Martini hedh fall për Vitin e Ri: “VV-ja i merr 53 për qind” - NACIONALE

Martini hedh fall për Vitin e Ri: “VV-ja i merr 53 për qind”

7 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Atë çka nuk guxon ta bëjë VV-ja, Martin Berishaj dhe miqtë e tij në Slloveni e bëjnë përmes fallit. I ashtuquajturi Institut Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme (IFIMES) e ka projektuar partinë e Kurtit me mundësi për të marrë deri në 53 për qind të votave. Vetëm brenda këtij viti, ky institut i ka bërë hyzmet VV-së me katër analiza favorizuese, ashtu sikurse një gjë të tillë e ka bërë edhe për regjimin e Lukashenkos në Bellarusi. Në media gjermane, kroate e boshnjake, IFIMES-i përshkruhet si njëri nga ato institute ‘të pavarura’ të cilave u luhen penjtë në prapaskenë nga shërbimet ruse. 45-vjeçari, Artem Sergieviç Kurijev, oficer i Shërbimit të 5-të në kuadër të Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, është njeriu kyç me të cilin drejtuesit e institutit slloven mbajnë kontakte.

Col MEHMETI

23 dhjetor 2025 – Miqtë sllovenë të ambasadorit Martin Berishaj e kanë projektuar Vetëvendosjen me një përqindje fantastike deri në 53 për qind.

Duke cituar një ‘sondazh të pavarur’ të realizuar në dhjetor, i ashtuquajturi Institut Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) ka bërë shërbimin e katërt këtë vit për hesap të partisë së Albin Kurtit.

Ndonëse e publikuar prej javësh në faqen zyrtare të IFIMES-it, Vetëvendosja me sa duket nuk ka qenë entuaziaste me projeksionet e analistëve sllovenë.

Së paku, kjo parti dhe mediat e afërta me të nuk u kanë bërë fare jehonë këtyre parashikimeve.

E botuar si gjithnjë pa emra autorialë, edhe kjo analizë e IFIMES-it e ka ngritur në hava partinë e Kurtit me vlerësime favorizuese.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) paraqitet si opsion politik i orientuar fuqimisht drejt drejtësisë sociale, zhvillimit ekonomik, forcimit të sundimit të ligjit dhe sovranitetit të Kosovës. Subjekti ndërthur parimet e shtetit social me ambicien për rritje të qëndrueshme ekonomike, si dhe angazhim të theksuar kundër korrupsionit, promovimin e barazisë dhe mbrojtjen e qytetarëve të zakonshëm dhe grupeve të margjinalizuara”, thuhet në analizë.

“Albini po i çrrënjos strukturat politiko-kriminale”

Ashtu sikurse edhe në analizën paraprake të afishuar pak kohë para zgjedhjeve të sivjetme lokale, IFIMES-i nuk ka ngurruar ta përshkruajë VV-në si parti me mbështetje të fortë elektorale “falë programit reformues, luftës kundër korrupsionit dhe çrrënjosjes së strukturave politike-kriminale.

Përkundrazi, qeverisja pesëvjeçare e VV-së ka çaluar më së shumti me mungesën e programit reformues ashtu sikurse edhe me rezultate të hiçta në luftimin e korrupsionit.

Madje, raportet e Departamentit të Shtetit për vitet 2021, 2022 dhe 2023 – kohë që përkon me qeverisjen e Kurtit – e kanë përdorur dendurisht cilësimin “korrupsion serioz qeveritar.”

Pa e matur në kandar këtë aspekt, IFIMES-i, duke u thirrur në “anketat parazgjedhore”, ka paralajmëruar se VV-ja mundësi për një fitore bindëse.

Anketat parazgjedhore sugjerojnë se LVV ka potencial për një fitore bindëse, me mundësinë e kalimit të mbi 50% të votave të votuesve të vendosur – duke e shndërruar këtë proces në një ‘shans të dytë’ për Kurtin”.

IFIMES-i i ‘ha me sy’ partitë rivale të VV-së

Por, autorët sllovenë, në mos vetë Berishaj, i kanë ndërruar vlerësimet kur bëhet fjalë për partitë kundërshtare të Vetëvendosjes.

Sipas tyre, “LDK vazhdon të përballet me krizë të identitetit dhe mungesë reformash të brendshme”.

Në analizën e vet favorizuese për VV-në, IFIMES-it nuk i ka mbushur syrin as PDK-ja si parti rivale, në të cilën, megjithë rotacionin në udhëheqje me zgjedhjen e Bedri Hamzës, “praktikisht drejtimi i partisë shpesh shihet si i centralizuar nga ‘prapaskena’”.

Si përfundon me këtë matje peshash, analiza e IFIMES-it tutje kridhet në sugjestionime të publikut: nëse fiton VV-ja vendi del në selamet, nëse nuk fiton bëhet kijamet.

Nëse LVV siguron shumicë të re parlamentare, Albin Kurti do të ketë mundësinë të vazhdojë programin reformues dhe konsolidimin institucional, duke çuar drejt stabilizimit politik të vendit. Në të kundërt, vendi mund të përballet me vazhdim të krizës politike dhe rritje të tensioneve ndërmjet aktorëve kryesorë.”

Fall, short e fantazi

Ironia është se në analizën e sivjetme për zgjedhjet e 9 shkurtit, të botuar më 24 janar, IFIMES-i kishte fluturuar me parashikime – ky grup nga Lublana paralajmëronte se VV-ja mund të ndukte deri në 59 për qind të votave.

VV-ja është qartazi favorite dhe nuk mund të tejkalohet nga LDK a PDK. Hisja e projektuar e VV-së në vota sillet prej 40% deri më 59%, duke u varur nga faza e fundit e fushatës”, shkruanin miqtë e Berishajt.

Megjithë përgënjeshtrimin nga rezultati i zgjedhjeve të shkurtit, IFIMES-i as tani nuk është shkëputur nga parashikimet favorizuese.

Në fallin e vet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ky institut me seli në Lublanë ka thënë se “LVV gëzon 50-53% të mbështetjes, PDK 16-19%, LDK 15-17%, koalicioni AAK–NISMA 7-9%, ndërsa partitë e tjera arrijnë rreth 3% së bashku.”

Lexo edhe: Inxhinieringu nga Kremlini në Lublanë: “Duam fituese VV-në dhe Listën Serbe”

Njerëzit e Kremlinit para balotazhit: “Vetëm Kurti sjell bereqet”

Një faqe e zezë

Por, sa mund të përfitojë VV-ja nga spindoktorizmi i rregullt i IFIMES-it?

Gjatë këtyre viteve, reputacioni i tij ka qenë për faqe të zezë në Slloveni, Kroaci e gjetkë.

I themeluar më 2002, ky institut me qendër në Lublanë pretendon se kryen analiza politike, ekonomike e sociale, dhe se ka status konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ESOSOC) që prej 2018-s.

Ana financiare e tij rezulton shpesh e dyshimtë, anipse zyrtarisht IFIMES-i pretendon se financohet nga anëtarësia, nga shërbimet trajnuese që i organizon, fushatat fondmbledhëse apo donacionet dhe grantet prej burimeve të brendshme.

Kur mediat sllovene në shkurt të 2023-s patën ngritur këmbanat e alarmit për skandalin për shpërlarje parash, ku qe përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, edhe emri i IFIMES-it ishte zënë në gojë.

Kështu në relacionin korruptiv mes GEN-it të Beogradit dhe Berishajt qëndronte edhe IFIMES-i që drejtohet prej kurdit Bakhtyar Aljaf dhe Zijad Bećirovićit, i njohur për bindjet e tij të majta.

Lexo edhe: Instituti pro-rus nxjerr favorit Kurtin

Më e poshtra histori e Kurtit – Lidhja e tij me IFIMES-i

IFIMES-i me tri simpati: Kurtin në Kosovë, Kariqin në Serbi dhe Lukashenkon në Bellarusi

Në Slloveni e Kroaci prej kohësh analizat e IFIMES-it merren me rezervë; madje ato shpesh dalin në nivel spekulimesh të pastra.

Edhe anketat e kryera nga ky institut janë cilësuar si joserioze e gjithmonë favorizuese ndaj porositësve. Madje, në Kroaci IFIMES-i ishte vlerësuar si prodhues analizash që kanë më tepër karakter spiunazhi sesa analizash.

Nga Lukashenko te Kurti

Çuditërisht, Kurti mbetet në mesin e atyre liderëve antiperëndimorë për të cilët IFIMES-i vazhdimisht ka investuar për t’ua krijuar një imazh në dritë sa më pozitive.

Për shembull, ky Institut është i vetmi që ia rrah shpatullat diktatorit bellarus, Aleksandr Lukashenko për “rezultate të mahnitshme ekonomike”, anipse ai është person non grata për BE-në që nga 17 gushti i vitit 2020.

Nga viti 2016, ky Institut e bëri mysafir nderi ish-kryeministrin e Kosovës, duke i dhënë hapësirë njësoj si figurave të tjera që vlerësohen se kanë qëndrime antiperëndimore.

Dy herë me radhë, dhe atë në prag të zgjedhjeve më 2019 dhe 2025, ky Institut e ka ngritur në qiell Lëvizjen Vetëvendosje në kurriz të partive kundërshtare.

Në anën tjetër, IFIMES-i i ka portretizuar me brushë negative ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, dy partitë e dala nga lufta, PDK dhe AAK, si dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë viteve të fundit, si pasojë e raportimeve skandaloze, plot anëtarë kroatë të bordit të Institutit kishin dhënë dorëheqje, mes të cilëve edhe Stipe Mesić, Budimir Lončar dhe Jadranka Kosor.

Në listën e të dorëhequrve është edhe ish-bashkëpunëtori e analisti politik boshnjak, Muhamed Borogovac.

Ky i fundit ka fshikulluar me akuza të rënda në adresë të Institutit të drejtuar nga kurdi Bakhtyar Aljaf dhe boshnjaku Zijad Bećirović – sipas Borogovacit, plot agjentë serbë janë infiltruar në IFIMES.

Këto akuza nuk kanë mbetur fjalë në erë, meqë në mediat gjermane Instituti slloven, më saktë anëtari i tij, Anis Bajrektarević, është përmendur se mban lidhje të ngushta me shërbimet e fshehta ruse.

Lidhja me Kureyevin dhe Moskën

Ana e errët e IFIMES-it është vënë në spikamë edhe nga e përjavshmja gjermane ‘Die Zeit’, e cila në maj të vitit të kaluar kishte bërë një analizë të titulluar Propaganda aus Moskau (Propaganda nga Moska).

Në këtë analizë, gazetarët gjermanë trajtonin me shqetësim punën e operimit të agjentëve rusë në Austri.

Në qendër të fokusit ishte edhe profesori boshnjak Anis Bajrektarević, i cili ka lidhje të shumta kudo në Evropë.

Si përfaqësues i IFIMES-it, më saktë si drejtues i Departamentit për Studime Strategjike, Bajrektarevići kishte shfrytëzuar Akademinë Diplomatike të Vjenës për të ftuar profesorë, studiues e polikanë të ndryshëm të cilët flasin në përputhje me narrativat ruse.

Sipas Die Zeit, profesori boshnjak kishte kontakt në Moskë me Artem Kureyevin.

Sipas shërbimeve perëndimore të sigurisë, ai njihet si informator i shërbimeve ruse, madje ai kishte një rrjet propagande me të cilin rekrutonte luftëtarë për ushtrinë mercenare të Wagnerit.

Si agjent i Shërbimit të Sigurimit Federal të Rusisë, Kureyevi është profili kryesor i inteligjenës ruse që i bashkërendon fushatat e dezinformacionit në Evropë dhe Afrikë.

Sipas shërbimeve perëndimore, ky agjent rus zbaton veprime e politika të Qeverisë së Federatës Ruse që kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e Bashkimit Evropian apo të vendeve të treta duke organizuar ose drejtuar përdorimin e informacioneve të manipuluara.

Emri i tij figuron që nga viti 2016 në listat e sanksioneve nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Monako dhe Ukraina. /Nacionale/

Lajme të ngjashme