Memli Krasniqi nuk është më lideri 'më i mërzitshëm' në Kosovë, është më deluzionali
Partia më e madhe opozitare në vend, PDK-ja, ka mbetur në duart e politikanit më ‘të mërzitshëm’ të të gjitha kohërave, Memli Krasniqit. Politikani 42 vjeçar që i ka nja 20 vjet përvojë në politikë, para do ditësh e mbushi një vit si kryetar partie dhe e dha një intervistë, ku i bëri do ‘shpurdhje’ deluzionale. Le ta shqyrtojmë.
Memli Krasniqi ka qenë dy herë ministër, disa herë deputet, shumë herë bartës i pozitave të ndryshme në PDK... dhe një herë reper. Fatkeqësisht, kjo e fundit i mbahet mend më së shumti.
Por, edhe pse ish-reper që ndoshta la një farë shenje në botën e hip-hopit, Memli ka qenë lojtar jashtëzakonisht i pazoti me fjalët në politikë. Intervistat e tij televizive janë tmerrësisht të mërzitshme dhe tepër të përqendruara në politikën e ngushtë e bajate ditore. Tash, merreni me mend sa i mërzitshëm mund të jetë Memli Krasniqi në intervista të shkruara.
Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se Albin Kurti po e humbë ndjeshëm mbështetjen për shkak të mospunës, ndryshimit të qëndrimeve dhe skandaleve nga vartësit e tij. Kjo e bën të rëndësishme përpjekjen për të shqyrtuar alternativat. Në këtë rast, Memli Krasniqin.
Fjalia që i bëri më së shumti bujë Memlit, e që më shtyu ta lexoja intervistën për të mësuar diçka të re nga metodat kreative organizative dhe përgjithësisht puna e tij ishte fjalia si vijon:
“Ne [PDK-ja] dalim të parët në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen,” – tha Krasniqi.

Strategjia
Në bazë të sondazheve të lartpërmendura, PDK-ja e ka arritur një rritje të vogël në përqindje, megjithatë as afër nivelit që e imagjinon Memli Krasniqi. Personalisht e kam të vështirë ta kuptoj arsyen edhe prapa asaj rritjeje të vogël. Megjithatë, mund të aludoj se kjo ndodh për shkak se jemi të mbërthyer në një tragjedi ciklike: pushteti korruptohet, opozita ose s’bën asgjë si PDK-ja tash ose formulon qëndrime që s’mund t’i mbajë, dhe përfiton mbështetje prej atij korrupsioni.
Fatkeqësisht, kjo duket se është strategjia e Memli Krasniqit sipas intervistës së dhënë me Muhamet Kocin.
Asnjë mësim nga 14 shkurti
I pyetur në çka e bazonte besimin e rikthimit të elektoratit në parti, përgjgija e Krasniqit ishte si më poshtë:
“Ajo që është evidente, është fakti se ka një dëshpërim në rritje të qytetarëve të Kosovës me qeverinë Kurti.”
Në anën tjetër, Krasniqi nuk tregoi absolutisht asgjë nga angazhimet publike që ka bërë ai apo partia e tij për të rritur mbështetjen. Ai përmendi – ashtu siç edhe mund të pritej – “lidhjen me qytetarin”. Pra, me atë qytetar që nuk shihet nëpër kamera, nuk njihet nga gazetat, nuk ka as emër e mbiemër e as zë në sferën publike.
I pyetur se cilat ishin kauzat e PDK-së (që tashmë i ka bërë dy vjet e pesë muaj në opozitë) ai u përgjigj si vijon:
“Kauzat e PDK-së janë kauzat e qytetarit të Kosovës.”
Pra, po e përsërisim, kemi të bëjmë me atë qytetar anonim përmes të cilit Krasniqi kërkon ta fshehë mospunën e tij në krye të PDK-së.
Qe një perlë tjetër:
“Shkëputja që në momente të caktuara ne e kemi pasur nga qytetari në terren, ka qenë një nga defektet tona në të kaluarën.”
Ky diagnostikim nuk mund të ishte më i gabuar. Në fakt, tregon se Memli me partinë e tij nuk kanë mësuar absolutisht asgjë nga debakli i 14 shkurtit 2021, apo edhe 6 tetori 2019.
Nuk ishte shkëputja me qytetarin e terrenit problemi i PDK-së. Ishte pikërisht qytetari i terrenit problemi. Klientelizmi. Debaklet e përditshme në sferën publike. Kontakti publik me qytetarin real që kishte emër e mbiemër. Mungesa e përgjigjeve të artikuluara për tolerancën e madhe për korrupsion e nepotizëm. Nuk ishte simpatizanti i paguar që ai e quan “qytetar”, e që natyrisht nesër do t’i kërkojë punë e favore të tjera.
Qeveria e hijeve
Por, të pyesim edhe një herë tjetër: cila ishte puna e Memli Krasniqit? Ai përmendi Qeverinë nën Hije, ose të ashtuquajturin “Kabinet i Qeverisë në Hije”.
Kjo Qeveri nën Hije është paralajmëruar prej që u humbën zgjedhjet më 6 tetor 2019, pra qysh para gati tri vitesh. Dhe ajo ishte shtyrë e shtyrë, nganjëherë edhe me arsye banale siç ishin disa infektime me Covid.
“Për shkak të sëmundjes së Covid-19, ku kryetari edhe nënkryetari ishin të infektuar, na u prishën planet (për formimin e Qeverisë nën Hije) dhe nuk arriti koordinimi siç ishte i planifikuar,” – i kishte thënë Faton Abdullahu Nacionales para disa muajsh.
Por, Qeveria nën Hije tashmë është formuar... e megjithatë s’është formuar. Janë prezantuar si koordinatorë (ekuivalentë i ministrash) vetëm dy-tre njerëz, ndërkohë që pjesa tjetër mbetet vakante.
A thua vallë, çka do të ndodhte sikur Memli Krasniqit t’i kërkohej ta formonte një Qeveri përnjëmend me 15 ministri?
Ja një fjali tjetër paradoksale në intervistë e thënë nga Krasniqi kur u pyet pse mendonte që Kurti nuk do ta përfundonte mandatin më 2024:
“Tradita politike në Kosovë ka dëshmuar, sidomos pas shpalljes pavarësisë, se asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin e vet. Po ashtu, kjo traditë tregon se janë kryeministrat ata që vendosin se kur mund të përfundojnë mandatin.”
I pasaktë
Në fakt, edhe pse paradoksale, fjalia e mësipërme nuk është as e saktë. Kryeministri Avdullah Hoti nuk kishte vendosur t’i jepte fund mandatit të tij. As kryeministri Isa Mustafa kur PDK e braktisi dhe e rrëzoi bashkë me opozitën në vitin 2017. E as Albin Kurti kur LDK-ja e braktisi dhe e rrëzoi bashkë me opozitën në vitin 2020.
I vetmi kryeministër që ka ‘vetë-vendosur’ se kur të përfundonte mandatin ishte Hashim Thaçi.
PDK-ja mund të jetë rritur pak në sondazhe, por kjo nuk ka ndodhur për meritë të saj e larg qoftë të lidershipit të saj.