisë, Pero Antiq.
Në eskortën e Dodikut është vënë re edhe prania e Nenad Stevandiqit, kryetar i Kuvendit të Republikës Serbe, sikundër edhe shumë zyrtarë të tjerë serbë nga Bosnja.
Distancim sa për të thënë
Peshën e skandalit me Dodikun e ka shtuar edhe prania e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, kreut të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipče, si dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie mes Bashkësive, Ivan Stoilkoviq.
Në emër të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, Serbinë e kanë përfaqësuar në këtë mbrëmje ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq si dhe ai i Kulturës, Nikola Selakoviq.
Bashkë me ta ishte edhe patriarku serb Porfir, i cili ka bërë vend në radhët e para të sallës përkrah Kryepeshkopit të Ohrit dhe Maqedonisë, Stefan. I ftuar nderi në këtë mbrëmje ishte edhe ambsadori rus në Shkup, Sergey Bazdnikin.
Vetëm një ditë më pas, të martën, kreu i Qeverisë së Maqedonisë është munduar të distancohet nga fjalimi i Dodikut, duke thënë se në një ceremoni të tillë nuk do të duhej të ishin thënë mesazhe politike.
“Sa i përket përmbajtjes së fjalimit që shprehet kundër BE-së dhe NATO-s, unë e hedh poshtë prerë dhe absolutisht nuk pajtohem me të. Unë vërtet nuk prita që ai do ta shpërdoronte ngjarjen duke dërguar mesazhe të tilla”, ka thënë Mickoski në një adresim shtypi.
“Sepse, në fund të fundit, ajo ishte akademi ceremoniale, dhe jo vend për këso lloj thirrjesh politike”.
BDI: U tejkalua çdo kufi moral e logjik
Nga reagimet e para kundër pranisë së Dodikut ka qenë ai i Bashkimit Demokratik për Integrim. Sipas kësaj partie, ky ishte ofendim i rëndë nga një qeveri pa legjitimitet dhe nga mohuesi i Srebrenicës.
“Në një akt që tejkalon çdo kufi morali dhe logjike politike, në ndërtesën që supozohet të simbolizojë Marrëveshjen e Ohrit dhe harmoninë ndëretnike, u pranua dhe u nderua Milorad Dodik – krahu i zgjatur i Vladimir Putinit, njeriu që punon për ndarjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe njeriu që lavdëron masakrën çnjerëzore të Srebrenicës”, është thënë në reagimin e BDI-së.
Partia e drejtuar nga Ali Ahmeti e ka quajtur skandaloze që Dodiku ka qenë i ftuar nderi në ministrinë e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas kumtesës, “prania e Dodikut aty është një shuplakë për viktimat e Srebrenicës, për shqiptarët dhe për çdo qytetar që beson në lirinë dhe barazinë”.
Kritike ndaj kësaj ngjarje ishte edhe Aleanca për Shqiptarët e krahut të Ziadin Selës, e cila ka vlerësuar se ngjarja e së hënës është alarm edhe për ndërkombëtarët për kahjen që po i jep vendit Qeveria aktuale.
“Me Qeverinë e re Vlen-DPMNE, Maqedonia e Veriut nga një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, po shndërrohet në poligon të forcave sërbo-ruse”, është thënë në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.
SDA: Maqedonia promovon Serbinë e Madhe
Edhe përfaqësuesit e komunitetit boshnjak në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar fort ndaj kremtimeve për Ditën e Shën Savës, duke e cilësuar ato si vazhdim i një vargu provikimesh dhe skandalesh diplomatike.
Kështu, Partia për Veprim Demokratik (Stranka demokratske akcije) e ka cilësuar skandaloze edhe faktin që, krahas flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, është shfaqur edhe flamuri i Republikës Serbe.
Kjo parti boshnjake ka reaguar ndaj faktit që mohimi i gjenocidit ndaj boshnjakëve është përkrahur edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë, siç ka qenë prania e zëvendëskryeministrit Stoilkoviq.
“Në vend të një kremtimi dinjitoz të festës, organizatorët zgjodhën të provokonin duke dënuar gjenocidin në Srebrenicë, ashtu sikurse edhe skandalet diplomatike që po i dëmtojnë marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjës e Hercegovinës. Ndjejmë keqardhje që Qeveria e Republikës së Maqedonisë, pas ndalimit të rrugës për në BE, po bëhet patrone e ngjarjeve që promovojnë Serbinë e Madhe dhe që po e shtyjnë Maqedoninë drejt ‘botës serbe’, të cilat i duatrokiti edhe ambasadori rus”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.
LDP: T’i ndalohet hyrja Dodikut
Reagimeve i është bashkuar edhe Partia Liberale Demokratike, e cila ka thënë se akademia për nder të Shën Savës ka fyer të gjithë qytetarët e Maqedonisë me mosrespektin e saj për pozitën e nikoqirit.
Sipas kësaj partie, Maqedonia njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe çdo diskurs politik që e vë në pikëpyetje integritetin e këtij shteti është i papranueshëm.
“Ata që e shpërdorojnë mikpritjen duhet të përballen me përjashtim nga po e njejta mikëpritje. Ata që janë në listat e zeza të aleatëve tanë strategjikë si ShBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian duhet së paku të mos jenë mysafirë në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, është thënë në reagimin e Partisë Liberale.
Në fund, liberalët maqedonas kanë kërkuar nga Qeveria që t’iu bashkohet sanksioneve të ShBA dhe Britanisë dhe t’i ndalojnë hyrjen në Maqedoni Milorad Dodikut dhe figurave të tjera kundërthënëse .
Serbia me ndikim të plotë në Maqedoni
Prania gjithnjë e më e dukshme e Serbisë në Maqedoninë e Veriut, dhe përkrahja e saj për qeverinë e drejtuar nga VMRO-DPMNE, është pasqyruar edhe në mediat bullgare.
Në vjeshtën e vitit të kaluar,agjencia bullgare e lajmeve BGNES pati parlajmëruar se Serbia e Vuçiqit i është bashkuar një fushate të fortë antibullgare të nismuar nga qeveria e kryeministrit, Hristjan Mickoski.
Vetë presidenti autokrat serb nuk ishte kursyer nga goditjet në kurriz të Bullgarisë. Sipas tij, bullgarët janë të pezmatuar për shkak se Serbia është më e pëlqyer në Maqedoninë e Veriut.
“Marrëdhëniet me Malin e Zi janë diç më mirë sesa që ishin më parë, me Hungarinë dhe Maqedoninë e Veriut janë më të mirat në histori, kurse bullgarët janë të pezmatuar se ne jemi më të pëlqyer sesa ata në Maqedoninë e Veriut”, kishte thënë Vuçiq në nëntor të vitit 2023 për TV Pink.
Serbia ishte vënë në mbështetje të Maqedonisë së Veriut kur Sofja zyrtare kishte vënë veto në negociatat për anëtarësim në BE.
Edhe analisti bullgar Vladimir Vladimirov kishte vlerësuar se Bullgaria tashpërtash nuk gëzon kurrfarë ndikimi në Maqedoninë e Veriut.
“Serbia ka një ndikim të madh në vend”, kishte thënë ai duke veçuar se ky ndikim është edhe në nivelin social, politik dhe ekonomik.
“Partia fituese në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, është mjaft proserbe dhe proruse në orientimin e saj”, kishte thënë Vladimirov për mediumin bullgar ‘Fakti’.