"Jo mirupafshim": Pse është 'mobilizuar' VV-ja pas fjalëve të Lajçakut pak para mesnate? - NACIONALE

"Jo mirupafshim": Pse është 'mobilizuar' VV-ja pas fjalëve të Lajçakut pak para mesnate?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pak para mesnate, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, ka bërë disa deklarata që sot kanë mobilizuar aktivistë të VV-së e zyrtarë të pushtetit. E gjithë kjo nisi nga ana e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Fillimisht, të ndalemi te ajo që tha z. Lajçak.

Ai foli gjerë e gjatë për disa nga punët që kishte kryer gjatë javës, ku përmendi edhe takimin e 2 majit në Bruksel.

Draft-statuti, pikënisje e rëndësishme

Fjalia ‘problematike’ thotë si vijon:

“Palët poashtu e ndërmorën një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithëse drafti i parë i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk është final, është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet në vijim në nivelin e kryenegociatorëve,”ka thënë z. Lajçak.

Replika e Konjufcës

Kryeparlamentari Glauk Konjufca u tregua më i ashpër se asnjëherë në komente.

“Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë mund të themi ne mirupafshim, se nuk ka interes këtu.” – u shpreh z. Konjufca.

Në një tjetër deklaratë të fortë, ai tha edhe këto fjalë:

“Nëse BE-ja nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më,”

Dhe, e gjithë kjo ka ‘trimëuar’ shumë aktivistë të VV-së që kanë nisur të shpërndajnë fjalët e kryeparlamentarët dhe të kundërshtojnë ato të emisarit Lajçak.

Mobilizimi i VV-së

VV-ja shpërndau këto fjalë të z. Konjufca, duke shkruar: “Kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mund të jetë bazë për negociata.”

Postimi i Vetëvendosjes u shpërnda nga aktivistë të njohur të VV-së si deputetët Artan Abrashi e Adnan Rrustemi, zëdhënësi Arlind Manxhuka dhe shefi i stafit të Konjufcës, Ilir Kërçeli.

A ka diçka më shumë?

Aktualisht, Kosova dhe BE-ja nuk po pajtohen në lidhje me vendimin e ndërmarrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal javën e kaluar për largimin nga detyra të anëtarëve të Ekipit Menaxhues.

Ky Ekip Menaxhues kishte prezantuar më 2 maj draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe i cili ishte kontestuar ashpër nga ana e kryeministrit Kurti.

Zëdhënësi për Politikë të Jashtme në BE, Peter Stano, u shpreh javën e kaluar se shkarkimi i ekipit menaxhues përbënte shkelje të “germës dhe frymës” së marrëveshjes së Brukselit. Kjo ishte mohuar nga ana e Qeverisë së Kosovës, respektivisht këshilltarit të Besnik Bislimit, z. Klisman Kadiu.

Lajme të ngjashme