Kushti për KiE ende Statuti i Asociacionit, ndërsa Kurti thotë se me Sorensenin foli “për procesin e anëtarësimit” - NACIONALE

Kushti për KiE ende Statuti i Asociacionit, ndërsa Kurti thotë se me Sorensenin foli “për procesin e anëtarësimit”

2 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Në Ohër, Albin Kurti, përveç marrëveshjes së ndërmjetme për normalizim të marëdhënieve Kosovë – Serbi pa njohje të ndërsjellë, i kishte ndërlidhur pashkëputshëm edhe tërë mundësitë e integrimeve të mëtejme të Kosovës në organet e bashkësisë evropiane me zbatimin e asaj marrëveshje.

Pas dhjetëra orësh negociata në Ohër, ish-kryediplomati evropian, Josep Borrell, pati lajmëruar se tashmë kjo marrëveshje e Ohrit, që ishte Aneks i Zbatmit të asaj të Brukselit (shkurt, 2023), do të ishte “Lidhja” e rrugëve evropiane të palëve.

Dhe “po e bëj shumë konkrete,” pati thënë Borrell, “menjëherë nisim punën që formalisht të përfshijmë amandamentimet relevante” në dokumentacionin zyrtar të BE-së që Kosova dhe Serbia të jenë “ligjërisht të detyruara” për zbatim vis-a-vis përparimit evropian të tyre.

Dhe ne, në Bashkimin Evropian, do t'u kërkojmë me forcë Palëve që të përmbushin detyrimet e tyre, sepse tani ato janë pjesë...e Rrugës së tyre drejt BE-së.”

Kosovës këtu i ishte hapur rruga për të synuar anëtarësimin në paradhomën e Bashkimit Evropian, përkatësisht në Këshillin e Evropës, ndërsa shtysa-dhe-freni, ishte saktësisht Marrëveshja e Ohrit.

Draft-Statuti i BE-së për Asociacionin, dhe mosprocedimi i tij në Gjykatë Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës, e ktheu Kosovën mbrapsht në minutat e fundit të anëtarësimit të premtuar dhe mundësuar.

Atë e ndalën Gjermania, Franca dhe Italia.

Qysh nga maji i 2024-ës, anëtarësimi në Këshill të Evropës mbetet në “fatin” e atij draft-Statuti.

Dy vite më vonë...

Albin Kurit, Kryetari i Qeverisë së Kosovës, njoftoi të ketë pritur mbrëmë emisarin evropian të ngarkuar me çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, në një kohë kur ky i fundit është edhe i ngarkuar të mundësojë një takim të Nivelit të Lartë mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit, të kërkuar edhe nga vetë Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, së paku dy herë kohëve të fundit.

Por, në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, dialogu Kosovë – Serbi nuk ishte tema që i diskutua, por “integrimet evropiane” dhe “procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.”

“Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës,” u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Hiç më larg se kohëve të fundit, në letrat uruese ndaj Albin Kurtit me të marrë mandatin e ri qeverisës, Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i qëndruan po të njëjtës linjë se zbatimi i Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit është “integrale” për avancimin e Kosovës drejt rrugës së BE-së; ndërsa Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka as status të vendit kandidat për anëtarësim.

Ku kishte mbetur “anëtarësimi” në KiE?

Presioni ndaj Qeverisë së Kosovës ishte rritur ndjeshëm pas një letre të përbashkët nga Franca, Gjermania dhe Italia, drejtuar kryeministrit Albin Kurti në maj të 2024-ës kur anëtarësimi në KiE nga qeveria jepej si punë e kryer, ani pse draft-Statuti i Asociacionit ishte germëzuar në opinionin e Dora Bakoyanis, të caktuarës hartuese për opinionin për anëtarësim të Kosovës në KiE.

Letra e Scholz, Macron dhe Melloni kishte ardhur pas njoftimit të Qeverisë (asokohe Ministre e Jashtme, Donika Gërvalla) se do të “hartonin” një draft-statuti të ri për Asociacionin deri në fund të majit.

Tre shtetet kyçe të BE-së i patën kumtuar Kurtit se Kosova rrezikon anëtarësimin në Këshillin e Evropës nëse nuk ndërmerr hapa konkretë drejt Asociacionit. “Veprimet dhe vendimet tuaja në këtë moment kritik do të jenë vendimtare për aspiratat e Kosovës,” thuhej në atë në letër.

“Topi është në fushën tuaj. Ne besojmë sinqerisht në udhëheqjen tuaj.”

“Fatkeqësisht, hapat që ju propozoni nuk adresojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit,” theksohet më tej.

Sipas letrës, drafti i paraqitur nga asokohe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk ishte thjesht propozim formal, por një model funksional.

“Ky hap mund të konsiderohet vendimtar vetëm nëse drafti dërgohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës,” thuhet në dokument.

Lajme të ngjashme