Lirohet Milan Radojiçiq, Serbia ia ndalon hyrjen në Kosovë
Kryeterroristi Millan Radojiçiq është liruar nga masa e ndalimit prej 48 orëve. Radojiçiq ishte kryeorganizatori i sulmit terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit. Nga ky sulm ndaj Policisë së Kosovës, u vra rreshteri tashmë hero i Kosovës, Afrim Bunjaku. Radojiçiq ka pranuar se ka organizuar komplet sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Në njoftimin e Gjykatës në Beograd, gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd ka hedhur poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes.
Sipas raportimit të mediave serbe, Radojiçiqit i është ndaluar largimi nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të hyjë në Kosovë.
Radojiçiq është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në stacionin policor.
Gjithashtu atij i është konfiskuar përkohësisht pasaporta e Serbisë.
Nëse Radojiçiq i shkel këto ndalesa dhe detyrime atëherë ndaj tij mund të vendoset masa e paraburgimit.
Për çka dyshohet Radojiçiq?
Milan Radojiçiq është intervistuar të martën për vepra që kanë të bëjnë me krime si “shoqatë me qëllimin për të kryer akte kriminale”, “prodhimi, mbajtja dhe trafikimi ilegal i armëve dhe substancave eksplozive” dhe “krime serioze kundër sigurisë së përgjithshme”.
“Ai është intervistuar nën dyshimet që, tani për tani, me disa persona të panjohur, ka kryer krimin e “shoqatëës për qëllim të kryerjes së veprave kriminale”, “prodhimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve si dhe substancave eksplozive”, si dhe “akte serioze kundër sigurisë së përgjithshme.” – citohet të ketë thënë Zyra e Prokurorit.
Radojiçiq akuzohet që ka blerë armët nga Bosnja e Hercegovina në një periudhë prej nëntë muajsh këtë vit, të cilat më pas i ka transportuar në Kosovë, kështu që në fund të muajit shtator ka vendosur në rrezik njerëzit e fshatit Banjska.
“Sipas hetimeve, Radojiçiq dyshohet që nga janari 2023 deri në shtator ka blerë armë, municion dhe pajisje ekspolozive me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla në Bosnjë e Hercegovinë, të cilat më pas i janë dërguar atij në Beograd...të cilat më pas ai i ka transportuar dhe i ka vendosur në disa lokacione në territorin e Kosovës ku i ka fshehur në ndërtesa të braktisura si lideri i një grupi me disa persona të panjohur...” – thuhet tutje.
Kujtojmë se Radojiçiq ka pranuar publikisht se ka qenë organiztor i gjithë sulmit terrorist në Banjskë.
“Po i njoftoj të gjithë të përndjekësit e popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike.” – kishte thënë ai.
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se arrestimi i Radojiçiqit është një “farës”.
”Kjo është vetëm një fares. Aq sa [Milan] Radojçiq është i afërt me [Aleksandar] Vuçiqin, edhe [Aleksandar] Vuçiq është afër [Milan] Radoiçiqit. Jemi të bindur se në planifikimin, mbështetjen dhe financimin e aksionit terrorist kanë qenë të përfshirë edhe Vuçiq, ministri i Mbrojtjes Vujeviq dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë Serbe, Mojsiloviq.” – ka thënë Sveçla për mediumin kroat rtl.hr.
Kosova ka dënuar sulmin terrorist teksa ka thënë se pas saj qëndon Begoradi zyrtar.





