‘Më i miri’, ‘ka pasion’: Peci e Gërvalla kanë folur me Kurtin që ta bëjë Haxhi Avdylin ministër të Shëndetësisë
Ka shumë pak vite në skenën politike, megjithatë, nga ‘Guxo’ po deklarohen se ambiciet i kanë të mëdha. Kështu, dy kryetarët e këtij subjekti politik po kërkojnë që edhe një pozitë shumë e rëndësishme, ajo e ministrit të Shëndetësisë, t’u takojë atyre.
Në krye të këtij dikasteri, ‘Guxo’ po synon ta vendosë deputetin Haxhi Avdyli, i cili me profesion është neurokirurg.
Fillimisht ministrja Donika Gërvalla, e më pas ministri Faton Peci, të dy po propozojnë që Avdyli ta marrë këtë pozitë, çështje e cila, siç duket i është prezantuar edhe kryeministrit Kurti.
Çështja në dorë të kryeministrit Kurti?
Znj.Gërvalla e paralajmëroi propozimin, ndërkaq z.Peci e konfirmoi atë, siç duket çështja ka mbetur në dorë të kryeminsitrit Kurti.
Gërvalla gjatë javës që lamë pas, e konsideroi deputetin Avdyli si kandidatin më të mirë për këtë pozitë, pas dorëheqjes së Rifat Latifit.
“Unë mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyer, mendoj që deputeti Haxhi Avdyli jo vetëm që do ti shërbente këtij institucioni…Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëjë këtë propozim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirë se ardhura. Unë mendoj që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin. Mua, Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm”, tha ajo në televizionin publik.
Ndërkaq, ministri Peci, në Rubikon foli fjalë të mëdha për deputetin Avdyli, duke konsideruar ky ka pasion të madh për detyrë në ekzekutiv.
Por përveç kësaj, z.Peci konfirmoi se çështja është diskutuar me kryeministrin Kurti, por edhe me subjektin që ai drejton, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në komunikime që kemi pasë me kryeministrin dhe LVV-në, kemi shpreh një interesim për shkak se e vlerësojmë figurën dhe personalitetin, mbi të gjitha, pasionin që ka Haxhi Avdyli për detyrën ekzekutive”, tha ai.

Tutje, ministri Peci shtoi se kërkesa nuk duhet të realizohet me çdo kusht, por Guxo, sipas tij ia ka paraqitur Kurtit edhe argumentet se pse duhet të ndodhë kjo.
“Ne kemi vetbesim, që mundemi me e drejtu edhe MSH-në, kjo flet diçka. Ne i kemi ofruar të gjitha argumentet kryeministrit…(Pra keni bërë propozim?)…Ne në komunikime me LVV-në, me kryeministrin, kemi vlerësu figurën e Haxhi Avdylit, e kemi vënë në dispozicion, jemi të vetdijshëm për marrëveshjen për dy ministri dhe zv.ministrin. Nuk mund të themi që kemi bërë kërkesë eksplicite, por LVV-së i kemi ofruar arsyet pse Haxhi Avdyli është i denjë për ministër të Shëndetësisë”, ka thënë z.Peci.
Kush është Haxhi Avdyli?
Sipas biografisë së deputetit, të publikuar në faqën zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli ka lindur në Prizren, më 21 janar 1972.
I njëjti ka kryer studimet në Fakultetin e Mjëksisë dhe ka punuar si mjek në ambulancat humanitare “Nënë Tereza”, ndërkaq nga viti 1998 punoi si mjek në fshatin Grejkoc të Therandës.
Avdyli, thuhet se ka punuar edhe si mjek terreni me refugjatë, civilë të plagosur dhe ushtarë të UÇK-së në Budakovë.
Ai më pas ka vazhduar shkollimin specialistik në Nueorkirurgji në Prishtinë e Tiranë, ndërsa ka punuar në Gjermani.

Nga viti 2005, ai ka punuar në QKUK si specialist neurokirurg, për të përfunduar më pas studimet postiplomatike në Menagjment Shëndetësor.
“Nga viti 2007-2009 udhëheq Qendrën për Hulumtime Shëndetësore; 2009-2014 ka qene aktiv në Këshillin e ekspertëve të LDK-së kryesisht për shëndetesi dhe me 2015-16 punoi si mësimdhënës në Kolegjin “Heimerer”, thuhet në biografinë e Avdylit, të publikuar nga LVV-ja.
Avydli ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ka shërbyer si kryetar i degës në Prizren nga viti 2014 deri në vitin 2019.
Por, ai raportohej nga politikani Xhavit Ukaj se kishte qenë pjesë edhe e PDK-së si anëtar i saj.
Nga viti 2017 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, fillimisht me LDK-në, por më pas kaloi te lista “Vjosa”.
Së fundi, Guxo e zgjedhi Haxhi Avydlin si nënkryetar të partisë.


