Kurti për Die Presse: Në veri pamë shenja të motoçikletave Ujqërit e Natës dhe trupës mercenare ruse Wagner
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën austriake Die Presse, në të cilën ka folur për tensionet në rritje mes Kosovës dhe Serbisë, lidhjet e kësaj të fundit me Rusinë, si dhe rrezikun e përshkallëzimeve të tjera.
I pyetur nëse është i shqetësuar për ndikimin në rritje të Rusisë në Ballkan, Kurti tha se edhe pse kjo varet nga Serbia, e cila synon të minojë shtetin e Kosovës.
"Është e vështirë të parashikohet sepse varet nga Serbia. Ekstremistët e mbështetur nga Beogradi kanë ngritur së fundmi 16 barrikada në veri të vendit tonë. Shpresoj se nuk do të ndodhë më. Por Beogradi nuk pranon që ne jemi shtet i pavarur. Po përpiqet të minojë shtetin tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe BE dhe është duke shënuar progres ekonomik. Kjo çon në nervozizëm në Beograd." - ka thënë Kurti për Die Presse.
Ai ka thënë se veri të vendit dhe përreth kurfirit janë parë shenja të pranisë së personave me shenja të bandës nacionaliste ruse të motoçikletave Ujqërit e Natës dhe trupës mercenare ruse Wagner.
"Por në të njëjtën kohë, mendoj për faktin se Serbia ka 48 baza ushtarake dhe xhandarmërie në periferi rreth Kosovës. Në kufirin tonë dhe në veri të vendit tonë pamë persona me shenja të bandës nacionaliste ruse të motoçikletave Ujqërit e Natës dhe trupës mercenare ruse Wagner. Ne jemi të shqetësuar: jo vetëm për Serbinë, por edhe për lidhjet e Serbisë me Rusinë." - ka thënë Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë shprehur edhe më herë dyshime se ata mund të jenë prezent në teren për të realizuar skenar të keq për Kosovën.
Tutje, i pari i qeverisë tha se kohët e fundit Serbia është ofruar edhe me shumë me Rusinë duke nënvizuar faktin se Beogradi nuk i është bashkuar grupit të shteteve që kanë sanksionuar Rusinë si reagim ndaj veprimeve të saj në Ukrainë.
"Serbia kohët e fundit është shtyrë edhe më shumë drejt Kremlinit: Beogradi nuk po merr pjesë në sanksionet kundër Rusisë që u vendosën për shkak të sulmit ndaj Ukrainës. Përkundrazi, Serbia ka lidhur marrëveshje me Moskën për gaz të lirë dhe bashkëpunim në politikën e jashtme. Dhe Aleksandar Vulin, një nga politikanët serbë më pro-rusë, u bë shefi i inteligjencës së Serbisë." - ka thënë kryeministri Kurti.