Lufta në Ukrainë, a do të përballet Kosova me mungesë të grurit e ushqimeve?
Përveç inflacionit, e krizës energjetike, qytetarët e Kosovës mund të përballën edhe me një krizë tjetër. Për shkak të invazionit rus në Ukrainë, parashihet që bota të përballet me një nga krizat ushqimore më të mëdha në botë. Për shkak që Kosova importon shumë, sipas ekspertëve qytetarët do të përballen me çmime të larta, por jo edhe me pasiguri ushqimore.
Edhe rendimenti i ulët i prodhueshmërisë në vend, parashikohet të ndikojë në disponueshmërinë e ushqimeve, gjersa Kosova tashmë ka muaj që ka filluar të furnizohet me grurë, ndonëse grurin e bleu me çmim të lartë e nga një kompani ndërtimore.
Tregu global i ushqimeve, e posaçërisht i grurit, tashmë ka pësuar goditje të mëdha për shkak të luftës, ngase Rusia dhe Ukraina janë eksportuesit më të mdhenj të grurit në botë.
Profesori universitar, Imer Rusinovci në një përgjigje për gazeten Nacionale thotë se Kosova nuk qëndron mirë në prodhimin e ushqimit, dhe rritja e çmimeve të landës së parë vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen.

“Ngritja e çmimeve të plehrave minerale, naftës, farërave cilësore dhe preparateve kimike, krijoj një situatë shumë komplekse në bujqësi. Çmimet e larta të inputeve bujqësore në përgjithësi dhe plehrave minerale në veçanti do të ndikojnë dukshëm në kosto shumë më të larta të prodhimeve të kulturave bujqësore të cilat sigurojnë ushqimet bazë për konsumatorë. Gjatë këtij viti, fermerët u përballen me sfida të rënda, madje edhe prodhimi i tyre në fund të periudhës vegjetative do të jetë më i ulët, meqenëse të njëjtit nuk i harmonizuan siç duhet racionet ushqyese të bimëve, si pasojë e shtrenjtimeve enorme të plehrave minerale.”, tha z.Rusinovci.
Tutje, profesori i Universitetit të Prishtinës vlerëson se në agronomi rezultatet vërehen në fund të sezonës, duke theksuar se duhet të varemi sa më pak nga importet, e mbjelljen e tokave e quan “vepër kolosale”.
Rusinovci tutje thotë se këtë vit kishte më pak të mbjellura dhe se rendimentet me grurë për shkak të reshjeve atmosferike janë më të ulta se vitet e kaluara.
“Pavarësisht që sipërfaqet kultivuese me grurë nuk ishin ma të mëdha në raport me vitin paraprak, gjatë pranverës së vitit 2022 u vërejtë një mobilizim dhe interesim shumë ma i madh i fermerëve për mbjellje të misrit, patates dhe disa kulturave tjera pranverore. Megjithatë, vendit po i mungojnë sipërfaqet kultivuese me bimë vajore dhe bimë industriale, sepse konditat tona agro-ekologjike përkojnë për kultivim të suksesshëm të tyre. Rendimentet e realizuara të grurit janë më të ulëta në raport me vitet e kaluara, ndërsa për kulturën e misrit, MBPZHR-ja akoma nuk ka publikuar raport përfundimtar të prodhimit të kësaj kulture për këtë vit.”, shtoi ai.
Imer Rusinovci thotë se, përkundër që Kosova mund të mos ketë pasiguri ushqimore, vendi ynë do të përballet me çmime më të larta.
“Nuk dua të krijoj panik se vendi do të përballet me pasiguri ushqimore, sepse pozicioni ynë mundëson tregëtim të lire nga vendet e rajonit apo edhe nga vendet ma të largëta porse kosoja e transportit do të jetë më e lartë. Si rezultat i ç’rregullimeve të çmimeve të artikujve ushqimor në bursa ndërkombëtare, konsumatorët do të përballen me çmime dukshëm më të shtrenjëta në raport me vitet paraprake.”, përfundoi z.Rusinovci.
Disa ditë më parë, sekretari i Organizatës së Kombëve të Bashkuara, António Guterres, paralajmëroi për mungesë të ushqimeve, nëse nuk arrihet një marrëveshje për eksportin e plehrave e ushqimit nga Ukraina e Rusia.
Ndërsa, sipas një studimi nga Grupi Euroaziatik, lufta në mes Ukrainës e Rusisë do të ndikojë në thellimin e krizës ushqimore, ndërsa në skenarin më të keq rreth 1,6 miliardë njerëz do të preken nga pasiguria ushqimore.



