Gjini: Kosova ka dështuar t'i kundërpërgjigjet narrativës serbe për trafikimin e organeve
Ardian Gjini, kryetar i Aleancës, kërkoi që institucionet e Kosovës të jenë më të vendosura ndaj fushatës serbe për njollosjen e imazhit ndërkombëtar të vendit.
I ftuar në emisionin "Rubikon" në Klan Kosova, Gjini u ndal te akuzat për trafikim organesh, për të cilat tha se kanë origjinë nga Beogradi. Sipas tij, ato arritën deri në Këshillin e Evropës përmes ish-senatorit zviceran Dick Marty.
"Akuzat për Shtëpinë e Verdhë dhe për trafikim të organeve janë prodhuar në Serbi", tha Gjini.
Ai vlerësoi se Prishtina nuk ka reaguar sa duhet ndaj këtyre pretendimeve dhe se ka humbur rastin për të ngritur dyshime ndaj vetë Serbisë.
"Ne, për shembull, kemi dështuar me tregu që gjasat reale janë që Serbia vetë ka bërë trafikim të organeve edhe e ka përdorë të njëjtën gjë me na akuzu neve", deklaroi ai.
Gjini përmendi trupat e shqiptarëve të Kosovës që u gjetën në Serbi.
"S'kemi për momentin fakte, po një ditë kanë me dalë", tha Gjini.