Arben Vitia emërohet ministër i Shëndetësisë
Arben Vitia edhe zyrtarisht, është rikthyer si ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e drejtuar nga kryeministrit Albin Kurti.
Kjo është konfirmuar nga zyra e këtij të fundit përmes një komunikate për media.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitia, Ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij.” – thuhet në komunikatë.
Emërimi i Vitisë në këtë pozitë, vjen pas dorëheqjes fillimisht, më pas kandidimit për kryetar të komunës së Prishtinës, humbjes së kësaj gare kundër Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zgjedhjes drejtor i klinikës “Olive”.
Kush është Arben Vitia?
Sipas biografisë së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Vitia ka lindur më 24 dhjetor 1973, në Prishtinë.
Ai ka diplomuar në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si Mjek në Mitrovicë.
Po ashtu, VV thotë se i njëjti, ka punuar si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”. Që nga viti 2010, ai është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi.
“Në vitet 2013-2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, e cilësuar si një nga drejtoritë me të suksesshme gjatë dy mandateve. Ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA.” – thuhet tutje në shkrimin e VV-së rreth jetës së Vitisë.
Vitia, ka shërbyer si ministër në Qeverinë Kurti I dhe atë Kurti II, deri kur vendosi të kandidojë për kryetar të Prishtinës.
48.93%
Ndonëse i hyri garës me shumë optimizëm për ta marrë kryeqytetin e Kosovës, Vitia nuk ia doli ta fitojë përballjen kundër Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai kishte marrë 48.93 për qind të votave, ndërsa Rama, 51.01 për qind.
Ky i fundit, ia kishte uruar edhe fitoren Përparim Ramës, për t’u heshtur më pas në jetën politike.
“Sipas rezultateve që kemi edhe nga komisionerët tanë, Prishtina tashmë ka një fitues, e ai është zotëri Përparim Rama. Shfrytëzoj rastin të falënderoj aktivistët e LVV-së, qytetarët e Prishtinës dhe zotëri Ramën po ashtu për një kulturë të përgjithshme dhe fushatë korrekte që karakterizoi Komunën e Prishtinës.” - tha Vitia në konferencë për medie.
79 ditë pa ministër
Vlen të theksohet se që nga dorëheqja e Rifat Latifit, Kosova ka qëndruar 79 ditë pa ministër të Shëndetësisë, gjë për të cilën, Qeveria ishte kritikuar shumë.
Gjatë kësaj kohe, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli, ishte propozuar nga ky subjekt politik, më konkretisht nga kryetarët Donika Gërvalla e Faton Peci, për të marrë këtë pozitë.
“Unë mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyer, mendoj që deputeti Haxhi Avdyli jo vetëm që do ti shërbente këtij institucioni…Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëjë këtë propozim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirë se ardhura. Unë mendoj që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin. Mua, Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm.” – ishte shprehur kohë më parë, kryediplomatja Gërvalla.


