Skandali me grurin për rezervat shtetërore, opozita shqyrton mundësinë e komisionit hetimor
Opozita ka shprehur dyshime të mëdha rreth blerjes se grurit për rezervat shtetërore. Blerja e gririt me çmim të lartë nga një kompani ndërtimore në Turqi dhe mossjellja e sasisë se grurit të porositur në Kosovë, kanë bërë që opozita ta shqyrtojë mundësinë e formimit të një komisionit hetimor parlamentar për ta hetuar këtë skandal.
Në emër të “sekretit shtetërorë”, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon ta mbaj sekret sasinë e importuar të grurit për rezervat shtetërore. Ndonëse ka kaluar një javë që gazeta Nacionale ka raportuar për skandalin e importimit të grurit me çmim "super të shtrenjtë" nga një kompani ndërtimi në Turqi, kjo ministri nuk ka komentuar asnjë prej dyshimeve të mëdha që e kanë karakterizuar blerjen e grurit.
Burimet e gazetës Nacionale kanë bërë me dije se kompania turke ende nuk e ka sjell në Kosovës sasinë e grurit për të cilën ka paguar Qeveria e Kosovës. Dyshimet e gazetës i ka konfirmuar edhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.
Ai ka thënë për gazetën Nacionale se përkundër interesimit të tij, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk ka informuar asnjëherë deputetët për këtë çështje.
“Unë edhe në kuvend kam kërkuar zyrtarisht prej ministrisë informacione, por kurrë nuk kemi marrë përgjigje për këtë çështje, në emër të asaj se është sekret shtetëror”, ka thënë Shala.
Ai ka bërë me dije se sasia e grurit që ka blerë Kosova në Turqi asnjëherë nuk ka ardhur në Kosovë.
“Informacion e mija janë që sasia e grurit, përveç asaj pjese që është blerë prej kompanive vendore, sasi e blerë prej Turqisë nuk ka ardhur. Ndoshta, tash ajo pjesë është plotësuar për shkak të korrurave që janë bërë në vend dhe kanë blerë këtu dhe janë bërë ato lojëra. Por, ajo që dihet është se ka pasur një vonës të madhe të ardhjes se sasisë. Se a ka ardhur tash, nuk e di. Mirëpo ajo që dihet është se sasi që ka qenë e planifikuar nuk ka ardhur me kohë. Këtë çështje unë e kam ngritur edhe në kuvend”, ka thënë Shala.

Deputeti i PDK-së ka thënë se këto dyshime lenë vend për formimin e një komisioni hetimor parlamentar.
“Gjithësi se ka vend, unë si anëtar i komisionit e pata ngritur edhe çështjen e energjisë më shumë mund, dhe e keni parë se si aty po na sabotojnë. Tash po del se kemi pas të drejtë në këtë çështje, sepse shumë kompani kanë punuar pa licenca dhe ka keqpërdorime dhe ndërhyrje”, duke shtuar se iu takon partive opozitare nëse dëshirojnë të formojnë një komision të ti hetimor. “Definitivisht se ka nevojë për një hetim”, ka thënë Shala.
Mullistët shprehin dyshime në kompaninë turke
Kompania ndërtimore turke nga e cila Qeveria e Kosovës ka blerë është parë me dyshime të mëdha edhe nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka thënë për gazetën Nacionale se nuk e njeh kompaninë turke.
Sipas tij, mullistët e Kosovës nuk kanë bashkëpunimim me këtë kompani.
“Me keqardhje. por nuk e njoh dhe besoj që nuk është një kompani që ne mullistët e përdorim për shit-blerje të grurit”, ka thënë ai për gazetën.
Pavarësisht dyshimeve të mëdha për këtë proces nga mediat dhe opozita, qeveria ka heshtur.
Pas raportimit të gazetës Nacionale, kishte reaguar edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, duke thënë se korrupsioni si “sekret shtetëror” është dyfish korrupsion.
“Ministrja e tregtisë paska shpenzuar 1,7 milionë euro mbi çmimin e tregut për të blerë grurë nga vendet e huaja. Pra, ka keqmenaxhuar paranë e shtetit. Thënë shqip, i paska keqpërdorur 1,7 milionë euro të qytetarëve. Që ka blerë grurë për rezerva shtetërore ka bërë shumë mirë. Por, kur qenka bërë blerja e grurit “sekret shtetëror”?! Thua ti po blenë armë bërthamore!”, kishte shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, gruri nuk duhet të konsiderohet si sekret shtetërorë. “Gruri është produkt bazik që tregtohet çdo sekond në berza ndërkombëtare me çmime publike transparente. Pse duhet ministrja e Kosovës, açik dynjasë, të blejë grurë me çmime sekrete 1,7 milionë euro më shtrenjtë se në tregjet e botës? Edhe sa ton grurë shtesë do të mund të bliheshin me 1,7 milionë euro?! Këto rezerva kanë mundur edhe t’i parakontraktojnë direkt nga fermerët kosovar. Pra, t’i mbushin rezervat e shtetit me grurë vendor gjatë këtij muaji të korrje-shirjeve”, kishte shkruar Mustafa.
Blerja sekrete e grurit ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për 1.7 milion euro
Në fund të muajit shkurt, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 10 milionë euro për “rritjen e rezervave shtetërore”.
Ditë më parë, gazeta Nacionale ka raportuar se 7 mijë tonë grurë kanë hyrë në Fondin e Rezervave të shtetit në muajin prill. Dokumentet që ka parë Nacionale tregojnë se si shteti ka blerë një ton grurë, me çmim prej 546 eurosh. Ndërkohë që çmimi total për 7 mijë tonë, kap vlerën prej 3 milionë e 822 eurove.
Ministrja e Industrisë Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, nuk ka komentuar çmimin e lartë të blerjes së grurit.
Kur është pyetur për këtë çështje, në një konferencë për medie, ajo ka shfajësuar vetën duke thënë se nuk e dinte çmimin, ngase nuk ishte pjesë e komisionit që negocioi për blerjen e grurit.
“Unë nuk kam qenë pjesë e komisionit që ka negociuar çmimin. Nuk e mbaj mend direkt sepse ka negociuar grupi negociator nga rezerva shtetërore”, tha ministrja Hajdari, duke shtuar se “çmimi përcaktohet edhe për nga rendimenti dhe cilësia e grurit”, ka thënë ajo, duke u munduar të arsyetoi çmimin e lartë më të cilin është blerë gruri.
“Nuk është vetëm çmimi më i lirë por edhe rendimenti dhe cilësia që e përcaktojnë, pasi ruhet në rezerva”, ka deklaruar ministrja.

