‘Më i miri’ i Listës Guxo mbetet veç deputet, LVV-ja s’e bën Haxhi Avdylin ministër të Shëndetësisë
Lista Guxo, partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte propozuar që ministër i Shëndetësisë të bëhet Haxhi Avdyli, deputet i Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, kjo nuk ndodhi, në këtë pozitë, u rikthye Arben Vitia.
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se në pozitën e të parit të Shëndetësisë është rikthyer Arben Vitia, pas humbjes në zgjedhjet lokale në Prishtinë dhe drejtimit të klinikës “Olive”.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij.” – thuhet në komunikatën e Zyës së Kryeministrit.
Haxhi Avdyli?
Siç dihet, Lista Guxo është subjekti politik i vetëm në Kosovë që i ka dy kryetarë, dhe të dy këta, kishin propozuar që ministër i Shëndetësisë të bëhet Haxhi Avdyli.
“Unë mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyer, mendoj që deputeti Haxhi Avdyli jo vetëm që do ti shërbente këtij institucioni…Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëjë këtë propozim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirë se ardhura. Unë mendoj që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin. Mua, Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm.” - kishte deklaruar kryediplomatja Gërvalla.
Ndërkaq, kryetari tjetër i partisë, Faton Peci, kishte konfirmuar se çështja është diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.
“Në komunikime që kemi pasë me kryeministrin dhe LVV-në, kemi shpreh një interesim për shkak se e vlerësojmë figurën dhe personalitetin, mbi të gjitha, pasionin që ka Haxhi Avdyli për detyrën ekzekutive.” – kishte thënë ai.

