Kurti në Austri flet për Planin franko-gjerman e Asociacionin, vihet 'në siklet' për Manastirin e Deçanit - NACIONALE

Kurti në Austri flet për Planin franko-gjerman e Asociacionin, vihet 'në siklet' për Manastirin e Deçanit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka dhënë edhe një intervistë tjetër për mediat ndërkombëtare. Kësaj radhe për Der Standardin e Austrisë e me gjasë gjatë udhëtimit të tij në këtë shtet.

“Serbia nuk është aspak e interesuar në një marrëveshje bazë me Kosovën,” – është qëndrimi i tij i shprehur sërish nga Kurti.

Ai ka përsëritur qëndrimet se Kosova vijon të jetë shembull i mirë se si biznesi dhe demokracia “shkojnë bashkë” duke i dalë kundër tregimit autoritar se njëra përjashton tjetrën.

Kryeministri ynë pati edhe një pyetje që nuk është dëgjuar shumë kohët e fundit: a do t’i kthehet toka prej 24 hektarësh Manastirit të Deçanit? Në këtë pikë keni një fragment mjaft interesant të bisedës mes palëve.

Përgjigja: “24 hektarët i ishin dhënë manastirit gjatë regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit. Megjithatë, kjo është çështje shumë e ndjeshme dhe duhet pasur parasysh dhe brenda diskutimit të gjithë të përfshirët. Do të doja të takoja ata që janë përgjegjës te Manastiri i Deçanit – por deri tash ata kanë refuzuar që të flasin me mua.”

Pyetja e gazetares Woelfl që s'i duket u habit me fjalët e Kurtit: “Kjo ka të bëjë me vendim të gjykatës kushtetuese, me sundim të ligjit – jo se a flisni ju me njëri tjetrin.”

Përgjigja e Kurtit nuk ishte shumë e rëndësishme.

Më pas, Der Standard kaloi në temën më të madhe të momentit: planin franko-gjerman.

“Më 18 gusht e patëm një takim shumë të rëndësishëm me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrellin. Një marrëveshje kornizë mes Kosovës dhe Serbisë duhej negociuar së pari. Mendova se ishte gjë shumë e mirë. Por, Vuçiqi vazhdimisht ka thënë se nuk është i interesuar në një marrëveshje të tillë kornizë. Ai është i interesuar në menaxhim të krizës, në fenomenin e zjarrvënësit dhe zjarrfikësit...” – thotë Kurti.

Ai më pas akuzoi BE-në që ende nuk kishte organizuar një takim tjetër të nivelit të lartë mes tij e Vuçiqit derisa e akuzoi Serbinë se e kishte refuzuar propozimin.

Kryeministri i Kosovës megjithëse tha se anëtarësimi i Kosovës në OKB përmes modelit të dy Gjermanive ishte i pamundur, klima në lidhje me pesë vendet e BE-së që s’e njohin Kosovën ishte më pozitive.

Dhe natyrisht... Kurti u pyet edhe për Asociacionin (pra, nuk e pyesim vetëm ne, gazetarët kosovarë).

Kryeministri u shpreh kundërshtues sërish i një asociacioni në baza etnike, duke përmendur shembullin e Bosnjë e Hercegovinës.

Pyetja: “A frikësoheni se e njëjta gjë (si në Bosnje) do të ndodh në Kosovë?

Përgjigja: “Jo, nuk frikësohem. I frikësohem vetëm gjërave të panjohura. Por, ajo që dihet, është se ka një qëllim shumë të qartë.”

Më pas, Kurti kaloi në fjalinë e famshme: “nuk mund ta servirni makiaton pa filxhan.” Aty, kryeministri u shpreh se kishte përshtypjen që Vuçiqi nuk e donte Asociacionin, meqë thoshte çdo javë se nuk do ta njihte shtetin e Kosovës.

Kur të arrijmë në atë pikë (normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë), atëherë Serbia mund të bëjë propozim se si ta zgjidhë çështjen e të drejtave etnike. Dhe edhe ne do të bëjmë propozime se si të zgjidhet çështja e minoriteteve në Serbi.”

Lajme të ngjashme