GUXO ka më tepër kryetarë (2) sesa përqindje në sondazhe (1.5) - NACIONALE

GUXO ka më tepër kryetarë (2) sesa përqindje në sondazhe (1.5)

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Parti që derivoi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, gjegjësisht Vjosa Osmani, që tani gëzon kolltukun e presidentes së vendit.

Kësaj të fundit Kushtetuta nuk ia lejon angazhimin partiak, kështu që GUXO kaloi nën direktivat e Donika Gërvalla - Schwarz e Faton Pecit, njëherit bashkëkryetarë të partisë.

Për këtë model qeverisjeje brendapartiake, kishte folur edhe vet Gërvalla, duke thënë se ideja për dy kryetarë ishte ekskluzivisht e saja, ani pse ka raportime që e njëjta përzgjedhje mund të jetë anti-kushtetuese, gjë për të cilën veçse ka raportuar Nacionale.

“Ky propozim ka qenë ekskluzivisht i imi. Të gjithë kolegëve që ua kam propozuar fillimisht duke përfshirë edhe Fatonin, kanë hezituar. Që nga zgjedhja e presidentes, unë e kam kryesuar partinë deri në kuvendin zgjedhor. Për gjithëkënd ka qenë e qartë që një prej kandidaturave do të jetë e imja, nuk kemi pasë proces të kontestimit të kandidaturës sime”, deklaroi ajo në Rubikon pak javë më parë.

1.5 < 2

Megjithatë gjërat në teren për këtë parti duket të mos jenë në elementin më të mirë.

Kjo pasi, sipas sondazhit të fundit të UBO-s e të cilin e ka siguruar Nacionale, GUXO ka vetëm 1.5% të besimit qytetar aktualisht, që është pak më pak sesa numri i kryetarëve.

Një tjetër goditje për listën e themeluar nga Vjosa, e që në zgjedhjet e fundit hyri në parlament si koalicion me VV-në, ishte edhe largimi i Doarsa Kica - Xhelilit.

Kjo e fundit shihej si një nga pikat më të forta të GUXO-s, pasi Kica-Xhelili shquhet për paraqitje televizive (armë e fortë politike) dhe gëzon reputacion si një juriste e zonja.

Javëve të fundit është parë një angazhim pak më i madh i zyrtarëve të kësaj partie me qëllimin e vetëm për t'u organizuar, por deri më tani, duke u thirrur edhe në sondazhin e fundit, mbijetesa duket të jetë mision i vështirë, pasi përqindja prej 1.5 është relativisht larg asaj 5, që një parti në Kosovë mund t'i sigurojë minimumi pesë e maksimumi gjashtë deputetë.

Sondazhi

Sondazhi i fundit të muajit shtator tregon se Lëvizja Vetëvendosje ka rënë ndjeshëm në popullaritet, derisa ka rritje të ndjeshme nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Më 14 shkurt të vitit 2021, Vetëvendosje do të fitonte bindshëm Zgjedhjet e Jashtëzakonshme duke i marrë 50.2 për qind të votave.

Por, pas ardhjes në qeverisje, kjo parti duket se nuk po ia del që të ruajë popullaritetin.

Mosrealizimi i premtimeve, shkelja e qëndrimeve dhe mosmenaxhimi i duhur i krizave duket se kanë shqetësuar qytetarët e vendit, duke e detyruar një masë të madhe prej tyre që të braktisin subjektin politik që drejtohet nga kryeministri Kurti.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po ashtu ka shënuar rritje në shtator, ani pse nga prilli në qershor kishte regjistruar rënie.

Nuk dihet saktësisht se çka ka 'pezmatuar' në muajin qershor votuesit dhe mbështetësit e kësaj partie që drejtohet nga Ramush Haradinaj.

PDK-ja në anën tjetër, ka pasur po ashtu një rënie dhe një ngritje të çuditshme. Në vetëm dy muaj, kjo parti është rritur për 0,3 për qind (nga prilli në qershor) për të rënë sërish për 0,2 për qind (nga qershori në shtator).

Lajme të ngjashme