"Jo, mirupafshim": Pse takimi i nesërm i Lajçakut me Kurtin mund të jetë ‘më i sikletshmi’ deri tash?
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të vijë nesër (e enjte) në Prishtinë. Por, pse ky mund të jetë takimi më i sikletshëm i tij me kryeministrin Kurti?
Pas Kosovës, Lajçaku do të vizitojë edhe Serbinë në një periudhë interesante të procesit të dialogut.
Por, këto ditë, një deklaratë e dhënë nga Lajçaku ka prodhuar zhvillime në Kosovë.
Jo, mirupafshim
Draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të prezantuar nga Ekipi Menaxhues, emisari Lajçak e quajti “pikënisje të rëndësishme për diskutimet në vijim në nivelin e kryenegociatorëve,”
Deklarata në fjalë kishte prodhuar një reagim të ashpër nga kryekuvendari Glauk Konjufca, që i kishte thënë këto fjalë:
““Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë mund të themi ne mirupafshim, se nuk ka interes këtu.”
Kjo nxiti shumë aktivistë e deputetë të Vetëvendosjes që të shpërndanin e zgjatonin këto fjalë në kundërshtim të Lajçakut.
Germa e shpirti
Por, përplasja në lidhje me ekipin menaxhues kishte nisur edhe më herët.
Në takimin e 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes serbe Aleksandër Vuçiq u prezantua edhe draft-statuti i Asociacionit nga ekipi menaxhues.
Menjëherë më pas, Qeveria Kurti vendosi që të largonte nga detyra anëtarët e këtij ekipi. Por, kjo prodhoi një ‘piskamë’ të fortë nga BE-ja, që përmes zëdhënësit Peter Stano i tha edhe këto fjalë të ashpra:
“...vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel germën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,”
Megjithatë, një gjë e tillë u mohua nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kryeministri Kurti e quajti vendimin për shpërbërjen si “më të logjikshmin e më të natyrshmin”.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionin e vet, prandaj ne nuk kemi më arsye që ta dëgjojmë... andaj unë besoj që të gjithë e kanë të qartë se ekipit menaxhues i ka përfunduar puna, andaj edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe e logjikshme.”
Nuk besohet që mospajtimi në lidhje me ekipin menaxhues mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës të jetë tejkaluar deri tash.
Kryeministri Kurti e ka propozuar një draft-vizion, por për të cilin nuk kishin marrë vlerësim fare nga ana e ndërmjetësve.
Kosovës gjatë ditës së djeshme iu kërkua edhe nga ana e ambasadorit britanik që të propozonte formalisht një draft-statut. Ai njoftoi edhe për vizita të rëndësishme gjatë kësaj jave.

