Kurti për El Pais: Kam qenë dy herë në Mitrovicë të Veriut si kryeministër, Serbia po e pret Trumpin
Kryeministrit të Republikës së Kosovës që mban emrin emrin Albin Kurti, i është publikuar një intervistë e re për mediat ndërkombëtare. Kësaj radhe është fjala për prestigjiozen spanjolle El Pais. Çka tha Kurti?
Pjesa më e madhe e intervistës ishte e dominuar nga përsëritjet e ripërsëritjet e fjalëve që veçse i kemi dëgjuar prej tij.
Sa herë ka qenë në Mitrovicë të Veriut?
Sidoqoftë, nga gazeta spanjolle ai u pyet edhe nëse kishte qenë ndonjëherë në Mitrovicë të Veriut (besohet në bazë të kontekstit që fjala është për Mitrovicë të Veriut, megjithëse në tekst shkruan thjesht “Mitrovicë”).
“Kam qenë disa herë atje (në Mitrovicë të Veriut) gjatë kohës sa isha në opozitë. Dhe edhe si kryeministër, dy herë...” – tha ai, duke vazhduar të tregonte se në fakt kishte qasje liberale ndaj serbëve të vendit.
Ku është origjina e tensioneve?
Kurti u pyet edhe për tensionet e fundit që rezultuan edhe në barrikada. Ai pati edhe këtu fjalë deridiku interesante dhe sqaruese duke thënë mes tjerash se Serbia po priste “ndryshim të administratës në Shtetet e Bashkuara”.
“Origjina e tensioneve është që Serbia e ka refuzuar propozimin e BE-së (franko-gjerman). Sepse ata kanë, në një anë, një qasje brutalisht oportuniste ndaj luftës në Ukrainë. Po marrin gazin më të lirë nga Rusia ndërsa presin për rezultatet e luftës. Në tjetrën anë, ata po presin që të shohin nëse ka ndryshim të administratës në Shtetet e Bashkuara, që do t’iu shkonte në favor, në zgjedhjet e vitit 2024.” – u shpreh Kurti.
Aktualisht, president i ShBA-ve është Joe Biden e të cilin e kishte përkrahur edhe Kurti gjatë fushatës elektorale. Ndërkohë, kandidaturën e tij për të fituar nominimin e Partisë Republikane që të kthehet si president e ka shpallur Donald Trumpi.
“Mendoj që na vyen një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur. Sepse mungesa e marrëveshjes rrit tensionet. Dhe bën që Rusia të provojë e ta shpërndajë luftën në Ukrainë në zona tjera.” – tha më pas Kurti.
Të dialogojnë Madridi e Barcelona
Kryeministri Kurti e bëri një shpjegim mjaft interesant edhe të dallimeve mes rastit të Kosovës dhe atij të Baskëve dhe Katalonisë.
“Në ish Jugosllavi, ne ishim më të varfërit dhe më të shfrytëzuarit. Ndërsa Katalonia dhe Baskët janë më të pasurit në Spanjë. Ne deshëm të ishin si pjesa tjetër e vendit, por ata na shtypën. Çështja jonë ishte koloniale, si ajo e Algjerisë me Francën.” – u shpreh z. Kurti në përgjigjen e tij.
Ai po ashtu e quajti “mik” kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez, për të cilin tha se e ka takuar në samitin e Internacionales Socialiste.
Por, Kurti pati edhe fjalë të tjera për zhvillimin politik në Spanjë.
“Në Spanjë, të cilin e mendoj si shtet demokratik, nuk mendoj se ka ndonjë gjë që nuk mund të zgjidhet mes Madridit dhe Barcelonës pa dialog. Problemi që ne kemi me Serbinë është që ajo është autokraci. Ka parti, lider, kishë. Dhe me lidhje të afërta me Rusinë. Nëse Madridi do të sillej si Beogradi, unë do të takohesha me Kataloninë.” – u shpreh kryeministri ynë.

