Kushti francez për vizat: Analistët e quajnë padrejtësi, kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria Kurti - NACIONALE

Kushti francez për vizat: Analistët e quajnë padrejtësi, kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria Kurti

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian duket të jetë pajtuar me kërkesën franceze që liberalizimi i vizave të kushtëzohet me sistemin ETIAS, që parashihet të funksionalizohet në nëntor të 2023. Radio Evropa e Lirë raportoi se në takimin e parë të grupit punues për vizat është pranuar propozimi i Francës për kushtin e ri për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Para takimit të dytë të grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së, sipas REL, Presidenca çeke e ka dërguar një “dokument ndërinstitucional”, në të cilin është përfshirë edhe kërkesa e Francës në lidhje me ETIAS-in. Krahas kësaj, Kosovës i kërkohet që edhe më tutje të përshtat politikën e saj të vizave me atë të BE-së.

Analistët dhe njohësit e politikës vlerësojnë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, duke thekësuar se kushtet e reja janë padrejtësi.

Kushtëzimi

Antëtari i kryesisë së LDK-së, z.Valon Murtezaj thotë se informacioni se Presidenca çeke e BE-së e ka pranuar kushtëzimin e Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën akoma nuk është konfirmuar.

Në një përgjigje për Nacionalen, z.Murtezaj tha se duhet ta presim takimin e grupit punues për vizat në nëntor.

Ende nuk kemi diçka të konfirmuar në këtë drejtim. Duhet pritur takimin e grupit punues për vizat, që mbahet në nëntor, dhe vetëm atëherë mund të dijmë diçka me të saktë. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret, por poashtu shtetet mund të kenë komente në dokumentin e punës. Te jemi optimist që vendimi politik të mirret sa me shpejt, dhe zbatimi pastaj të jetë në kohë sa me të shkurtër”, tha z.Murtezaj.

Ndërsa, politologu z.Shkodran Ramadani e quan padrejtësi ndaj kosovarëve aprovimin e propozimit francez nga presidenca çeke.

Në një përgjigje për Nacionalen, z.Ramadani tha se kosovarët mbetën i vetmi popull në Evropë pa të drejtë lëvizjeje.

Kjo do të thotë vazhdim i padrejtësisë, i diskriminimit dhe izolimit. Kosovarët mbeten i vetmi popull në Evropë pa të drejtë levizjeje. Kolumbianët, ukrainasit, gjeorgjianët e moldavët lëvizin lirshëm nëpër Evropë. Ne vend se vizat të liberalizoheshin qysh në fillim të vitit, neve edhe një vit na izolojnë. Nuk ka dhuratë për vit te ri. Ka vazhdim te diskriminimit të vjetër”, vlerësoi z.Ramadani.

Tutje, z.Ramadani tha se edhe Qeveria e Kosovës duhet të mbahet përgjegjëse për mosadresimin e duhur të liberalizimit të vizave.

Por tash edhe qeveria jonë duhet të mbahet përgjegjëse për mosadresimin e duhur të këtij problemi. Deri tash gjithmonë i kanë fajësuar qeveritë e kaluara për mosliberalizim? Tash kush është përgjegjes? Për një moment BE-ja? Edhe atëherë, edhe tash, qe nga viti 2015 BE-ja ka qenë fajtorja. Kurse partia në pushtet gjithmonë e ka shtrembëruar realitetin. Prandaj duhet të bartë përgjegjësi për mosliberalizimin e vizave në dy vitet e fundit”, shtoi z.Ramadani.

Çka është Sistemi ETIAS?

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, por ky sistem akoma nuk është funksional.

Në atë sistem, qytetarët e shteteve për të cilat janë liberalizuar vizat, duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre para se të udhëtojnë në BE. Atëherë do të marrin konfirmimin elektronik dhe kjo do të vlejë për tre vjet.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi është shtyrë disa herë për shkaqe teknike Ai pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, por do të bëhet plotësisht funksional më 1 nëntor të vitit 2023.

Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.

"Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shchengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje", shkruhet në uebfaqen e ETIAS.

Lajme të ngjashme