Marrëveshja “merre osë lëre”: Si duhet të veprojë Kurti sipas ish-diplomatëve të Kosovës?
Dita e madhe po afron. Më 27 shkurt, kryeministri Albin Kurti do të ketë përballë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel. Krahas tyre, në takim pjesëmarrës do të jenë edhe ndërmjetësit evropian, ndërsa në mes të tavolinës do të zë vend një marrëveshje e tipit “merre ose lërë”, pra e panegociueshme. Çfarë do të thotë kjo për karrierën e Kurtit e çka për Kosovën?
Politikani që dikur kundërshtonte çdo lloj komromisi me Serbinë, duke i akuzuar të tjerët si “tregtar të sovranitetit”, në takimin e radhës, pritet ta nënshkruaj një marrëveshje pa e marrë në këmbim njohjën e Kosovës. Madje, pavarësisht se kryeministri Kurti, dikur nuk donte t’ia dinte për asnjë lloj negociate, tash po krenohet duke thënë se ka shkuar në Bruksel, sa herë e kanë ftuar.
“Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet në Bruksel sa herë që jemi ftuar. Kemi mirëpritur emisarët special nga perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë dhe e do të jem të përkushtuar, parimor, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve. Statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal, e status normal është ai i fqinjësisë së mirë evropiane. Pra, njohje reciproke si thelb dhe reciprocitetin si princip.” - ka thënë Kurti
Diplomatët kosovarë që morën pjesë në negociatat për themelimin e shtetit të Kosovës, e kanë kritikuar shefin e qeverisë për mënyrën se si ka dialogur për këto dy vite. Përtej kësaj, ata janë të ndarë në lidhje me planin franko-gjerman, marrëveshjen që pritet të nënshkruhet me 27 shkurt.
Marrëveshja pa njohje
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, e cila dikur kritikohej nga Lëvizja Vetëvendosje për marrëveshje të dobëta, ka thënë se Kosova nuk duhet ta pranojë një marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Tahiri ka thënë se kjo marrëveshje shkelë interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës.
“Mendoj që Kosova nuk duhet ta pranojë Marrvëshjen, sepse nuk e ka njohjen reciproke. Kurti do të bëjë gabim historik nëse e pranon një marrëveshje pa njohjen reciproke me një Serbi që e ka Kosovën në kushtetutën e saj. Duke e pranuar Kurti do të shkelë interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, thotë se presidnetja Osmani dhe kryeministri Kurti e kanë degraduar pozitën e Kosovës në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Hyseni tha se Osmani dhe Kurti e çuan vendin në një konfrontim dhe ftohje te raporteve të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, gjatë dy viteve të fundit me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste kanë sjellur një prapakthim në dialogun me Serbinë. Nga korniza e përcaktuar qartë nga BE, po edhe nga SHBA-të, që konsistonte në dialog të përqëndruar në njohje të ndësjellë, përkatësisht se ‘nuk kishte marrëveshje për asgjë derisa nuk kishte marrëveshje për çdo gjë. Kurti hapi tema të veçanta në dialog, duke e degraduar ate në dialog teknik. Politikat e pamatura në veri të vendit dhe lojrat me targa krijuan në akt të kryer që i shkonte për shtati Serbisë në tërsi. Krejt kjo solli deri të një konfrontim dhe ftohje të raporteve të Kosovës me BE-në dhe Amerikën. Tashti jemi ku jemi.” - theksoi Hyseni.
Por, ndryshe nga ish-kryenegociatorja Tahiri, Hyseni mendon se Kurti duhet ta nënshkruajë marrëveshjen, që çon një hap drejt njohjes reciproke.
“Nuk duhet humbur rasti që me 27 shkurt Kurti të pajtohet me propozimin evropian e që ashiqare ka edhe përkrahjen e plotë të Adminsitratës Amerikane. Nuk është zgjidhje përfekte por ështe një zgjidhje e ndërmjeme, hap i madh drejt edhe njohjes reciproke e cila doemos do ndodhë pas një kohe. Kështu Kosova e kalon edhe një hap të rëndësishëm në shtetndërtim dhe ruan alenacat strategjike me SHBA-të dhe Be-në. Kurti i opozitës nuk ka ekzistuar kurrë, madje edhe kur ka qenë në opozitë. Besoj se nuk ka ndryshuar. Në opozitê ka manipuluar për të ardhur në pushtet. Tani në pozitë do të mbetet manipulues për të kamufluar gabimet e mëdha dhe për të shitur si sukses pranimin e marrëveshjes mbi bazën e planit evropian”, tha ai.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, sot e ka bërë të qartë se pala që nuk e pranon propozimin evropian, do të izolohet ndërkombëtarisht.
“Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç e dinë shumë mirë se pala që e refuzon marrëveshjen, ose pala qe tregohet jo konstruktive, do të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe do të fajësohet për dështimin. Kjo mund të çojë në një përkeqësim të relatave me BE-në dhe në ndalimin e disa proceseve të rëndësishme.” – tha ajo.

