“Marrëveshje me Serbinë”, “s’ka Asociacion”: A po flet Kurti përmendësh në intervistat për medie ndërkombëtare?
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka dhënë një mori intervistash për gazeta të njohur (dhe më pak të njohura) ndërkombëtare. Ato qenë kryesisht evropiane, por nuk mungoi as intervista për Al Jazeera, rrjetin globalisht të njohur mediatik të Katarit. Por në shumicën e këtyre intervistave, Kurti ka thënë pothuajse të njëjat gjëra.
“S’ka Asociacion një etnik”, “duam marrëveshje me Serbinë”, "Wagneri në veri", “jam vigjilent, por jo i frikësuar” – janë frazat që Kurti përserit në vazhdimësi, aq sa të krijon përshtypjen që tashmë këto kryeministri i ka mësuar përmendësh.
Intervista pafund
Në secilën intervistë të kohëve të fundit, Kurti e ka shprehur qartë se dëshiron marrëveshje me Serbinë. Madje, një marrëveshje të tillë e ka lidhur ngutësisht me paqen në Ballkanin Perëndimor.
“Kriza nuk është e përfunduar, sepse Kosova dhe Serbia kanë marrëdhënie abnormale. Na duhet marrëveshje mbi normalizimin e plot të marrëdhënieve me epiqendër njohjen reciproke. Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën, prandaj na duhet njohja reciproke. Në anën tjetër, kriza nuk ka përfunduar sepse strukturat ilegale të Serbisë që janë aty që nga vitit 1999, së fundmi janë shndërruar në banda kriminale, që kanë ngritur 16 barrikada në mesin e dhjetorit.” – deklaro Kurti ditë më parë për Al Jazeeran.
Për marrëveshjen e fundit, Kurti foli edhe dje për gazetën e njohur zvicërane “Blick”.
“Unë e kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë, por nevojiten dy palë për marrëveshje. Për të arritur paqe, siguri dhe stabilitet rajonal afatgjatë, Serbia duhet ta distancojë veten dy herë: nga e kaluara e Millosheviqit dhe tash nga Putini, sepse Serbia po i afrohet gjithnjë më shumë Rusisë. Putini dëshiron që ta nxisë konfliktin me Kosovën.” – theksoi Kurti.
Për nevojën e marrëveshjes me Serbinë, shefi i ekzekutivit foli edhe në gazetën e njohur spanjolle “El Pais”.
“Mendoj që na vyen një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur. Sepse mungesa e marrëveshjes rrit tensionet. Dhe bën që Rusia të provojë e ta shpërndajë luftën në Ukrainë në zona tjera.” – tha më pas Kurti.
Për dallim për gatishmërinë për marrëveshje finale me Serbinë, Kurti nuk duket i gatshëm njëjtë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Së paku, jo në intervista. Ai është deklaruar pothuajse në të gjitha intervistat kundër “Asociacionit një etnik”.
“Në Kosovë ne nuk mund të kemi një asociacion ose çfarëdo institucioni ose organizate të bazuar vetëm në një etni. Asnjë serbë i Kosovës nuk më ka shkruar letër për të më kërkuar një Asociacion të bazuar në etnicitet. Ata duan punë, drejtësi, por asnjëri nga ta nuk e do këtë Asociacion. Është Beogradi që insiston në të” – theksoi Kurti për Al Jazeeran.
Pak a shumë, të njëjtën përgjigje Kurti e dha në “Der Standard”.
“I kam thënë Vuçiqit që e kam përshtypjen se ai nuk dëshiron asociacion të komunave, sepse nuk mund të kërkosh asociacion dhe të thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Nuk mund të servosh një makiato pa një filxhan kafe.” – tha kryeministri i Kosovës.
Por Kurti e ndryshoi metaforën rreth Asociacionit. Në intervistën për “Der Bund”, në vend të makiatos, Kurti përdori çajin si metaforë për të shpjeguar refuzimin e Asociacionit.
“Ai s’mund të thotë që Kosova është shtet i rremë dhe në të njëjtën kohë të kërkojë autonomi të komunave brenda këtij shteti. Është si të porositësh çaj pa filxhan. Ne nuk jemi budallenj.” – tha Kurti.
Gjithashtu Kurti në vazhdimësi ka përmendur refuzimin e planit franko-gjerman nga ana e Serbisë.
“Origjina e tensioneve është që Serbia e ka refuzuar propozimin e BE-së (franko-gjerman). Sepse ata kanë, në një anë, një qasje brutalisht oportuniste ndaj luftës në Ukrainë. Po marrin gazin më të lirë nga Rusia ndërsa presin për rezultatet e luftës. Në tjetrën anë, ata po presin që të shohin nëse ka ndryshim të administratës në Shtetet e Bashkuara, që do t’iu shkonte në favor, në zgjedhjet e vitit 2024.” – deklaroi Kurti për El Pais.
Në disa prej intervistave, Kurti e ka përsëritur edhe kërkesën për shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë. Natyrisht, Kurti s’ka harruar që së paku në 3 intervista të përmend çështjen e grupit rus Ëagner, ndonëse në një intervistë u zu në siklet, kur moderatori i kërkoi fakte se grupet mercenare ruse qenë në veri të vendit.





