"Nëse s'e njohim Kosovën, Radojiçiq do të duhet të përgjigjet për vrasje dhe terrorizëm", thonë avokatët serbë
Avokatët në Serbi kanë deklaruar se Milan Radojiçiq, nënkryetari i Listës Serbe dhe organizatori i sulmeve terroriste të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, nuk do të ketë një udhëkryq të lehtë përpara, pasi ata besojnë se edhe nëse presidenti Vuçiq do të provojë të ndërmjetësojë për pranimin e fajësisë me prokurorinë, kjo mund të mos pranohet nga bashkësia ndërkombëtare përderisa Serbia e bllokon hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Ata gjithashtu kanë deklaruar se, sipas Kodit Penal të Serbisë “ky lloj organizimi i formacionit paraushtarak me armatim të rëndë konsiderohet terrorizëm”.
Sipas avokatit Ivan Niniq, i cili foli për "Danas", para se prokurori të fillojë të hetojë Radoiçiqin, duket se fillimisht duhet të sigurojë nëse presidenti Vuçiq do të respektojë Kushtetutën e Serbisë apo Marrëveshjen e Brukselit.
“Nëse ende e konsiderojmë Kosovën pjesë të territorit tonë, atëherë veprimet prokuroriale në procedurën parapenale duhet të mbulojnë një gamë shumë më të gjerë sesa armëmbajtja pa leje. Mendoj se çështja parësore këtu është vdekja e katër personave dhe plagosja e disa qytetarëve tanë dhe vetëm atëherë posedimi dhe mbajtja e armëve pa leje”, ka theksuar Niniq.
Ai shtoi se nëse qëndrimi i shtetit serb dhe i prokurorisë është se Marrëveshja e Brukselit është mbi Kushtetutën e Serbisë dhe se ata nuk kanë juridiksion në territorin e Kosovës, atëherë Radojiçiq mund të akuzohet vetëm për armëmbajtje.
Megjithatë, ai ka thënë se "nuk është i sigurt se një skenar i tillë do të jetë i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare përderisa Serbia e bllokon hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare".
“Nuk do të habitesha nëse Vuçiq do të provonte një ndërmjetësim të tillë dhe do ta detyronte Radojiçiqin të lidhë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë. Kjo do të thotë se ai duhet të dërgohet menjëherë në burg dhe të përpiqet ta shpëtojë, të paktën përkohësisht. Megjithatë, nuk jam i sigurt se një skenar i tillë do të jetë i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare përderisa Serbia e bllokon hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, ka deklaruar Niniq.
Ndërsa avokati Çedomir Stojkoviqi ka thënë se sipas Kodit Penal të Serbisë “ky lloj organizimi i formacionit paraushtarak me armatim të rëndë konsiderohet terrorizëm”.
“Në videon e publikuar nga mediat kosovare shihet qartë se ai mban në dorë një pushkë automatike që civilët nuk lejohen ta mbajnë dhe as ta posedojnë. Sipas nenit 348, paragrafi 4, dënimi për atë vepër penale është prej dy deri në 12 vjet burgim. Po ashtu, sipas nenit 391 të Kodit Penal të Republikës së Serbisë, ky lloj organizimi i formacionit paraushtarak me armë të rënda konsiderohet terrorizëm, i cili dënohet me burgim prej pesë deri në 15 vjet burgim”, ka deklaruar Stojkoviq.