Opozitës i dalin tri ‘Qeveri nën Hije’
Partia më e madhe opozitare në Kuvend, PDK, ka dy vjet që ka dalë në opozitë dhe ka paralajmëruar se do t’i kthehet praktikës së vjetër opozitare, por nuk e ka bërë për shkak të disa infektimeve me Covid-19. Bëhet fjalë për “Qeverinë nën Hije” që Hashim Thaçi e kishte krijuar më 2005. Gazeta Nacionale ka kuptuar që tashmë AAK-ja e ka një ‘Qeveri nën Hije’ edhe pse nuk e ka bërë të madhe një gjë të tillë. Sa i përket LDK-së, alternativa e saj na u tha se bazohet në ‘departamente ekspertizash’, edhe pse është e vështirë të matet puna që kanë bërë deri tash. E gjithë kjo i ka lënë terrenin për opozitë të konsoliduar një partie që nuk është as në Kuvendin e Kosovës, PSD-së.
Menjëherë pasi PDK-ja doli e treta në zgjedhjet e vitit 2020, ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, njoftoi se partia e tij do të qëndrojë në opozitë. E kjo la të kuptohet se PDK-ja në opozitë do t’i kthehet rolit të vjetër kur kritikën dhe alternativën e jepte përmes “Qeverisë nën Hije”.
Dy vjet kohë ju deshën PDK-së për të dalë nga “konformiteti” që kishte krijuar si pjesë e çdo qeverie brenda 12 vjetëve administrim. Tash PDK-ja synon t’i kthehet “Qeverisë nën Hije” duke tentuar të dëshmojë se është e aftë ta marrë ekzekutivin në dorë përsëri.
Por, ashtu siç kishte pasur probleme në formimin e gati çdo qeverie gjatë tetë viteve të fundit për shkak të ‘vijave të kuqe’ që i vendosnin partitë e tjera, PDK-ja po e ka të zorshme të formojë edhe qeverinë nën hije ku nuk i duhen fare partnerët e koalicionit.
Ky format i ri i PDK-së do t’i ketë 15 departamente me koordinatorë dhe ekipe punuese, megjithatë zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë se mund të ketë ndryshime deri në finalizimin e plotë të projektit.
“Krijimi i ‘Qeverisë nën Hije’ është prioritet i PDK-së, konkretisht i kryetarit Krasniqi. Kemi krijuar 15 departamente, por ato mund të ndryshojnë në proces e sipër. Jemi në fazën e konsolidimit të përgjegjësve apo koordinatorëve, ku koordinatori do të ketë disa anëtarë të tjerë si ekip në vete që do të shërbejnë brenda departamentit” - ka thënë Faton Abdullahu për Gazetën Nacionale.
Tashmë kanë kaluar pesë muaj që kur lajmin për formimin e Qeverisë nën Hije e kishte konfirmuar nënkryetarja e partisë, Vlora Çitaku.
“Përmes këtij kabineti PDK nuk do të jetë vetëm kritikuese për Qeverinë aktuale, por do të ofrojë edhe alternativa si zgjidhje të qëndrueshme për probleme të ndryshme”, kishte njoftuar Çitaku.
E Abdullahu i PDK-së ka thënë se vonesat për krijimin e kësaj alternative – për të cilën pretendon se është më e mirë se Ekzekutivii zgjedhur - erdhi për shkak të sëmundjes së Covid-19 që kishte infektuar krerët e saj.
“Për shkak të sëmundjes së Covid-19, ku kryetari edhe nënkryetari ishin të infektuar, na u prishën planet dhe nuk arriti koordinimi siç ishte i planifikuar”, ka thënë Abdullahu.
Të angazhuar në këtë qeveri pa kompetenca ekzekutive do të jenë anëtarët e kryesisë së PDK-së, deputetët, por gjithashtu do të ketë edhe figura të reja.
“Në ‘Qeverinë nën Hije’ do të ketë anëtarë të kryesisë së PDK-së, por edhe deputetë e figura të reja që do të angazhohen për herë të parë në këtë qeverisje e cila do të praktikohet së shpejti,”- ka thënë Abdullahu.
Kujtojmë se në vitin 2005, PDK-ja në krye me Hashim Thaçin kishte krijuar 14 departamente, dy nga të cilat drejtoheshin nga shoqëria civile.
Opozita e (pa)bashkuar thonë se po presin ftesa nga njëra-tjetra
Në rastet kur opozita brenda dhe jashtë Kuvendit është e ndarë në disa parti, këto të fundit shpesh dinë të bashkohen mes vete. Por, një gjë e tillë nuk po ndodh në vendin tonë.
Partinë Socialdemokrate [PSD], përkundër që nuk ka zë brenda Kuvendit, nuk e ndaloi asgjë për të organizuar protestë para qeverisë kundër rritjes së çmimit të rrymës. Edhe pse partitë opozitare në Parlament, PDK dhe AAK e përkrahën pozitën, ato zgjodhën të mos marrin pjesë... edhe pse, eksponentë brenda tyre u panë në shesh.
Po bëhet një vit që kur Vetëvendosje mori kontrollin e Ekzekutivit krejt e vetme, e derisa partitë opozitare po presin ftesa për bashkëpunim nga njëra-tjetra, ato ende asnjëherë nuk kanë arritur të koordinohen për të punuar bashkërisht rreth një kauze apo projekti konkret.
Një “Qeveri nën Hije” do të ishte një mundësi e mirë që opozita të bashkohej për të treguar sa vlen karshi Vetëvendosjes e cila tash e një vit po qeveris e vetme.
Nga PDK-ja thonë se deri tash nuk pasur koordinim me partitë tjera, por kjo s’do të thotë që nuk mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.
“Deri tash jo..., por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen e afërt ne nuk do të jemi bashkëpunues dhe nuk i koordinojmë konceptet, veprimet dhe mendësinë tonë qeverisëse edhe me partitë tjera. Si opozitë jemi konstruktivë dhe bashkëpunues me partitë tjera parlamentare, e i respektojmë edhe partitë tjera që nuk janë në Kuvend,” ka thënë Faton Abdullahu.
Ndërsa AAK-ja thonë se deri tash nuk kanë pasur ndonjë ftesë për bashkëpunim nga PDK-ja, andaj kjo parti shumë kohë para PDK-së e ka krijuar “Qeverinë e saj nën Hije”, veçse nuk e ka publikuar emrin.
“Ne e kemi bë para tyre, por veç s’e kemi nxjerr emrin si “Qeveri nën Hije”. Ne kemi shkuar me departamente profesionale dhe e kemi formuar që nga koha e ‘Qeverisë Kurti 1’ dhe kemi vazhduar tek ‘Kurti 2’. PDK-ja nuk na ka bërë ndonjë ftesë, por sikur të kishim (hipotetikisht) Kryesia do ta konsideronte”, ka thënë zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blakaj për Gazetën Nacionale.
E në pyetjen adresuar LDK-së lidhur me një mundësi bashkëpunimi me PDK-në rreth “Qeverisë nën Hije”, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se për këtë çështje më mirë është të pyetet PDK-ja, ndërkohë që konfirmoi se partia e saj i ka departamentet e veta për qëllimin e njëjtë.
“Ne i kemi departamentet tona që bazohen në ekspertiza... por po më dukët që më mirë do të ishte të pyetet PDK-ja cili është qëndrimi i tyre,” ka folur shkurt zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.
Derisa partitë opozitare nuk po bashkëpunojnë mes vete kundër qeverisë, AAK-ja shprehet e bindur se secila është “ilaçi” i vërtetë për “Qeverinë Kurti”. Madje, sipas Blakajt, i pari i partisë së tyre, Ramush Haradinaj, është “antidot” i Kurtit.
Për ata që s’e dinë, antidota [ang. Antidote] e diçkaje është ilaçi që merret për të kontrolluar efektet e një helmi apo sëmundjeje, sipas fjalorit të Oxfordit.
“Antidota e Kurtit është Ramush Haradinaj”, ka thënë Blakaj i AAK-së.
Praktika evropiane e “Qeverisë nën Hije”
Modeli i “Qeverisë nën Hije” është praktikë e parlamentarizmit anglez, ku sistemi politik atje është dy-partiak dhe njëra nga partitë vazhdimisht qëndron në opozitë, duke dhënë kritika dhe alternativa krahas vendimeve të Ekzekutivit.
Dallimi në mes të qeverisë që buron nga parlamenti dhe kësaj që buron nga partia, është se kjo e fundit nuk ka kompetenca ekzekutive dhe sigurisht që nuk paguhet nga paraja publike.
Jashtë praktikës angleze, kemi tjera shtete evropiane si rasti i Gjermanisë, ku opozita brenda Bundestagut organizohet duke krijuar borde të ekspertëve dhe këshilltarëve, përmes të cilëve kritikohen veprimet qeverisë dhe ofrojnë opsione më të mira.
Në Francë gjithashtu, formati i “Qeverisë nën Hije” nuk është i “detyrueshëm” nga opozita, madje është i pazakonshëm. Megjithatë, edhe në Francë kanë ekzistuar disa raste kur është krijuar “Qeveria nën Hije”.